U gjet i ekzekutuar pranë shtëpisë, dyshime për krim brenda familjes. Ç’treguan kamerat e sigurisë, policia thotë se …

Nov 15, 2019 | 21:11
SHPËRNDAJE

U gjet i ekzekutuar pak metra larg shtëpisë, dyshohet për krim brenda familjes. Kreshnik Dashaj dyshohet të jetë vrarë nga persona të afërt.

Viktima Kreshnik Dashaj
Viktima Kreshnik Dashaj

Të paktën ky është dyshimi kryesor i grupit hetimor, që po punon për zbardhjen e vrasjes së 38-vjeçarit, e ndodhur tri ditë më parë në lagjen “Kushtrimi”. Burime pranë këtij grupi mjaftohen me informacionin se vrasja mund të ketë ardhur për motive familjare, pa dhënë detaje të tjera.

Deri tani janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje mbi 10 persona, ndërsa në cilësinë e të dyshuarit nuk ka ende asnjë të ndaluar. Por, pikërisht mes personave të shoqëruar për të marrë në pyetje, ka dyshime se fshihet pikërisht edhe autori i vrasjes.

Policia e Vlorës tregohet mjaft e rezervuar në informacionet e përcjella për ngjarjen, por theksohet se janë shumë afër zbardhjes së të vërtetës. Referuar kamerave të sigurisë në fabrikë, burime nga Policia kanë konfirmuar se i riu ka lënë punën në mesnatë, për t’u larguar drejt banesës së tij në lagjen “Kushtrimi”.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës. Ndërsa trupi u gjet në orën 06:00 nga kalimtarë të rastit, të cilët lajmëruan Policinë. Gjithsesi, janë hetimet ato që do të zbardhin të vërtetën, pasi nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që gjithçka të ketë ardhur nga një tentativë grabitjeje.

Ceremonia për përcjelljen për në banesën e fundit të 38-vjeçarit është kryer në fshatin e tij të lindjes, Lubonjë. Banesa e Kreshnik Dashajt, ku jetonte me të afërmit dhe familjarët e tij, qëndron e heshtur, ndërsa në zonë edhe banorët shumë pak flasin për atë se çfarë mund të kenë dëgjuar apo ndodhur.

Herë pas here, në zonë vërehet prani e forcave të Policisë, ndërsa grupi hetimor që ditën e ngjarjes pas këqyrjes ka marrë ato çfarë ka mundur të gjejë në vendin e ngjarjes. Fqinjët e 38- vjeçarit, babai i një vajze 7 vjeçe, e përshkruajnë me fjalët më të mira 38-vjeçarin. Ata shprehen se nuk kanë dëgjuar asgjë të pazakonte dhe as krisma natën e ngjarjes.

“Njeri i mirë, i qetë dhe nuk kishim dëgjuar ndonjëherë për ndonjë problem. Shikonte punën e tij dhe nuk krijonte aspak probleme. Punonte deri në 16 orë në fabrikë për të ndihmuar financiarisht familjen e tij. Ka një vajzë 7 vjeçe, por nuk është se e njihnim më shumë se kaq, pasi ishte i qetë dhe nuk përzihej. Ne jemi lagje e qetë dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Natën e ngjarjes nuk kemi dëgjuar asgjë, as krisma, asgjë tjetër. Në mëngjes e kemi marrë vesh”, shprehet një prej banorëve të lagjes, duke shprehur tronditje për vrasjen.

Trupi i Kreshnik Dashajt u gjet i vdekur mëngjesin e së mërkurës pak metra larg banesës së tij. Fillimisht u raportua për një ngjarje për shkaqe natyrore, por më pas me ekspertizën e kryer rezultoi se kishte shenjë plumbi me armë zjarri dhe goditje në kokë me sende të forta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura