U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 19-vjeçari në Pogradec

Jul 25, 2021 | 16:46
SHPËRNDAJE
emigrante-policia
Foto ilustruese

Një 19-vjeçar u arrestua nga policia e Korçës pasi u kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm në dalje të qytetit të Pogradecit.

Fillimisht i riu me iniciale E.B. është sinjalizuar nga policia për të ndaluar por nuk i është bindur urdhrit.

Më pas ai është ndaluar në afërsi të vendit të quajtur “Guri i kuq” ku nga kontrolli në mjetin e tij tip “Jaguar” u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm.

Ai u kishte premtuar atyre kalimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”. U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasin e mësipërm i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip “Jaguar” dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit, nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar në afërsi të vendit të quajtur “Guri i Kuq”. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 19-vjeçari dyshohet se kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura