U bë nënë dy vite më parë, Jona Spahiu reflekton dhe jep mesazhin për gratë

Sep 21, 2020 | 14:49
SHPËRNDAJE

Jona Spahiu u bë nënë e një djali dy vite më parë dhe që nga ajo kohë ka mësuar shumë gjëra rreth të qenurit nënë.

Moderatorja reflektoi për eksperiencën e të bërit nënë në një postim në Instagram, ku dha mesazhe të rëndësishme për gratë.

Ajo u shpreh se femrat janë të afta që bëjnë shumë gjëra, mjafton të ndihen të lira për të plotësuar dhe realizuar ëndrrat e tyre.

“Qëllimi është të ndihesh e lirë, e lirë të bësh rolin e prindit pa rregulla, e lirë të punosh dhe ëndërrosh pa justifikuar veten,”– shkroi Jona Spahiu në një postim në Instagram, që e shoqëroi me foto nga ditëlindja e djalit të saj.

Moderatorja u shpreh se femrat janë “të afta për shumë role, për shumë ëndrra dhe kjo nuk kërkon balancë, përkundrazi, kërkon lirinë për të besuar që mundeni pa qenë perfekte dhe të ekuilibruara.”

Postimi i plotë:

Kalova shumë kohë në fillim të mëmësisë për të arritur balancën. Midis mëmësisë, punës, kujdesit për veten, kujdesit për të tjerët… është e vështirë, e lodhshme, nuk është asnjëherë mjaftueshëm mirë, por ajo çfarë mësova është se balanca nuk më bën mua një nënë të mirë, shefe të mirë apo shoqe të mirë. Balanca nuk është qëllimi, sepse askush nga ne nuk manovron me pesha të barabarta.

Qëllimi është të ndihesh e lirë, e lirë të bësh rolin e prindit pa rregulla, e lirë të punosh dhe ëndërrosh pa justifikuar veten. E lirë për të bërë stërvitje, për të bërë një dush apo të udhëtosh pa u ndjerë fajtore. E lirë të duash partnerin tënd në një mënyrë që të bën të ndihesh sikur çdo version i vetes tënde është i pranueshëm. E lirë që të duash gruan që do të jesh, përkundër asaj që të tjerët duan të jesh…

Kjo është ajo që na bën më të mirat në çfarëdolloj roli që zgjedhim për veten tonë, sepse ato janë tonat. Ne jemi të afta për shumë role, për shumë tituj, për shumë ëndrra dhe kjo nuk kërkon balancë, përkundrazi, kërkon lirinë për të besuar se ne mundemi, pa qenë perfekte dhe të ekuilibruara.

   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura