U infektua me COVID, deputeti u dërgua për mjekim në Turqi. Pas qëndrimit një ditë në spitalin “Shefqet Ndroqi”…

Aug 1, 2020 | 13:14
SHPËRNDAJE

Vetëm tri ditë pas lajmit se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Enver Roshi, është dërguar në Turqi për mjekim të specializuar.Enver Roshi-

Mësohet se gjendja e tij është përkeqësuar dhe pas qëndrimit një ditë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, ai është nisur mbrëmjen e së enjtes drejt Stambollit. Rasti i deputetit është rasti i dytë që niset jashtë vendit për kurim më të mirë ndaj komplikacioneve të shkaktuar nga COVID-19.

Ajo që ka ngjallur indinjatën e qytetarëve është fakti që një politikan nuk u ka besuar strukturave shëndetësore publike në vend. Por ky nuk është i vetmi shqetësim.

Mënyrat apo skemat e mjekimit që aplikohen janë një tjetër pikëpyetje e madhe. Në kushtet kur COVID-19 është një kërcënim global, pyetja që shtrohet është çfarë praktikash ndjekin spitalet tona dhe çfarë nuk shkon ashtu siç duhet që “personat VIP” drejtojnë sytë nga spitalet jashtë vendit si mundësi më e mirë për kurimin e tyre?

SITUATA NË SPITAL

Të dhënat tregojnë se përgjatë dy javëve të fundit është rritur shkalla e vdekshmërisë si pasojë e COVID-19. Edhe dje janë regjistruar 3 humbje jete, duke e çuar në 157 numrin e viktimave në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë.

“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet COVID, një 56-vjeçar dhe një 76-vjeçar nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 90-vjeçar nga Elbasani”, tha një ditë më parë Mirela Cami. Sakaq, në dy spitalet COVID ndodhen aktualisht të shtruar 115 pacientë, 16 janë në terapi intensive, 5 prej të cilëve pacientë të intubuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura