“U arratisa se më mohuan…”/ Rrëfimi Mustafa Korçës: Me kallashin në dorë kalova gardhin kufitar! Çfarë ndodhi me familjen në Tiranë

Mar 25, 2021 | 23:45
SHPËRNDAJE

Muc KorcaNGA UVIL ZAJMI

Ajo nuk ka qenë një arratisje si të tjerat. Sigurisht, e bujshme si të gjitha në atë periudhë, për sfidën, guximin, mënyrën, mbi të gjitha për alarmin, goditjen që i jepte kjo ngjarje shtetit prepotent, agresiv, izolues dhe diktatorial.

Por, ajo e Muç Korçës ishte ndryshe: Një djalë i ri 21- vjeçar, artist, skulptor, arratiset duke braktisur pikën kufitare, piramidën, ku e kishin caktuar të kryente shërbimin ushtarak. Lajmi befasues u përhap me shpejtësi: “Është arratisur… ka ikur Muç Korça. Ka lënë edhe një letër”. Sot, pas afro gjysmë shekulli, Mustafa Korça (Muçi), i rikthehet asaj ngjarje, çastit kur mori vendimin, letra që la pas, kalimi i kufirit, duke u gdhirë 21 dhjetori i vitit 1978. “U arratisa se më mohuan të drejtën e studimit”, thotë për gazetën “Panorama”.

letra ok

Ai rrëfen qëndrimin në Jugosllavi, Itali, Belgjikë, jeta në Suedi, pastaj në SHBA. Dëshira për të takuar lojtarët e “Partizanit” në Malmo, valltarët e Ansamblit në Hamburg dhe kur në Goteborg u ndesh me shoqëruesin e djalit të Enver Hoxhës. Ruan ende letrat, dokumente, foto të rralla të kohës. Nuk ka ndryshuar, është ai Muç Korça i qetë, me një gjykim e arsyetim të matur. “Para ca kohësh isha në Resnje, qyteti ku qëndrova pas arratisjes. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë”, tregon për gazetën.

Z. Korça, ju kujtohet cila ishte atmosfera në Shqipërinë e viteve ‘70?

Pas viteve ’70, shpresat drejt Europës u mbyllën për të gjithë, veçanërisht për rininë, ëndrrat e saj. Izolim total, situata ekonomike, ajo politike është agresive, më e rënduar se kurrë. Në veçanti, lufta kundër shfaqjeve të huaja, ndihej në të përditshmen, punë, shkollë, kudo.

Ju keni kryer Liceun Artistik, por nuk ju lanë që të diplomoheshit, çfarë ngjau?

Nga 1971 deri më 1975, vazhdova Liceun Artistik “Jordan Misja”, në degën e skulpturës. Isha ndër më të mirët e klasës, bashkë me Agim Mujon. Pak muaj para diplomimit pati një ngjarje, më dënuan për sjellje liberale, shfaqje të huaja, isha tip i hedhur, i shkathët, modern. Këtë më nxorën si pretekst, edhe pse kisha bërë gati etydin si mbrojtje diplome, por nuk më lanë ta mbroja. Një egoizëm i pashoq nga drejtori Ruhi Pashari. M’u bë një padrejtësi e madhe, pa asnjë arsye. Dhe kulmi ishte kur më caktuan në Mirditë si disenjator. Një emërim absurd, vetëm me shkollën e mesme, pa marrë diplomë, që ishte veprim ilegal. Dy ditë qëndrova në Rrëshen, në Shtëpinë e Kulturës, dhe u ktheva në Tiranë. Kujtoj një drejtues, Gojard Daia, njeri i mirë, më ka ndihmuar të më merrja dokumentet.

Muc Resnja botim

Si filluat punë si skenograf në Teatrin e Operës?

Që të nisja punë në Teatrin e Operës dhe Baletit, në vitin 1976 më ka ndihmuar drejtori Xhemil Simixhiu, njeri fisnik, liberal, që në mjaft raste më ka mbrojtur nga sulmet e Sekretarit të Partisë. Babai kishte punuar shumë vite si rrobaqepës aty dhe më 1976 ishte ndarë nga jeta. Punoja si skenograf bashkë me piktorë të njohur si H. Devolli, Gj. Marko, N. Progri e K. Dilo. Kam realizuar skenografinë e baletit “Tokë e pamposhtur”, “Karnavalet e Korçës”. Gjatë asaj periudhe, punoja edhe me relieve të sfondeve të sallave të kongreseve, me polisterol, ku isha bërë profesionist.

E megjithatë, ju priste edhe shërbimi ushtarak apo jo?

Isha 21 vjeç, shtator 1978, papritur më vjen fletëthirrja për të kryer shërbimin ushtarak. Në mënyrë flagrante nuk më lanë kohë as të ankohesha, një formë për të më mbyllur gojën, e larguar. Gjithçka brenda pak ditëve, në Korçë, ushtar, 27 muaj në kufi. Ishte befasi nuk e prisja as unë, as familja. Tre muaj karantinë u mërzita, një tronditje e madhe psikologjike. Më caktuan në Nikolica në kufi me Greqinë, që ishte zona më e keqe. Si dënim, pasi nga Tirana për mua kishte ardhur një relacion jo i mirë. Reagova dhe para se të niseshim vjen një ushtarak, Kapllan Mati. “Ushtar Korça,-më urdhëron,-do të shkosh në Goricën e Madhe. Vetëm një muaj, pastaj do të vish si disenjator në degën ushtarake në Korçë”.

Ndërkohë, e kishit menduar që do të arratiseshit?

E kisha ndarë që do të arratisesha, por kurrë diskutuar me njeri, miq, shokë madje as të familjes. Kisha folur vetëm me një shok, Ilir Melo, edhe ky nga Tirana. Iliri ishte djalë i pashëm, me të atin ambasador, kishte lindur në Çeki. U bëmë shokë në ato muaj, iu hapëm njëri-tjetrit, kishim të njëjtin mendim, të arratiseshim. Pas një jave, kur unë u arratisa e kishin thirrur ata të Sigurimit: ke folur me të, Çfarë keni diskutuar, të ka thënë se do të arratisej, e kishin pyetur. “Jo,-i ishte përgjigjur ai,-asnjëherë nuk kemi diskutuar për një gjë të tillë”.

muc shkup 79

E keni takuar më pas?

Me Ilirin, pasi të arratiseshim kishim lënë të takoheshim në Paris, një ndër netët kur hëna të ishte e plotë, takime futuriste, fantazi e moshës. Por, kur na ndanë qëlloi që ai nuk ishte në pikën time. Unë ika, ai nuk mundi. Sot, Iliri ndodhet në SHBA dhe më 1996, në Nju Jork në një kafe, rastësisht i kishin folur për mua, kishte pyetur dhe u takuam. U përqafuam. “E shini këtë burrë,- u tha miqve që ishin aty,- vetëm unë e kam ditur që ky do të arratiset”. Aty më tregoi Çfarë kishte ndodhur kur unë iu arratisa.

A shkuat në Goricë të Madhe?

Na hipën në një automjet dhe na çuan në pikën kufitare, rreth 1 orë larg Korçës, Goricë e Madhe. Si ushtarë të rinj, na shoqëruan të shihnim brezin kufitar, klonin, duke na ngjitur në Malin e Thatë. Na informuan për kushtet e shërbimit, ku dhe si do të kryhej. Kishte disa të tilla: “Shërbim sekret”, ai me lëvizje në brezin kufitar dhe “Shërbim pike”. Më dhanë armën dhe 300 fishekë. Aty ishim rreth 15 ushtarë.

Si u arratisët?

Ora 4 e mëngjesit mora shërbimin, ishte i pari, “Shërbim pike”, natë, i vetëm, mendoni… nga Tirana, roje në kufi. Ishte 21 dhjetor, rreth orës 05:00, ende pa u zbardhur, pak mjegull, ftohtë… Vendosa të arratisem. Braktisa shërbimin, kujtoj piramidën e shkruar në dy faqe dhe me kallashin në dorë kalova gardhin kufitar që ishte i ulët, 1 metër. Kur na patën treguar zonën, e kisha fiksuar duke u orientuar me pikën kufitare jugosllave, rreth 300 m larg. Ndoqa një rrugë të drejtë me zhavorr, zbritje, asnjeri, deri kur filloi asfalti. Stenja ishte fshati më i afërt, rreth 1 km. Në pak çaste e kisha kaluar kufirin, ndodhesha në Maqedoni. Isha i mpirë, më shkonin djersë të ftohta, emocion, por jo frikë.

E dije ku po shkoje, fshati, zona se cila ishte më afër?

Në Stenjë, stacioni i Policisë ishte një shtëpi e vogël, ku një polic më nderoi me dorën lart se më pa ushtarak, “Komshia, komshia”, ishin fjalët që më tha. Më futën në një dhomë. Pas një gjysmë ore erdhën të gjithë, me shefin në krye. I kishte kapur paniku. Pas pak më sollën një përkthyes, Bashkim Avdyli, kosovar, shumë djalë i mirë që kryente shërbimin ushtarak aty. Më kërkuan armën, unë refuzova, por Bashkimi më afrohet: “Hej shqipe, dorëzoje dhe kërko azil”, më thotë. E kuptuan që isha arratisur dhe si ushtar nuk kishte ndodhur më parë. Më sollën për të ngrënë, djathë të bardhë, vezë. Kam qëndruar 9 ditë si në një gjysmë izolimi në një bodrum, por ishin dashamirës. Natën e Vitit të Ri më ftuan të shihja televizor. Pastaj më çuan në Resnje, fillimisht në një stacion policie, pastaj ku më vendosën në një hotel, “Kitka”, kati i tretë.

Muc Resnje

Kishit lënë edhe dy faqe letër?

Po, lashë dy faqe letër që i shkrova në mbrëmje, para se të merrja shërbimin. Ia adresoja shtetit, me emra, detaje për padrejtësinë që më ishte bërë me shkollën, mosdhënien e së drejtës së studimit dhe se ajo nuk ishte një arratisje politike. E vendosa nën batanije të fjetores. E kam mbyllur me fjalët, “Përshëndetje nga i arratisuri MuÇa KorÇa”. Më vonë kam mësuar se deri në Tiranë kishte mbërritur informacioni se Çfarë kisha shkruar. Madje, Sigurimi kishte hapur fjalë se Muç Korca është arrestuar, duke treguar si fakt Çantën time, atë ushtarake që e lashë kur u largova. Por asgjë nuk ishte e vërtetë, ishim vetëm makinacionet e tyre.

A patët frikë nga ndonjë reagim i shtetit shqiptar?

Në një ditë, në Resnje erdhën aty dy kamionë TIR të transportit dhe shoferët fjetën atë natë në hotelin “Kitka”, ku isha unë. Më njoftuan duke më treguar pasaportat e tyre që i kishin lënë në recepsion. I pashë fytyrat, por nuk i njihja. “Mos dil, qëndro në dhomë se i ke përballë. Sidoqoftë, je në vrojtimin tonë, të ruajmë ne, por mos u largo se Sigurimi shqiptar mund të rrezikojë”, më këshilluan. Jugosllavët i shihja të ishin liberalë.

A u përcoll me bujë kjo arratisje?

As gazeta lokale, radioja, Tv, nuk kishte dhënë asnjë lajm për arratisjen time. Në qytet dilja, shëtisja me Bashkimin. Kur të jepnin azil, jugosllavët nuk të kthenin, aq më shumë për një ushtar të arratisur. Ligji i emigrantit më mbronte. Më dërguan në një dyqan, më blenë veshje. Më propozuan të nisja punë si disenjator në Resnje te firma e njohur “Agrofllot”, por nuk pranova.

Kartolin Muc 1

Sa qëndrove në Resnje?

Dy muaj. Më siguruan ushqime, një paketë cigare në ditë dhe 20 mijë dinarë. Vetëm dy-tri herë më kanë marrë në pyetje, me të zakonshmet: Çfarë të shtyu, pse ike etj. Flisja qetë, duke i shpjeguar qëllimin. Nuk kërkova të dilja në Tv: kam ikur, jam arratisur vetëm të vazhdoj studimet, jam artist, dua jetën time private, i thosha. Çdo ofertë që më bënë nuk e kam pranuar, sigurisht jo me detyrim, as presion psikologjik e fizik. Më shihnin të ri, nuk dyshonin për asgjë.

Çfarë ndodhi më tej?

Më çuan në Shkup, qëndrova 1 muaj në një konvikt gjimnazi. Më dhanë një “Liçna carta za stranac”, një dokument për të huajt. Duke shëtitur në Shkup, në një dyqan veshjeje, takoj rastësisht një person. M’u kujtua, që në Resnje e kishin sjellë si oficer special për të më marrë në pyetje. Sa më pa, më njohu, më pyeti shqip: MuÇ, çfarë bën, si je, si ndihesh? U habita. Flet shqip e pyeta, se në Resnja nuk më ishte shfaqur. Jam serb i Kosovës më tha. Kishte studiuar për gjuhën shqipe. “Më vjen keq për ty, mos shko në Amerikë, ajo të ha, rri, qëndro afër Europës”, më këshilloi.

Muç Korça me vëllain Afrim para se të shkojë të kryejë shërbimin ushtarak

Kur u larguat nga Jugosllavia?

Qëndrova dy muaj në Shkup. Kisha kërkuar të largohesha nga Jugosllavia. Në pak kohë më erdhi miratimi. Më çuan në Beograd, në një kamp azilant, ku gjeta dy shqiptarë. Qëndrova vetëm pak ditë aty, na hipën në një makinë, mbërritëm në Sezhama, një fshat në kufi me Italinë, afër Triestes. Na lanë aty, kaloni natën kufirin, na thanë. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi si azilant, më kishin dhënë një letërnjoftim, por, meqë do kaloja në Itali, ma morën. Muaji prill mund të ketë qenë.

Si e përjetoi familja arratisjen tuaj?

Ne ishim 5 fëmijë, 3 djem dhe dy vajza, banonim në Rrugën e Kavajës. Unë isha i katërti. Kam qenë djalë i hedhur, por jo i zhurmës, i qetë në përgjithësi. Çfarë kishte ndodhur me familjen, jam informuar pas disa vitesh. Edhe ata ishin befasuar kur u kishin thënë e më pas patën pasoja të rënda. Vëllain e madh ushtarak e Çuan në Uzinë Dinamo; motrës Monda nuk i dhanë të drejtë studimi, madje e ndau edhe burrin, si me biografi jo të mirë, meqë nga ana e tij kishte një vëlla komunist. Vëllain, Afrimin, e hoqën nga Ansambli e dërguan në “Josif Pashko”; motrën tjetër, mësuese në Kallmet, e hoqën dhe e lanë dhjetë vjet pa punë. Pa asnjë përkrahje, njeri nuk i fliste, as daja, halla, të afërm, nuk vinin në shtëpi. Ndërsa lagjja i vëzhgonte, i ruante vazhdimisht.

Muc bot 1

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura