Turtulli jep shpresë, Ze Maria “bllokon” gabimet. Formacion me surpriza edhe në Shënkoll

Nov 22, 2017 | 21:30
SHPËRNDAJE

Marvin Turtulli jep shenja rikuperimi, megjithatë fjala e fundit do të jepet pikërisht sot. Nëse gjatë paradites së djeshme kreu vetëm vrapime, pasdite iu nënshtrua një “testi” për të parë gjendjen e muskulit të dëmtuar. Dhe konkluzioni ishte i kënaqshëm, ndërsa duket se dëmtimi po hidhet pas krahëve dhe, nga sot, qendërmbrojtësi do t’i bashkohet grupit.

ze maria

Nëse përballon me sukses ngarkesat në seancën e orës 14:00, atëherë ai do të jetë totalisht gati për transfertën me Shënkollin. Gjithsesi, nëse do të luajë apo jo, vendimi i mbetet Ze Marias. Për Hardi Binguilën, situata mbetet e njëjtë. Ai vazhdon i diferencuar, por ende nuk mund të thuash me garanci se kur do të jetë dita që stafi teknik mund ta llogarisë si pjesë të ekipit. Sakaq, bardhebutë dje, edhe pse nuk zhvilluan një analizë të mirëfilltë, morën një mesazh të qartë prej trajnerit të tyre. Braziliani nuk do më blofe.

Llogaritë janë të qarta dhe pas asaj humbje me ballshiotët, deri në mbyllje të fazës së dytë, nuk tolerohen më ndalesat, qofshin humbje apo barazime, pasi në të kundërt objektivi final do të komprometohej ndjeshëm. “Nuk dua më gabime. Pengesat morën fund në ndeshjen me Bylisin”, ka thënë numri një i pankinës së kryeqytetasve, duke nënkuptuar se tashmë nuk toleron më asnjë hap fals. Kujtojmë që trajneri është i “fiksuar” pas formacionit fitues, ndaj gjasat janë që edhe me Shënkollin në fushë të zbresin titullarët e ndeshjes me Apoloninë.

tirana stervitje

Pra, emra si Asion Daja, Dorian Kërçiku e Majkëll Ngoo pritet që sërish ta nisin nga stoli. Gjithsesi, një ide më e qartë për 11-shen do të krijohet sot, kur pritet që ekipi të zhvillojë një lojë brenda grupit dhe të vendosen “piketat” për këtë transfertë. Të gjithë lojtarët janë në vëzhgim të plotë dhe ata që do të shfaqin më shumë angazhim në seancat stërvitore, pritet të luajnë edhe ndeshjen përmbyllëse të fazës së parë. Të paktën me këtë parim e ndërton formacionin Ze Maria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura