U dënua me 30 vite burg për vrasjen e shokut, Islam Myrtaj i penduar dhe kërkon mëshirë!

Nov 25, 2020 | 16:17
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 vite burg të pandehurin Islam Myrtaj, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij te Kodrat e Liqenit Artificial.

I patitulluar

Ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2019, teksa viktima Haxhi Baçinozi kishte dalë për ecje bashkë me djalin e tij të mitur nga Kodrat e Liqenit.

Shkak për ngjarjen është bërë një borxh 45 mijë euro, që autori ia kishte marrë viktimës Haxhi Baçinozi. I pandehuri Islam Myrtaj u dënua për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ndërkohë, gjatë seancës gjyqësore i pandehuri është shfaqur i penduar dhe se ka kërkuar mëshirë nga gjykata. Vrasja e Baçinozit erdhi pas një konflikti mes dy shokëve, pasi viktima i kishte kërkuar Myrtajt t’i kthente borxhin prej 45 mijë eurosh. Më herët, Prokuroria kërkoi dënimin e 62-vjeçarit Myrtaj me 35 vite burg.

SHKAKU I VRASJES

Në dosjen e prokurorisë thuhet se viktima Haxhi Baçinozi i kishte dhënë mikut të tij Islam Myrtaj 45 mijë euro, por që kjo shumë nuk ishte shlyer ende. Ky borxh është bërë shkak i përplasjes fizike dhe më pas vrasjes së Baçinozit nga Myrtaj. Nga materialet që ndodhen në dosjen hetimore thuhet se dy ish-miqtë nga Mallakastra, Myrtaj dhe Baçinozi, janë shkëmbyer në një nga shëtitoret e Liqenit Artificial, ku mes tyre ka pasur një debat. Baçinozi i ka kërkuar sasinë e eurove Myrtajt dhe në debat e sipër ai i është drejtuar “…e ore shkërdh***, ti luan me lekët mia?…” dhe më pas dy ishmiqtë janë përplasur fizikisht, duke bërë që Myrtaj ta nxjerrë armën nga brezi dhe ta qëllojë Baçinozin plot katër herë duke e lënë të vdekur në vend. Islam Myrtaj është vetëdorëzuar më pas në Policinë e Tiranës duke shpjeguar edhe ngjarjen. Vrasja ka ndodhur në sy të djalit të viktimës, Elio Baçinozi, dhe shokut të autorit të krimit, Myftar Pasha.

DËSHMITË

Në dëshminë e tij dhënë në Polici, shoku i Islam Myrtajt ka pohuar se “më 16 mars 2019, rreth orës 16:30, kam dalë vetëm për një shëtitje te Liqeni Artificial. Në momentin që unë isha te Liqeni, më ka marrë në telefon Islam Myrtaj, i cili banon në të njëjtën lagje me mua, dhe më ka pyetur se ku isha. Unë i thashë që ‘jam te Liqeni’ dhe ai më tha që ‘po vij edhe unë’.

Dua të them se unë shpesh dal për ecje nga Liqeni dhe nja dy herë kam qenë së bashku me Islamin. Pas rreth gjysmë ore Islami erdhi dhe jemi takuar diku në mes të digës te Liqeni dhe ecëm në drejtim të Kodrave të Liqenit.

Pasi kaluam shkollën, Islami ndryshoi mënyrën e të folurit dhe qëndrimin e tij. Unë e vura re që ai u shqetësua dhe e pyeta se çfarë kishte dhe ai më tha se ‘… është një person nga mbrapa nesh me të cilin kam një problem, por më vjen keq pasi jemi bashkë…’. Përsëri e pyeta se çfarë problemi kishte dhe ai m’u përgjigj se ‘nuk ka asnjë problem, s’ka gjë, s’ka gjë…’. Pas disa metrash, konkretisht pasi kishim kaluar shkollën, një person rreth 60 vjeç, me kapuç xhuboksi në kokë, me ngjyrë të errët, me sa mbaj mend, të cilin unë nuk e njihja, u afrua dhe iu drejtua Islamit duke i thënë: ‘E, ore shkërdh***, ti luan me lekët mia?…’.

Në atë moment unë kam ndërhyrë, duke u thënë të qetësohen, pasi janë burra të mëdhenj e nuk ka lezet, por personi që ishte afruar dhe po fliste me Islamin, më tha konkretisht: ‘… a paguan ti për këtë?…’. Unë i thashë: ‘Jo, unë s’kam lidhje me këtë problem që diskutoni’. Në këtë moment personi gjuajti me grusht Islamin dhe Islami u spostua disa metra dhe në atë moment nxori një armë që unë nuk e kuptova ku e gjeti apo nga e nxori, dhe ka qëlluar një herë në momentin që ishte përballë meje dhe më pas dëgjova disa të shtëna të tjera, pasi u tremba dhe nuk po shikoja më çfarë ndodhi. Mbaj mend vetëm që kishte disa persona pranë nesh dhe morën në telefon Policinë, ndërsa Islami u drejtua për nga Kodrat sipër Liqenit, në mos gaboj, me drejtim nga Sauku”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura