U arratis në Itali/ Në Shqipëri nis procesi gjyqësor ndaj Moisi Habilajt. Çfarë i kërkon gjykatës përmes…

Jan 13, 2021 | 20:55
SHPËRNDAJE

Nga arratia, Moisi Habilaj përmes avokatit të tij mbrojtës i kërkoi gjykatës së posaçme që të aplikoje gjykimin e shkurtuar. Të njëjtën kërkesë dorëzuan edhe tre avokatët e tjerë për tre të pandehurit e të njëjtit fashikull gjyqësor.

Moisi-Habilaj

Kjo kërkesë e të dyshuarve si pjesë e një grupi që trafikonte hashash drejt Italisë, e detyroi gjykatën që mos të ballafaqojë provat shkresore, por të shtyjë seancën për në datën 26 janar. Procesi ishte i ngrirë prej muajsh pasi drejtësia shqiptare qëndroi në pritje të letërporosisë në të cilën Moisi Habilaj duhej të njoftohej për nisjen e gjyqit nga drejtësia e vendit të tij.

Kjo procedurë e domosdoshme u ndoq paralelisht me kohën kur Habilaj, nën arrest shtëpiak dhe disa shtetas shqiptarë e italianë u konsideruan fajtorë nga gjykata e Katanias.

Por kërkesa suprizë e Moisi Habilajt ,e vë gjykatën shqiptare në dilemë, mes garancive që i ofron një të pandehuri reforma në drejtësi dhe nga ana tjetër qëndrimit që do të mbajë SPAK ndaj të akuzuarve. Vlonjati me emrin e të cilit akuza pagëzoi grupin e të arrestuarve , duket se synon përmes këtij qëndrimi që të përfitojë një të tretën e zbritjes së dënimit në rast të deklarimit fajtor edhe në Shqipëri, shkruan Top Channel.

Nga startimi i hetimit të dosjes “Habilaj”, ku bazuar në përgjimet e italianëve SPAK akuzon 11 persona se u implikuan në kultivim dhe trafik hashashi, deri më tani si trafikant është dënuar në vendin tonë Armando Koçerri.

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i Vlorës Jaeld Çela , i shpëtuan akuzave të rënda dhe u dënuan për shpërdorim detyre. Kurse për dy ish zyrtarë të tjerë të policisë lokale gjykimi është veçuar sa kohë ata vazhdojnë të jenë në kërkim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura