Teksa Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin e tij me 3 vite e 6 muaj burg, Albert Veliu ka firmosur marrjen e dijenisë për procesin nga Belgjika, ku edhe është arrestuar.
Pas rreth 1 viti nga largimi nga Shqipëria, pritet që Albert Veliu, ose i njohur gjerësisht si “Babalja”, të ekstradohet nga Belgjika.
Mësohet se kërkesa për azil e Veliut nuk është pranuar nga autoritetet belge dhe së shpejti do të nisin procedurat e ekstradimit.
Albert Veliu u largua nga vendi pak kohë nga publikimi i audiopërgjimit, ku Partia Demokratike pretendoi se Veliu fliste me vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafës, Geron Xhafën, për një rast të trafikut të drogës.
Me ekstradimin e tij, Veliu pritet të përballet me akuzat në Gjykatën e Tiranës, e cila është në përfundim të procesit gjyqësor. Albert Veliu fillimisht u largua për në Kosovë, ku kërkoi azil politik, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta.
Por kjo kërkesë iu rrëzua, ndërsa e la Kosovën, duke shkuar fillimisht në Hungari e më pas në Belgjikë. Sërish, Veliu kërkoi azil, kërkesë e cila është refuzuar dhe pritet të nisin procedurat e ekstradimit.
Veliu është personi që dëgjohet në audio-përgjimin e publikuar nga PD, e më pas e ka pranuar në një dalje publike se ai ishte dëshmitari X dhe se bashkëbiseduesi i tij ishte vëllai i ish-ministrit, Agron Xhafaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al