Turqia blen sistemin S-400 nga Rusia, Erdogan ka aleat të fortë Putinin. Ç’thanë për Trump

Dec 12, 2017 | 8:11
SHPËRNDAJE

Presidenti i Truqisë, Recep Tayyip Erdoğan, paralajmëroi se blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia do të finalizohet këtë javë, raporton Anadolu Agency (AA).

putin erdogan

“Kolegët tanë do të takohen këtë javë për ta përfunduar këtë punë”, tha Erdoğan në konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus Vladimir Putin në Ankara.

S-400 është sistemi më i përparuar anti-ajror me rreze të gjata i Rusisë dhe mund të mbajë tri lloje të raketave të afta për të shkatërruar objektiva, duke përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese.

Erdoğan theksoi se bashkëpunimi Turqi-Rusi është në rritje.

“Bashkëpunimi Turqi-Rusi po rritet çdo ditë e më shumë. Kemi një mjedis harmonik të punës në nivelin politik”, tha Erdoğan.

“Vëllimi i tregtisë dypalëshe me Rusinë ka shënuar rritje prej 30 për qind në 10 muajt e parë të vitit 2017”, shtoi ai, duke paralajmëruar rritje të numrit të turistëve rusë në vitin 2018.

Erdoğan po ashtu tha se koordinimi strategjik mes dy vendeve do të vazhdojë me mbledhjen e shtatë të këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Krahas marrëdhënieve dypalëshe, në takim është folur edhe në lidhje me çështjet rajonale, si njohja e Kudsit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të, hap për të cilin presidenti turk tha se ka shkaktuar indinjatë të madhe në mbarë botën.

“Krahas muslimanëve, ky vendim zhgënjeu edhe të krishterët, e madje edhe hebrenjtë me arsye të shëndoshë”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha se Izraeli është duke i konsideruar zhvillimet e fundit si një mundësi për ta rritur trysninë dhe dhunën ndaj palestinezëve.

“Izraeli po e konsideron procesin e fundit si një mundësi për ta rritur edhe më shumë trysninë dhe dhunën ndaj palestinezëve. Nuk është e mundur që një person me ndërgjegje, moral, parim dhe vlera t’i shpërfillë këto vrasje”, tha presidenti Erdoğan.

Ai shtoi se ka vërejtur qasje të ngjashme edhe te homologu rus Putin në lidhje me Kudsin.

Po ashtu, Erdoğan paralajmëroi se së shpejti do të mbahet takim i dytë në Soçi të Rusisë në lidhje me krizën e Sirisë.

“Hapi ynë i mëtejshëm do të jetë mbajtja e një takimi të dytë së shpejti në Soçi”, tha presidenti turk.

“Si garantues të procesit të Astanas, ne do të japim kontribut për procesin e Gjenevës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje permanente për mosmarrëveshjen në Siri”, shtoi Erdoğan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura