U hodh nga makina në Itali, babai i 20-vjeçares në lot: Duam trupin, ta shohim për herë të fundit…

Jun 15, 2018 | 14:32
SHPËRNDAJE

Anxhela Meçani mbylli sytë një herë e përgjithmonë, ndërsa familjarët e saj janë ende të shokuar nga lajmi i kobshëm që kanë marrë.

Edhe pse në një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë emisioni “Me zemër të hapur” në Neës24 do të flasë për këtë ngjarje të rëndë për t’i dhënë sadopak ndihmë familjes se 20-vjecares nga Fieri që nuk kanë mundësi të tërheqin trupin e vajzës.

Babai i saj, Dritan Meçani thotë se ajo është larguar nga shtëpia me një djalë dhe më pas nuk është kthyer më asnjëherë. Nuk ka mundur dot të kthehet në shtëpi edhe ditën kur nëna e saj u largua nga jeta, rreth 6 muaj më parë.

Dritan Meçani thotë se vajza ishte martuar me një shtetas italian, por nuk kishte dokumente që të mund të lëvizte lirisht. Pas lajmit tronditës në televizion dhe internet familja kërkon ndihmë që trupi të vijë në Shqipëri dhe të mund të shohin për herë të fundit bijën e tyre.

“Unë jetoj në një fshat të Gjirokastrës. Atë ditë që ndodhi ngjarja, shkova të mblidhja rigon. Fola në telefon me gjyshin e Anxhelës që më tha se ka ndodhur diçka, mblodha gjërat dhe ika në shtëpi. Më thotë vajza 14 vjeçe hajde shiko se çfarë është bërë. Shikoj telefonin…(qan) e pashë çfarë kishte ndodhur”, – tregon mes lotësh Dritani.

Në datën 9 qershor Anxhela është hedhur nga një makinë në ecje e sipër në qytetin e Torinos ku dhe jetonte, vetëm një ditë më pas ajo ka ndërruar jetë në spital krejt e vetme. Vajzës i është gjetur një dokument identifikimi në rrobat që mbante veshur por edhe telefoni celular, të cilin e kanë sekuestruar tashmë hetuesit.

Babai i saj thotë se Anxhela kishte ikur për herë të parë në Itali verën e kaluar dhe ishte kthyer në dhjetor pasi ai kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Më pas kishte ikur dhe nuk kishte ardhur as për vdekjen e nënës në janar.

“Ka ikur për herë të parë në Itali në gusht ose shtator të vitit të kaluar.
Kur mbërriti në Itali tha jam mirë, mos u bëni merak. Fliste një herë në 3 ditë, në 4 ditë, kishim komunikim të rregullt. Ajo ishte një vajzë shumë e qeshur. Nuk mbante zemëratë. Iku dhe erdhi në dhjetor. Erdhi në shtëpi me sjellje normale. Unë isha shumë sëmurë, nuk çohesha nga krevati se isha operuar për herë të dytë, kisha hequr një pjesë të madhe të stomakut. Anxhela më jepte kurajë”, tregon babai i 20-vjeçares, raporton “Balkanweb”.

I pyetur nëse familja ka pasur dijeni se Anxhela ka qenë e martuar me një shtetas italian, babai i saj thotë se e dinin që kishte lidhur kurorë me një shtetas të madh në moshë.

“Po e dinim, po nuk kishim pasur kontakt. Anxhela na ka thënë vetë. Në janar pasi më vdiq gruaja, vajza nuk erdhi dot se nuk kishte bërë dokumentet. E më tha që do bënte kurorëzimin. E di që ishte i madh në moshë. Por nuk e dinim që ishte ndarë. Vajza një ditë para vrasjes më mori në telefon se tezja kishte sjellë disa gjëra në Gjirokastër por nuk dallova asgjë në zërin e saj”, rrëfen babai i Anxhelës.

Ai thotë se nuk di me kë të komunikojë që të tërheqë trupin e vajzës që siç thotë ai ta shohin për herë të fundit dhe ta përcjellin në banesën e fundit. Por gjatë emisionit, një kompani funeralesh në Durrës ka ofruar ndihmën e saj për të tërhequr trupin e vajzës dhe për ta sjellë në atdhe për t’u varrosur në Fier, në fshatin Baltëz pranë familjarëve.

Ndërkohë që mediat italiane ngrenë dyshime se 20-vjeçarja punonte si prostitutë, gjyshi i Anxhelës thotë se nuk e dinin që ishte në punë, por vetëm se jetonte me një burrë të madh në moshë, të cilit edhe i shërbente.
“Kohët e fundit e kishte marrë pak veten dhe më bëhej qejfi, se ishin në gjendje shumë të keqe ekonomike”, thotë gjyshi.

Ndërkaq ka ndërhyrë në emisionin “Me zemër të hapur”, avokatja për të drejtat ndërkombëtare Natasha Shehu, e cila ofroi mbështetje nga Italia, në bashkëpunim me zyrën e avokatit Idajet Beqiri që familja të marrë dëmshpërblim për atë çfarë i ka ndodhur Anxhelës.

“Anxhela është dhunuar në mënyrë barbare, është keqtrajtuar dhe është hedhur në rrugë. Nisur nga ligji për të drejtat e njeriut, familjarët e saj kanë të drejtë të ngrihen në proces dhe të kërkojnë shpërblim për dëmet e shkaktuara për vajzën dhe gjendjen e saj. Çdo e drejtë që i përket familjes në emër të Anxhelës nuk duhet të shkojë dëm”, tha avokatja Shehu.

http://www.balkanweb.com/site/u-hodh-nga-makina-ne-itali-babai-i-20-vjecares-ne-lot-duam-trupin-ta-shohim-per-here-te-fundit/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura