TVSH e biznesit, Ahmetaj: Nuk rriten kostot e çmimet

Oct 19, 2017 | 8:23
SHPËRNDAJE

Skema e TVSH-së së biznesit të vogël nuk do të rrisë kostot për subjektet dhe çmimet për qytetarët.

Arben Ahmetaj konference

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje, në një takim me 100 biznese të vogla, garantoi se skema e TVSH nuk falimenton sipërmarrjen dhe nuk rrit çmimet, por rrit konkurrencën dhe formalizon ekonominë.

Ministri Ahmetaj tha se, jashtë skemës së TVSH-së do të mbeten një kategori e caktuar biznesesh. “Nuk është taksë e re dhe nuk ngarkon me kosto sipërmarrjen, përtej asaj kostoje që sipërmarrja e vogël, sot, e ka të formatuar në kontaktin e deklarimit që bën në administratë. Në finale do të jemi sërish këtu, pas disa muajsh, dhe do t’i themi njëri-tjetrit se çmimet nuk u rritën, kostoja nuk i rrit, ama biznesi i madh u strukturua, u skanua dhe u kontrollua më mirë për shkak të këtij instrumenti”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave, Ahmetaj, tha se jashtë skemës do të mbeten 65 mijë biznese. “Ne jemi shumë të qartë se biznesi i vogël, që i referohem zejtarisë, berberit, taksistit, janë jashtë skemës, do të jenë të përjashtuar nga skema e TVSH-së. Ambulantët, tregjet e bashkive do të jenë të përjashtuar. Ai që shet fruta-perime në Lushnje, Divjakë apo Fier, nuk është pjesë e detyrimit për të deklaruar TVSHnë. Po e kolaudojmë në mënyrë që ne të fusim në sistem jo këtë pjesë të sipërmarrjes, që është e vogël dhe jeton kryesisht me punën e vet, por atë pjesë të biznesit të vogël, që është pjesë e transaksioneve, të cilat rrjedhin nga biznesi i madh dhe që kanë të bëjnë me përdorimin e imputeve në punën e tyre apo produkteve që blejnë zinxhir në sipërmarrjen e tyre.

Biznesi i vogël, me një numër prej 65 mijë subjektesh, do të mbetet jashtë skemës së detyrueshme të deklarimit të TVSH-së”, u shpreh Ahmetaj. Ministri i Financave tha se zgjerimi i skemës së TVSH-së është një sfidë edhe për administratën tatimore.

“Ka një sfidë për administratën, kjo, gjithashtu. Ne jemi shumë të qartë, të gjitha burimet tona njerëzore dhe teknologjike do të fokusohen te biznesi i madh. Shtrirja e TVSH është ndihmë që ne i japim ekonomisë sonë për të kontrolluar më mirë biznesin tonë, i cili paguan 99% e që do të vazhdojë të paguajë sërish nga tatimi i vlerës së shtuar”, u shpreh Ahmetaj.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura