U dhunua për vdekje për mbledhjen e kanaçeve, për të arrestuarit vendoset që…

Aug 30, 2018 | 22:00
SHPËRNDAJE

KORÇE/ DHORJELA ÇULE/ Dyshohet se dhunuan për vdekje 56- vjeçarin, lihen në burg xhaxhai bashkë me dy nipërit. Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 45 ditë për Emiljano Nazifin, i dyshuar si autor i vdekjes së Nevruz Fiqit, 56 vjeç, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij të premten e kaluar. Përveç Nazifit, në burg janë lënë dhe Emiljano Nazif dhe Edison Nazif, të dy nga 30 vjeç. Këta tre persona dyshohet se më 23 gusht, në mbrëmje, kanë dhunuar për vdekje 56-vjeçarin Fiqi. Ky i fundit u gjet të nesërmen pa shenja jete në banesën e tij nga i vëllai.

korca

Pas hetimeve, Policia vuri në pranga xhaxhanë dhe dy nipërit e tij, pasi fqinjët deklaruan se kishin qenë pikërisht këta persona që ushtruan dhunë mbi 56-vjeçarin. Prokurori i çështjes kërkoi masën arrest me burg për tre të akuzuarit, pasi, sipas tij, viktima kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë dhe se vdekja e tij ka ardhur pikërisht nga ky shkak. Në fund, Gjykata pranoi një kërkesë të tillë duke dhënë masën arrest me burg me afat 45 ditë, kohë e cila do të shërbejë për caktimin e shkakut të vdekjes së 56-vjeçarit. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojnë se cili ka qenë shkaku i vdekjes së Nevruz Fiqit, i cili jetonte në qytetin e Korçës në një pallat 2-katësh i vetëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00 të datës 23 gusht, ku tre të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, në lagjen nr 8, kanë plagosur rëndë me grushte e shkelma shtetasin 56-vjeçarin, i cili, si pasojë e kësaj dhune fizike, dyshohet se ka gjetur vdekjen gjatë natës në banesën e tij. Policia nisi hetimet pasi në fytyrën e viktimës u konstatuan shenja dhune. 56-vjeçari fillimisht është konfliktuar me Emiljano Nazifin, person ky me precedentë penalë.

Burime nga Policia bënë të ditur se nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës janë konstatuar gjurmë gjaku dhe hematoma në fytyrë. Ndaj tre të arrestuarve, Prokuroria e Korçës ka ngritur akuzën “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura