U dënua me 10 vjet burg për marrëdhënie seksuale me të mitur, ekstradohet nga Athina 30-vjeçari nga Delvina

Mar 30, 2015 | 18:24
SHPËRNDAJE

Zyra Qendrore Kombëtare e Interpolit në Tiranë deklaroi ekstradimin nga Athina drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Besnik Banushi, i dënuar më parë me 10 vite burg për përdhunimin e një të miture.

Foto ilusttruese

Në një njoftim për mediat thuhet se 30-vjeçari nga Delvina është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, më datë 29.01.2013, e ka dënuar me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.

“Në muajin Gusht 2011, shtetasi Besnik Banushi është njohur me minorenen me inicialet DH.N.  Duke përfituar nga mosha e saj e vogël dhe pse e dinte që ajo ishte vetëm 13 vjeç, nën premtimin për martesë ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Besnik Banushi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”,-thuhet në deklaratën për media të Policisë së Shtetit. Ndërsa theksohet se në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura