U filmua krah Haki Çakos gjatë përmbytjeve në Obot, ish-kandidatja e PS për Shkodrën mohon shkeljet zgjedhore: U takuam rastësisht! Më erdhi inat që…

Jun 28, 2022 | 11:56
SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve këtë të martë u shqyrtua denoncimi i Organizatës “Qendresa Qytetare”, ndaj ish-kandidates për bashkinë e Shkodrës, Majlinda Angoni, dhe kreut të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e 6 Marsit.

majlinda angoni

Angoni akuzohet në lidhje me praninë e saj në krah të kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë përmbytjeve të Obotit, kohë që përkon dhe me zhvillimin e fushatës elektorale.

Në mbrojtjen e saj ish-kandidatja e PS, deklaroi se ajo ishte takuar rastësisht me zotin Çako dhe se nuk kishte shkuar aty për të përfituar kredo politike.

“Unë për arsye të pozicionit që kam pasur, kam qenë gjatë 3 muajve të vitit në Obot për shkak të situatës së përmbytjeve. Numrin tim të telefonit e kanë të gjithë njerëzit aty. Më morën në telefon dhe shkova. Ndihma që duhet të japësh në ato raste të zhvesh nga çdo spalet që mund të kesh.

Krejt në mënyrë të rastësishme ne jemi takuar me zotin Çako për t’i ardhur njerëzve në ndihmë.

Nuk u bë asnjë ligjërim. Prezenca jonë ishte për të nxitur dhe marrjen e masave për ekzaminimin e dëmeve të menjëhershme. Janë disa koincidenca. Të kap vrulli emocioni t’i gjendemi njerëzve në vështirësi. Sa për dijeni ajo është një zonë aq e djathtë dhe po të shikoni votat janë të gjitha për kandidatin tjetër. Nuk është se media është thirr, mua më erdhi inat që kemi lënë mediat aty”, tha ajo.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, tha se takimi nuk mund të ketë kurrsesi rastësor, pasi aty ishte dhe kameramani për të filmuar takimin.

“Një eveniment që bën titullarët bashkë dhe mediat bashkë nuk është rastësore. Në një takim ku ndodhet kreu i Emergjencave, kandidatja për Bashkinë e Shkodrës dhe një nga mediat lokale, nuk është rastësore. Kameramani nuk vjen vërdallë kuturu në një zonë dhe u takua me këta të dy. Çdo gjë ka qenë e organizuar”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura