Investigimi/ U japin pagesa mujore fikse, si po i përdorin rrjetet kriminale të miturit si çirakë droge. Ja “zonat e nxehta” të Tiranës dhe rrëfimet prekëse të familjarëve

Oct 12, 2021 | 15:56
SHPËRNDAJE

Numrat në rritje të minorenëve të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike në Tiranë ekspozojnë një fenomen edhe më shqetësues të shfrytëzimit të tyre nga grupet e organizuara kriminale – të cilat në shumicën e rasteve nuk identifikohen dhe as ndëshkohen

droga droga

Natën e 26 nëntorit 2020, Valbona* u shtang kur hapi derën e shtëpisë dhe pa një grup policësh, të cilët i thanë se ‘çuni është kapur me drogë’.

Nënë e divorcuar e një djali 15-vjeçar, Valbona po përballej asokohe me orare të zgjatura në punë dhe me problemet e të birit me shkollën për shkak të numrit të lartë të mungesave.

Por ajo i tha BIRN se nuk e kishte kuptuar që problemet ishin shumë herë më të mëdha dhe se i biri ishte zhytur dyfish në botën e drogës; si përdorues dhe shitës i hashashit në Tiranë.

“Kam mbetur e habitur, e shashtisur. Unë për atë djalë jetoj,” kujton disa muaj më vonë Valbona – emri i ndryshuar i nënës së të miturit. “Frika ime ishin grindjet, por jo droga,” shtoi ajo.

Kur policia trokiti në derën e Valbonës, djali i saj ndodhej në komisariat, i sapoarrestuar me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim.  Ai u ndalua nga policia në zonën e quajtur “Katrori” në Laprakë me 3 qese farmaceutike me hashash në xhep dhe 5 qese të tjera, të fshehura në një vazo lulesh në hyrjen e një pallati aty pranë.

Gjatë intervistimit në polici, i mituri pranoi se ishte përdorues dhe shitës i lëndëve narkotike.

Ai rrëfeu gjithashtu se punonte për llogari të një anëtari të një grupi kriminal me rrogë fikse prej 10 mijë lekësh [82 eurosh] në muaj, por nuk pranoi asnjëherë që ta tregonte emrin e tij.

Djali i Valbonës është vetëm një nga minorenët e shumtë që shfrytëzohen nga rrjetet e organizuara kriminale për të shitur drogë në lagjet e mbipopulluara të Tiranës, në këmbim të joshjes me një grusht parash.

Sipas përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, grupet kriminale po targetojnë gjithnjë e më shumë fëmijë të ngjashëm, duke shfrytëzuar rrethanat e tyre sociale si dhe shmangien nga përgjegjësia penale për shkak të moshës së mitur.

“Kёta të mitur shfrytëzohen për shpërdarjen e drogës, por nё sasira shumë të vogla, siç janë kanabisi dhe heroina, duke i shtyrë edhe t’i provojnë këto lloje drogash,” tha prokurorja Elina Kondi, hetuese prej vitesh në seksionin e të miturve në Tiranë.

“Nëse ai rezulton përdorues, nuk mund të jetë subjekt i veprës penale,” shtoi ajo.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dosjeve gjyqësore dhe intervistave me zyrtarë të agjencisë ligjzbatuese tregojnë se përdorimi në masë i kanabisit nga minorenët dhe adoleshentët në vitet e fundit është një këmbanë alarmi dhe faktor kyç në nxitjen e tyre drejt rrugës së kriminalitetit.

Rastet hetimore të analizuara sugjerojnë se grupet kriminale i përdorin të miturit për vjedhje në këmbim të cigareve të hashashit ose shfrytëzojnë varësinë dhe nevojën për para për t’i rekrutuar ata në rrjetet e tyre të shpërndarjes.

Shqipëria është e gjithashtu e papërgatitur për t’u përballur me sfidën e kriminalizimit të të miturve dhe sipas ekspertëve, ndërmerr hetime të cekëta në çështjet ku ata përfshihen.

Në shumicën e rasteve, rrjetet e organizuara të drogës që nxisin dhe shfrytëzojnë përfshirjen e fëmijëve në krim nuk identifikohen dhe as ndëshkohen.

Një trend në rritje  

Shqipëria është një prodhuese historike e kanabisit si dhe vend tranzit për drogërat e forta si heroina dhe kokaina. Vendi kritikohet gjithashtu për eksportim të krimit të organizuar në Europë, mes së cilëve edhe grupmoshat e reja.

Me zgjerimin e ekonomisë së kanabisit, e cila e arriti kulmin në vitin 2016, një përqindje e konsiderueshme e popullatës u përfshi në krim përmes prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Shtetit, në hallkat fundore të ekonomisë kriminale të kanabisit janë përfshirë edhe të miturit.

Në skedarët e policisë, numri i të miturve të arrestuar apo hetuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Shqipëri thuajse u dyfishua nga viti 2018 deri në korrik 2021.

Policia arrestoi apo hetoi respektivisht nga 147 minorenë në vitet 2018 dhe 2019, ndërsa ekzaktësisht i njëjti numër u ndalua deri në korrik 2021. Në total, Policia e Shtetit arrestoi apo hetoi 332 minorenë për prodhim dhe shpërndarje droge në katër vitet e fundit.

Rreth 60% e minorenëve të arrestuar apo hetuar për shpërndarje të lëndëve narkotike u identifikuan në Tiranë – tregu më i madh i konsumit të drogërave të lehta dhe të rënda në Shqipëri.

Policia e Shtetit i tha BIRN se kishte identifikuar 16 “zona të nxehta” të tregtisë së drogës në kryeqytet, mes së cilave dy gjimnaze dhe sheshin “Nënë Tereza” në bulevardin kryesor të Tiranës.

Shqipëria promovon një drejtësi miqësore me të miturit dhe pak prej fëmijëve të arrestuar apo hetuar nga policia përfundojnë me dënime nga gjykatat.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, një institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë që kontrollon dënimet alternative, i tha BIRN se kishte trajtuar 705 të mitur në konflikt me ligjin nga viti 2018 deri në korrik 2021, por vetëm 52 prej tyre ishin të dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Sipas ekspertëve që punojnë me të miturit në konflikt me ligjin në Shqipëri, shifrat zyrtare përfaqësojnë vetëm ‘majën e ajsbergut’.

“Çdo muaj, rreth 70 minorenë përfundojnë në komisariatet e Tiranës si të dyshuar për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga grindjet mes bashkëmoshatarëve e deri tek përfshirja në rrjete kriminale më të zgjeruara si grabitjet apo shpërndarja e drogës,” tha Besmira Muçaj, psikologe pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Sipas Muçajt, të miturit intervistohen në prani të psikologes, një avokati dhe prindërve, por “ata nuk tregojnë se kush i përdor”.

Të dhëna shqetësuese vijnë edhe nga Instituti i Policisë Shkencore, i mbingarkuar në dy vitet e fundit me ekspertime të cigareve të hashashit apo sasive të vogla të kokainës që u kapen të miturve dhe të rinjve në Tiranë.

“Pёrditё, veçanërisht në dy vitet e fundit, nga Policia e Tiranёs dorёzohen mesatarisht katёr deri nё pesё prova pёr ekspertim kimik që janë me peshë të papërfillshme, ku përfshihet edhe ambalazhimi,” tha një punonjës i Institutit në kushtet e anonimatit.

Prokurorët e seksionit të të miturve dhe specialistët e Shërbimit të Provës konfirmojnë gjithashtu se fenomeni i konsumimit dhe shpërndarjes së drogës është një shqetësim konstat, që po prek adoleshentë dhe minorenë deri në moshën 12 vjeç.

Për shkak se legjislacioni shqiptar e ka dekriminalizuar përdorimin e drogës, shumica e çështjeve nuk ndiqen apo pushohen pas konfirmimit të akt-ekspertizave.

“Vetëm në dy vitet e fundit, të miturit dalin haptazi të përfshirë në përdorimin e lëndës narkotike, kryesisht kanabis. Kemi patur raste kur janё pёrdorues dhe shpёrndarёs dhe ata mbajnё doza tё vogla qё mos tё zbulohen nga policia dhe tё vlerёsohen si pёrdorues,” tha prokurorja e seksionit të të miturve, Elsa Kareçi.

Sipas specialistes së Shërbimit të Provës, Migena Koçollari, kanabisi nuk është droga e vetme ku përfshihen të miturit.

“Vihet re njё rritje e numrit tё tё miturve, jo vetёm tek nё histori hashashi, por edhe heroine dhe kokaine,” tha ajo.

‘Ata gjejnë më të dobëtit’  

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve hetimore tregojnë se grupet e organizuara kriminale targetojnë të rinj ose të mitur nga familje të varfra ose me probleme sociale dhe i punësojnë ata si çirakë të tyre me pagesa fikse, mujore ose ditore.

Zakonisht, grupe të tilla kontrollojnë shpërndarjen e hashashit në lagjet e kryeqytetit, por nuk mungojnë llojet e tjera të drogës si heroina, kokaina apo ekstazia.

Në një kafene në Tiranë, Valbona përpiqet të kujtojë metamorfozën e shpejtë të djalit të saj, i cili pas arrestimit nga policia nëntorin e kaluar, u dënua me vënie në provë për 2 vjet, me kushtin që të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Gruaja dyshon se i biri ka filluar të konsumojë dhe shpërndajë hashash që në moshën 14-vjeçare, kur nisi të bëhej nervoz dhe të qëndronte gjithë kohën me kokën në telefon.

Valbona thotë se u përpoq që të birit të mos i mungonte asgjë dhe përveç punës me orare të zgjatura në një lavanderi në Tiranë, kishte marrë edhe kredi për shkollimin e tij.

“Ata [kriminelët] gjejnë më të dobëtit,” tha Valbona për BIRN, ndërsa shtoi se do të donte shumë që t’i njihte dhe t’i zbulonte ata që e futën të birin në rrugën e drogës.

“E kam pyetur të më thotë emra, por këmbëngul se nuk e njeh atë person,” shtoi ajo.

Edvis Gorishti, avokat i disa të miturve në konflikt me ligjin i tha BIRN se policia mjaftohet shpesh me hetime të cekëta, pa mundur të identifikojë grupet e organizuara kriminale që fshihen pas të miturve.

Një nga shembujt tipikë sipas tij është hetimi i kryer për djalin e Valbonës, rast të cilin ai e përfaqësoi në gjykatë.

“Hetimi nuk ishte i thelluar dhe mund tё ishte bёrё punё mё e saktё me metodat speciale, se cili ishte personi qё e shtyu fёmijёn pёr tё shitur drogё. Fёmija ishte i punёsuar dhe nuk doli personi ose grupi kriminal,“ tha Gorishti.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizës së dosjeve gjyqësore tregojnë se minorenët prezantohen me rrjetet e shpërndarjes së hashashit fillimisht si përdorues dhe më pas rekrurohen si shpërndarës, të joshur nga mundësia për të bërë para.

Gjatë intervistave me policinë, ata përmendin shpesh si faktorë të nxitjes në krim vështirësitë ekonomike ose sociale të familjeve të tyre.

Një 17-vjeçar me nofkën “Çerri” u arrestua më 30 gusht në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë, ndërsa shiste hashash i ulur në një karrige ngjitur me murin e shkollës. Ai i tha policisë se punonte për llogari të dy djemve të rritur, të cilët i identifikoi si ‘menaxheri dhe pronari’.

I mituri shiste deri në 500 qese me hashash në ditë dhe bënte një xhiro ditore prej 250 mijë lekësh. Në fund të ditës, ai paguhej me 1% të xhiros ose 2500 lekë/ dita.

Ai i shpjegoi policisë se menaxheri i sillte furnizimin dhe mblidhte lekët në fund të turnit, ndërsa ‘pronari’ rrallëherë shfaqej në zonë. Por asnjëri prej të dyve nuk përfundoi në pranga.

Në dëshminë e tij, ai shtoi se kushtet ekonomike të familjes e kishin shtyrë të bëhej shpërndarës i hashashit në Tiranë.

“Serxhio [menaxheri] mё pyeti nёse doja tё filloja punё dhe duke qenё nё vёshtirёsi ekonomike, mbasi babai nuk punon dhe nёna ime nuk jeton, mё duheshin lekё,” i tha i mituri policisë.

“E kam bërë këtë punë se jam në borxhe si familje dhe më duhej të laja borxhet,” shtoi ai.

Lehtësi ligjore

Prej vitit 2017, Shqipëria aplikon një kod të ri të Drejtësisë Penale për të Mitur, që mbron të drejtat e minorenëve në konflikt me ligjin, përcakton dënime alternative ndaj tyre dhe e konsideron dënimin me burg si masën e fundit të mundshme.

Kodi i ri promovon gjithashtu rehabilitimin e minorenëve, por Shqipëria nuk ka ende një qendër/institucion që do ta mundësonte këtë proces.

Gjyqtarja Tereza Merkaj, e specializuar në trajtimin e çështjeve të të miturve në Gjykatën e Tiranës i vlerëson ndryshimet ligjore, por thekson gjithashtu se ato po shfrytëzohen nga të rriturit për t’i shtyrë minorenët drejt krimeve të diktuara prej tyre.

“Parashikime të tilla shfrytëzohen nga delinkuentët e rritur, të cilët përdorin të miturit për shpërndarje e shitje të lëndëve narkotike, për kryerje të vjedhjeve të ndryshme, apo krime të tjera, duke iu premtuar fitime,” tha Merkaj për BIRN.

Merkaj shtoi gjithashtu të miturit trajnohen që të mos i identifikojnë bashkëpunëtorët madhorë, të cilët i garantojnë ata se edhe në rast se kapen, nuk do të dënohen me burgim.

“Krimet kanë shtrirje kohore dhe vijojnë të kryhen nga i njëjti i mitur për llogari të një madhori, duke e vendosur në raport varësie. Kjo, sepse të miturit janë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm,” shtoi ajo.

Në raste të përsëritura, personat e liruar si përdorues të drogës janë rikthyer në radarët e policisë si shpërndarës të saj, por edhe si nxitës të të miturve në krim.

Një rast i tillë ishte një çështje hetimore e finalizuar më 16 qershor 2021, kur Policia e Tiranës arrestoi një grup prej 18 të rinjsh, të cilët shpërndanin hashash në zonën e 21 Dhjetorit – fare pranë komisariatit të policisë nr.2.

Ata u akuzuan për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike në bashkëpunim, për shkatërrim prone, moskallëzim krimi si dhe shtyrje e të miturve në krim – pasi dy prej shpërndarësve të identifikuar nga policia ishin nën 18 vjeç.

Sipas dosjes hetimore, i akuzuari kryesor është Arnaldo Cicaj, 27 vjeç, i cili e kishte nisur aktivitetin si një shitës i rangut të ulët të hashashit, por kur u fuqizua, “vendosi djem më të rinj që të shisnin për të”.

Grupi u ekspozua vetëm pasi i vendosi zjarrin makinës së një oficeri policie që banonte në lagjen ku ata shpërndanin –me qëllimin që të hakmerreshin dhe ta trembnin që të mos i denonconte.

Prokurorja Elina Kondi thotë se policisë shqiptare i mungon eksperienca në trajtimin e rasteve me të mitur dhe se në vend të ndalimeve, do duhej të bënin më shumë punë gjurmuese për të arritur tek organizatorët.

Ajo i tha gjithashtu BIRN se ndonëse e dinë se nuk do të dënohen, fëmijët janë shpesh të frikësuar dhe të kërcënuar kur përballen me policinë.

“Janë të frikësuar nga të rriturit, sepse gjithmonë kur këta i shfrytëzojnë, edhe i kanosin, i kërcënojnë pёr jetёn e tyre, me familjen dhe prandaj është e vështirë që të miturit të tregojnё se kush i shfrytëzon,” tha ajo.

Prokurorja Kondi thotë se ka ardhur koha që shteti t’u ofrojë garanci të miturve si dhe t’u ofrojë atyre mbrojtje reale gjatë proceseve penale.

Migena Koçollari nga Shërbimi i Provës bie dakord, ndërsa shton se Shqipëria nuk është ende gati për zbatimin e detyrimeve ligjore që kanë në fokus rehabilitimin e minorenëve.

Koçollari përmend mungesën e një qendre gjysmë të hapur, që do t’u mundësonte të miturve kryerjen e aktiviteteve edukuese apo kualifikime profesionale, gjatë kohës që gjenden nën shërbim prove.

“Kjo na ka krijuar probleme, se rastet qё ne kemi nёn shёrbim prove ёshtё e vёshtirё tё punosh me ta pa kёtё institucion,” tha ajo.

Edhe Valbona u detyrua të gjejë zgjidhje alternative për ta shpëtuar të birin nga varësia e drogës dhe grupet kriminale, ndërsa vendosi ta largojë atë nga Tirana. Mbështetjen e munguar nga shteti ajo e kompensoi me ndihmën e prindërve të saj.

“Kjo ishte zgjidhja ime,” tha Valbona me shqetësim, ndërsa shtoi: “më tepër sesa ligji them se gjyshërit do të jenë kërkues dhe do ta kontrollojnë”. /BIRN/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura