U kap pas 5 vitesh arrati, si u mor informacioni për vendndodhjen e ish-shefit të policisë! U transportua në Tiranë për…

Aug 11, 2022 | 23:52
SHPËRNDAJE

Policia e Beratit ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e ish-shefit të Policisë në Dhërmi, Sokol Bode, i lidhur me grupin e Habilajve për trafikun e drogës.

sokol bode

Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se 43-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Uznova”, ndërsa theksohet se informacioni për vendndodhjen e tij u sigurua në rrugë policore.

Po ashtu, blutë e Beratit theksojnë se ai është transportuar në Tiranë, pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, për veprime të mëtejshme.

Mbi ish-shefin e policisë rëndojnë akuzat: “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Njoftimi i policisë

Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim.

Finalizohet nga strukturat e DVP Berat, operacioni policor i koduar “Uznova”.

Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Strukturat e DVP Berat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Uznova”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen “Uznovë”, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit:

– S. B., 43 vjeç, banues në Berat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Shtetasi S. B. është transportuar në Tiranë, pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, për veprime të mëtejshme.

Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejëshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura