U arrestua në vend të Viktor Gushit: Dua dëmshpërblim

Jun 13, 2013 | 13:48
SHPËRNDAJE

TIRANE – Nexhat Mulaj, kosovari që u arrestua gabimisht në vend të Viktor Gushit, si autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj në vitin 2011, rikërkon kompensim për burgim të padrejtë. Ai i është drejtuar për të dytën herë me të njëjtën kërkesë Gjykatës së Tiranës, për shkak se kjo e fundit më 2 maj 2013 pushoi kërkesën e bërë prej tij në vitin 2012. Në padinë e parë, Mulaj kërkonte 100 mijë euro dëmshpërblim për dënimin që i ishte shkaktuar nga arrestimi dhe mbajtja në qeli. Padia e dytë e kosovarit është regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 10 qershor 2013. Përmes saj, Mulaj i kërkon Gjykatës të detyrojë Ministrinë e Financave ta kompensojë në shumën 300 mijë lekë për qëndrimin e tij të padrejtë në qeli për 60 ditë. Njëkohësisht ai kërkon caktimin e një eksperti për të përllogaritur dëmshpërblimin moral ndaj tij. Kërkesa e kosovarit Mulaj pret të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Bledar Abdullai. Bëhet e ditur se kosovari Mulaj kërkon dëmshpërblim, me pretendimin se për shkak të arrestimit të tij dhe akuzave të paqena, nëna e tij ka kaluar një parainfarkt kardiak dhe gruaja e tij shtatzënë ka dështuar fëmijën që priste. Nexhat Mulaj u arrestua më 28 tetor 2011, si i dyshuar për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor të vitit të kaluar. Gjykata caktoi ndaj tij masën “arrest me burg” me afat 30 ditë, masë që u shty edhe me 30 ditë të tjera. Ai u lirua nga qelia më 23 dhjetor 2011, ndërsa vrasja për të cilën akuzohej Mulaj, u pranua nga Viktor Gushi pas arrestimit të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura