“U arrit imuniteti i tufës?”/ Profesor Artan Fuga distancohet: Deklarata të nxituara! Akademia e Shkencave po bën gabim, merr përsipër…

Jan 16, 2021 | 19:44
SHPËRNDAJE

Profesor Artan Fuga, anëtari i Akademisë së Shkencave është distancuar, nga ajo çfarë është deklaruar një ditë më parë “se burime nga ky institucion thonë se është arritur imuniteti i tufës”.

Në një reagim, Fuga shprehet se i konsideruar ato deklarata të pambështetura mjaftueshëm për të qenë të besueshme.

Sipas Fugës, ato deklarata janë të nxituara dhe pa respektuar deontologjinë e kërkimit shkencor

Profesor Fuga thotë se “Akademia e Shkencave është duke bërë gabim sepse ka disa ditë që merr përsipër institucionalisht, çka nuk ndodh askund në botën e qytetëruar, të certifikojë, rezultatet e një studimi të bërë nga persona të veçantë që në fakt janë në të drejtën e tyre të hulumtojnë sipas asaj që mendojnë. Duke humbur neutralitetin e institucionit, Akademia e Shkencave për qëllimet e saj, i vendos vulën zyrtare këtyre studimeve individuale, pa pasur asnjë argument, asnjë kompetencë dhe asnjë të drejtë ligjore që të zyrtarizojë rezultate të caktuara kërkimesh individuale”.

Komunikim për mediat

 Distancim nga e quajtura « ARRITJE E IMUNITETIT TË TUFËS »  prej burimeve zyrtare të Akademisë të Shkencave

 Pas një kërkimi të bërë nga persona të veçantë mbi gjendjen e përhapjes të pandemisë të Covidit19 në popullsinë e Shqipërisë, dhe rezultateve që ata komunikuan ditët e fundit, nga burime që vishen me autoritetin e Akademisë të Shkencave, në ndonjë media, në datën 15 Janar 2021, u anoncua se është arritur « Imuniteti i Tufës » në lidhje me virusin në fjalë.

Përsa më sipër, si anëtar i asaj Akademie Shkencash, deklaroj distancimin tim personal nga deklarimet në fjalë, duke i konsideruar ato të pambështetura mjaftueshëm për të qenë të besueshme, metodologjikisht të pa vërtetuara me transparencën e kërkuar dhe të deklaruara me nxitim, pa respektuar deontologjinë e kërkimit shkencor.

Edhe gjatë vitit 2020, Akademia e Shkencave duke pretenduar se po përdorte metoda simulimi prediktiviteti shkencor, në gjysmën e parë të atij viti, deklaroi se sipas parashikimeve të saj pandemia do të vinte duke e ulur kurbën e potencialit të vet infektues brenda gjysmës të parë të vitit të kaluar. Në atë kohë jam distancuar nga këto parashikime që më janë dukur në erë sepse sikurse kam theksuar publikisht të dhënat e përdorura nga individë të veçantë të venë në punë me nxitim dhe në mënyrë amatoreske brenda Akademisë të Shkencave ishin edhe në atë kohë të pabesueshme dhe të pakonfirmuara shkencërisht. Nga ana tjetër, sikurse theksonin shkencëtarët më të mirë të kohës në botë, e gjalla, pra evolucioni dhe përhapja e virusit nuk mund të parashikoheshin matematikisht apo me simulime informatike sepse ai kishte shkallë të lartë spontaneiteti dhe pësonte ndryshime në përhapje nga njera fazë te tjetra.

Variablet e pavarura që ndikonin përhapjen e pandemisë ishin aq të shumta dhe aq të panjohura sa do të ishte një naivitet fëmijënor të pretendohej një parashikim si ai që koha e tregoi si fallcitet. Koha e vërtetoi se ky parashikim ishte i gabuar dhe do të kishte qenë me pasoja të rënda për shëndetin publik dhe ekonominë nëse do të ishte marrë në konsideratë seriozisht.

Pa u harruar ende ajo që ndodhi, pa iu kthyer në mënyrë kritike prediktimit të gabuar të mëparshëm, Akademia e Shkencave bën tani gabimin e radhës sepse ka disa ditë që merr përsipër institucionalisht, çka nuk ndodh askund në botën e qytetëruar, të certifikojë, rezultatet e një studimi të bërë nga persona të veçantë që në fakt janë në të drejtën e tyre të hulumtojnë sipas asaj që mendojnë. Duke humbur neutralitetin e institucionit, Akademia e Shkencave për qëllimet e saj, i vendos vulën zyrtare këtyre studimeve individuale, pa pasur asnjë argument, asnjë kompetencë dhe asnjë të drejtë ligjore që të zyrtarizojë rezultate të caktuara kërkimesh individuale.

E para, sepse, Akademia e Shkencave nuk duhet të angazhohet në përgjegjësira për të cilat në asamblenë apo seksionet e saj nuk ka në tërësi autoritete të mjaftueshme kompetente për t’i marrë përsipër. Historianë, filozofë, inxhinjerë, kimistë, etj., anëtarë të Akademisë të Shkencave, dhe të tjerë, veterinierë, agronomë, muzikanë, letrarë, etj., sigurisht nuk mund të certifikojnë studime nga fusha e epidemiologjisë për të bërë pastaj të mundur që Akademia e Shkencave të shprehej zyrtarisht si institucion. Unë distancohem këtej duke mos e konsideruar veten kompetent të certifikoj asnjë studim që del nga fusha ime e kompetencave shkencore. Nuk dua të ndodhi sikurse ka argumentuar Gustav Le Bon, një shekull më parë, që edhe një grup akademicienësh kur dalin nga fusha e tyre e kompetencave,  përbëjnë një turmë po aq irracionale sikurse çdo turmë tjetër në rrugë. Por, Asambleja fatmirësisht nuk ka certifikuar asgjë nga këto që deklarohen.

Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave nuk ka ndërmarrë asnjë procedurë oponence ndaj rezultateve të studimit në fjalë, që do të ishte më e pakta detyrë e vet institucionale.

Në deklaratën e vet për mediat ku Akademia e Shkencave zyrtarizon rezultatet e një studimi të bërë nga persona të veçantë, ajo deklaron se duhen muaj që të shkruhet raporti përfundimtar i studimit duke u nxituar pra të paraqesi të dhëna të pastrukturuara nëpërmjet arsyetimeve të plota shkencore dhe të panënshtruara gjykimit publik, që është kërkesa e parë e një shkence të vërtetë transparente dhe të besueshme.

Për më tepër, duke u bazuar në të dhëna shumë të diskutueshme në planin metodologjik, burime jashtë çdo kompetence institucionale, duke humbur cdo neutralitet institucional, dhe që paraqiten si burime zyrtare të Akademisë të Shkencave, deklarojnë në media pa përgjegjësinë e duhur qytetare dhe deontologjike se është « arritur i famshmi imunitet i tufës ». Sikur kjo deklaratë të vinte nga persona të veçantë kompetentë do të ishte gjysma e së keqes. Por kur kjo deklarohet zyrtarisht, atëhere përgjegjësia e çdo anëtari të Akademisë të Shkencave është individualisht dhe kolektivisht tejet e rëndë për të heshtur.

Kjo deklaratë bëhet sikundër u tha bazuar në një kërkim që ende nuk i ka kaluar fazat e besueshmërisë, pa oponencë dhe të papranuar ende nga komuniteti i njerëzve të shkencës apo i shërbimeve mjeksore në këtë fushë.

Aq më tepër asnjë vend sado i përparuar në teknologji dhe në dijet dhe infrastrukturat mjeksore nuk ka arritur të deklarojë kompetencën e vet për ta shpallur një gjë të të tillë. Vende europiane të zhvilluara sot kanë përforcuar masat mbrojtëse përpara variantit anglez dhe atij afrikano-jugor të virusit që kërcënojnë me një shkallë edhe më të lartë infektimi.  Askush nuk e di se sa kanë mundësi mbrojtëse për organizimin njerëzor antitrupat e prodhuara te ata që e kanë kaluar sëmundjen e Covid 19. Pas një kohe nuk përjashtohet që ata të jenë përsëri pa imunitetin e duhur. Edhe sikur 50 përqind e popullsisë të jetë përkohësisht e imunizuar, 50 përqind të tjerët rrezikojnë të sëmuren, duke na shkaktuar qindra vdekje, pasoja shëndetësore që ende nuk dihet se cilat janë në mënyrë të plotë.

« Arritja e imunitetit të tufës » që merr përsipër pa asnjë kompetencë instituccionale Akademia e Shkencave është një fakt që sot as mund të provohet dhe as mund të hidhet poshtë, pra sipas teorive të falsifikacionizmit të përpunuara nga filozofia e shkencës nuk përbën një fakt shkencor, dhe i ka të gjitha rrugët e hapura për t’u shëndruar në një « fake news » me veshje shkencore.

Prandaj deklarime nga burime zyrtare të Akademisë të Shkencave për krijimin e « imunitetit të tufës » janë të pabesueshme, të hedhura në mënyrë të pavërtetuar shkencërisht, dhe të dëmshme për politikat e ruajtjes të shëndetit publik.

Kështu ndodh kur informacioni shkencor integrohet në strategji marrëdhëniesh publike në shërbim të një institucioni. Në vend që Akademia ee Shkencave të hapet drejt instituteve dhe komunitetit të mjekëve të vendit, drejt shërbimeve të specializuara, për të bashkëpunuar me to, ka zgjedhur rrugën e anoncimeve që nuk përmbushin kriteret shkencore.

Rruga e drejtë do të ishte pikërisht që pushteti publik të mobilizonte komunitetin shkencor dhe të shërbimeve të specializuara për të diagnostikuar me seriozitet, jashtë qëllimeve joshkencore, gjendjen e epidemisë në vend. Ne na duhet të shtojmë të gjitha procedurat e testimeve, si edhe të respektojmë masat mbrojtëse, duke bërë çmos që të ndjekim rrugën e kombeve të përparuar për të zotëruar mundësinë e një vaksinimi vullnetar, të besueshëm, transparent sikundër vaksinimi kundër gripit, poliomelitit, difteritit, etj., kanë shpëtuar dhe vazhdojnë të mbrojnë miliarda njerëz në botën e sotme.

Ju faleminderit !

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura