U arrestua nga Sigurimi i Shtetit/ Dëshmia e rrallë e gazetarit të njohur për ‘demonstratën e heshtur’ të ’89-s: Dalja e Kadaresë me Helenën na dha shpresë. Akti më madhor i tyre ishte…

Mar 31, 2021 | 21:09
SHPËRNDAJE

Më 28 janar të vitit 1990 kur në Tiranë u tentua të organizohej një demonstratë e heshtur kundër regjimit komunist në Sheshin “Skënderbej”, ku Sigurimi i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme të asaj kohe, arrestoi pjesën më të madhe të organizatorëve të saj. Si një nga pjesëmarrësit në këtë protestë, gazetari i njohur Reiz Çiço, ka rrëfyer një histori të panjohur nga jeta e tij, atë të arrestimit.

Demonstrata

Reiz Çiço, tregoi se pasoi refuzoi të shkonte në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha”, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe pasi u lirua nga ushtria, me ndihmën e gjeneral-major, Mendu Backa, (asokohe Drejtor i Drejtorisë së Xhenjos dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore), mundi që të fitonte të drejtën për të ndjekur shkollën e lartë në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua me rezultate të larta.

Më pas, me ndihmën e mikut të babajt të tij, Todi Bozo, nëndrejtorit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, Çiço arriti që të punësohej në atë institucion, ku fillimisht punoi si asistent operator dhe pas një kursi specializimi, fitoi të drejtën që të punonte si operator dhe regjisor në Kinostudio. Aty nga viti 1989, Çiço tregoi se në bashkëpunim me mikun e kolegun e tij, regjisorin Xhovalin Hajati, vendosën të realizonin një film-dokumentar, ku do paraqisnin gjendjen e mjeruar ekonomike ku ndodhej Tirana e asaj kohe. Pasi morën miratimin për realizimin e dokumentarit nga shefat përkatës të Kinostudios, ata filluan nga puna, duke xhiruar kudo nëpër Tiranë, ku mjerimi ishte ulur këmbëkryq.

Kështu ata arritën të xhironin lypsat në qendër të kryeqytetit para Hotel “Tirana” që u kërkonin lëmoshë atyre pak klientëve të huaj dhe vendas që hynin e dilnin aty, radhat e gjata të njerëzve me bidona vajguri dhe me shishet e qumështit në orët e para të mëngjesit, dyqanet e bukës, bulmetoret dhe ushqimoret me raftet bosh, ku njerëzit shtyheshin për të blerë racionin me tollon, dhoma spitali me të sëmurë që shtriheshin në susta krevati pa dyshekë, ku kuzhina dhe lavanteria e tij dukeshin si vend hedhje mbeturinash, shkolla me dritaret pa xhama e suva të rëna, hallexhinj të komunitetit rom që si hamej prisin para dyqaneve të ngarkonin ndonjë mobilje në karrocat me kuaj, autobusë prodhim Shkodra që gati batoheshin nga pesha e udhëtarëve, kamionë transporti materialesh ndërtimi në rrugët kryesore të kryeqytetit me karroceritë e tyre të mbushura me njerëz, etj., etj.

Dhe në kontrast me atë panoramë të mjerueshme deri në dhimbje, ku ishte katandisur Shqipëria Socialiste e asaj kohe dhe kryeqyteti shqiptar gjithashtu, Çiço me kameran e tij, regjistroi shtëpinë madhështore të Enver Hoxhës e vilat e tjera të Bllokut të udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe. Për realizimin e atij dokumentari ku nuk kishte shumë nevojë për tekst, pasi pamjet flisnin vetë, Çiço tregoi se së bashku me kolegët e tij të grupit të xhirimit, si Hektor Pustina, Kujtim Beqiri etj., u përball dhe me vështirësi të mëdha, pasi Kinostudio e asaj kohe nuk kishte më fonde dhe mundësi teknike për përfundimin e atij dokumentari.

Po kështu krahas problemeve të atij institucioni që po shkonte drejt shpërbërjes ashtu si gjithçka tjetër në Shqipërinë e asaj kohe që po shkonte në agoni, Çiço tregoi se ai dhe kolegët e tij të grupit të xhirimit, u përballën edhe me zemërimin e disa fanatikëve apo njerëzve të Sigurimit të Shtetit, të cilët nuk i lejuan të filmonin në orët e para të mëngjesit në radhët e qumështit, madje duke i kërcënuar me dhunë fizike dhe duke iu thyer edhe ndriçuesit.

I pyetur nga dy gazetarët e emisionit, Çiço tregoi se në atë kohë, një pjesë e stafit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, (ku spikasnin Spartak Papadhimitri, Ilir Demalia, Hektor Pustina, Kujtim Beqiraj, etj.) ishte kthyer në një ‘celulë’, e cila nga kontestuese, tashmë po kalonte në kritikuese e hapur dhe disidente me regjimin në fuqi, duke grisur publikisht gazetën “Zëri Popullit”. Po kështu në janarin e vitit 1990, Çiço tregoi se ai dhe kolegët e tij të atij grupi kineastësh, filluan të merreshin me organizimin e ‘demonstratës së heshtur’, që u vendos të bëhej me datën 28 janar në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Por ata ishin ndjekur nga Sigurimi i Shtetit dhe një ditë më parë, më datën 27 janar, Sigurimi i Shtetit arrestoi Kujtim Beqirin dhe më pas edhe vetë Reiz Çiçon në shtëpinë e tij, në Rrugën e “Kavajës”. Çiço kujtoi i përlotur momentin e arrestimit të tij nga Sigurimi i Shtetit, duke treguar se nënës së tij i ra të fikët dhe u shemb në tokë pa ndjenja, kur pa djalin e vetëm që ia rrëmbyen me forcë, njerëz të panjohur, që nga veshjet kuptoheshin se ishin të policisë sekrete (Sigurimi i Shtetit), të regjimit komunist.

Çiço tregoi se atë e mbajtën 17 orë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, duke e marrë në pyetje oficerë të Sigurimit dhe hetues të ndryshëm, të cilët i bënin presione psikologjike me forma nga më të ndryshme, duke i thënë të tregonte se kush ishin organizatorët e asaj demonstrate që pritej të bëhej në Sheshin “Skënderbej”. Çiço u shpreh gjatë emisionit, duke thënë se ai nuk pranoi asgjë nga ato që akuzohej, edhe pse ata që e pyesnin ishin në dijeni të plotë dhe kishin informacione të sakta deri në detaje, për gjithçka ndodhte në Kinostudio, siç ishte grisja publike e gazetës “Zëri i Popullit” në sheshin kryesor para zyrave të Kinostudios. Çiço tregoj se ai nuk pranoi asgjë, madje duke hyrë në rol dhe duke bërë të paditurin, (duke u thënë hetuesve; “Ju nuk më armiqësoni dot me këtë pushtet, që babai im ka luftuar si partizan në Brigadën e VI Sulmuese”), aq sa ata shikonin njeri tjetrin në sy, se mos vërtet e kishin arrestuar kot.

Pasi Çiço kërkoi ballafaqim me ata që “e kisin akuzuar kot” dhe njeriu që sollën në qelinë e tij tha se nuk e njihte fare atë, ata e liruan nga qelia, duke i thënë që të shkonte në shtëpi dhe duke e kërcënuar se: ‘për gjithçka kishte ndodhur, të mos fliste me njeri, se ndryshe do ta arrestonin prapë dhe nuk do ta lëshonin më’. Çiço tregoi se, pasi u lirua, ai shkoi në Sheshin “Skënderbej”, ku pritej të dilnin njerëzit për demonstratën e heshtur, ku gjithashtu forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me trupat speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Sigurimi i Shtetit, kishin marrë masat për ta parandaluar atë gjë. Por edhe pse në atë situatë, Çiço tregoi se atë ditë, sheshi ishte mbushur plot me njerëz dhe dalja aty e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare me bashkëshorten, Helenën, ishte një ngjarje e madhe, që atyre iu dha shpresë, pasi tregonte se tashmë ishte vrarë frika.

Në ato momente që gazetari dhe moderator i njohur, Reiz Çiço tregonte për demonstratën e heshtur dhe Kadarenë, drejtuesi i emisonit, Dashnor Kaloçi, nxorri një dokument arkivor, duke e treguar para kamerave, ku ishte një letër e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, (që mbante datën 6 maj të vitit 1990), e cila i drejtohej Ramiz Alisë, ku Kadare denonconte pikërisht dhunën fizike dhe psikologjike që ishte ushtruar ndaj punonjësve të Kinostudios “Shqipëria e Re”, duke përmendur emrat e Reiz Çiços, Hektor Pustinës dhe Kujtim Beqirit. Pas tyre, Kadare denonconte disa raste të tjera, siç ishte dhuna ndaj piktorit nga qyteti i Kavajës, Fatmir Musai, që ishte arrestuar dhe keqtrajtuar, duke i bërë presion për veprimet e vëllait të tij.

Po kështu, gazetari Kaloçi në studion e emisionit Memorie, lexoi disa paragrafë të asaj letre, ku shkrimtari i njohur Ismail Kadare, denonconte te Ramiz Alia dhunën dhe veprimet arbitrare që ushtronin ndaj qytetarëve të thjeshtë e të pafajshëm, disa nga kuadrot kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sigurimit të Shtetit, Prokurorisë dhe Hetuesisë, si: Zylyftar Ramizi (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendëshme), Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Dilaver Bengasi ish-Kryehetues i Tiranës dhe Drejtor i Policisë, Sokol Koleka, hetues në Hetuesinë e Tiranës etj. Po ashtu, drejtuesi i emisionit Kaloçi, tregoi para kamerave edhe disa paragrafe ku shkrimtari Ismail Kadare, denonconte edhe disa prej anëtarëve të Byrosë Politike, si Spiro Koleka, që ishte në një komision parlamentar, ku kontrollonte punën e hetuesisë ku ishte shef i biri i tij, Sokol Koleka, etj.

Pas kësaj, gazetari dhe moderatori i njohur Reiz Çiço, tha se ishte në dijeni të asaj letre që gazetari Kaloçi po e publikonte për herë të parë në një emsionin televiziv dhe u shpreh se: “Ajo letër që shkrimtari i njohur Ismail Kadare i’a drejtonte Ramiz Alisë, përveç daljes në ‘demonstratën e heshtur’, ishte një akt tjetër madhor i tij, ashtu si dhe vepra e tij letrare ndër vite, që pritej me padurim nga rinia e inteligjienca shqiptare, duke qenë një inspirim për ata dhe duke iu dhënë shpresë për ndryshimet politike në Shqipëri.

Në fund të emisionit, Çiço tregoi se pothuaj e gjithë puna për realizimin e atij dokumentari, u bë privatisht nga grupi realizues, ai u detyrua ta mbaronte i vetëm, pasi kolegu i tij, Xhovalin Hajati, në korrikun e vitit 1890 u largua familjarisht nga Shqipëria me ambasadat dhe ato pamje të fiksuara me kamerën e tij, janë një dëshmi e gjallë edhe për brezat që do vijnë, që tregojnë më së miri se ku e çoi Shqipërinë vija politike e Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alisë. Po kështu, Çiço tregoi se disa pasazhe nga dokumentari i tij janë shfaqur dhe bërë objekt në emisione të ndryshme në televizione të huaja, si RAI, etj. ( Dashnor Kaloci, Artjan Tepelena Tv Scan)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura