Kërcënoi me armë protestuesit, pezullohet shefi i Krimeve

May 6, 2015 | 6:07
SHPËRNDAJE

Pezullohet nga detyra shefi i Krimeve që nxori pistoletën para protestuesve për dritat në Kukës. Me një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit njoftoi se do të largohet përkohësisht nga pozicioni që mbante komisar Albion Xhitoni, bashkë me inspektor Shkëlzen Nezën. 

Gjate protestes se djeshme

Konfirmohet zyrtarisht se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarde nga punonjës të veçantë të Policisë. Policia e Shtetit e dha këtë deklaratë gati 24 orë pas ngjarjes në qytetin e Kukësit, kur shefi i Policisë nxori armën nga brezi dhe i hoqi siguresën në sy të protestuesve.

Një ditë më parë, tensionimi i situatës në Kukës u la në faj të banorëve që kërkonin heqjen e kamatëvonesave, ndërsa veprimi i shefit Xhitoni u argumentua me faktin që “protestuesit kanë tentuar t’i marrën armën e punës”. Ditën e djeshme reagoi dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzoi banorët e Kukësit se protesta e tyre ishte e paligjshme dhe e dhunshme, megjithatë pranoi pezullimin e shefit të Policisë për hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara.
“Pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme. Ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo”, tha Tahiri, duke shtuar se do të rishikohen aktet e procedurat se si duhet të veprojë policia gjatë tubimeve të tilla.

Mësohet se, për hetimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive, Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor për këtë rast. Shefi i Krimeve u fut mes protestuesve, i veshur civil, duke mbushur armën e zjarrit dhe duke lëshuar fyerje ndaj tyre.

NGJARJA SIPAS POLICISË
“Më datë 04.05.2015, rreth orës 11:00, si rezultat i thirrjes dhe nxitjes së kryer nga shtetasi Nderim Lushi, është organizuar një tubim i paligjshëm, i cili ka filluar në sheshin para Prefekturës në Kukës dhe pas rreth 45 minutash është zhvendosur drejt vendit të quajtur “Ura e Drinit të Zi” dhe konkretisht me objekt bllokimin e aksit hyrës në qytetin e Kukësit”, tha Policia.

Sipas njoftimit zyrtar, Lushi ka depozituar një kërkesë pranë Komisariatit të Policisë Kukës më 1 maj duke kërkuar leje për bllokimin e Rrugës së Kombit, por nuk është lejuar.

“Nderim Lushi është organizator i protestës së paligjshme, në shkelje të të gjitha ligjeve”, tha Policia, duke u shprehur se i riu është tashmë i arrestuar. Gjatë momentit të shoqërimit të Lushit, protestuesit kundërshtuan forcat e rendit, duke sjellë edhe reagimin e shefit të Policisë, Albion Xhitoni.

Banorët e Kukësit u tubuan paraditen e së hënës, për shkak se kërkojnë faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike. Sipas tyre, për shkak të gjendjes së vështirë social- ekonomike nuk bëjnë dot pagesat për OSHEE-në.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura