Turqi, persona të armatosur sulmojnë selinë e partisë së presidentit Erdogan

Apr 1, 2015 | 11:41
SHPËRNDAJE

Stambolli është përfshirë sërish nga momentet e terrorit këtë mëngjes. Dy burra të armatosur bastisën selinë e AKP, partia e presidentit Erdogan, në Uskudar në pjesën aziatike të qytetit, duke thënë se ata duan të ‘pushtojnë’ ndërtesën, raportojnë mediat e huaja.

Pamje nga vendi i ngjarjes

Raportohet se dy personat kanë nxjerrë jashtë të gjithë njerëzit që ndodheshin brenda ndërtesës dhe pastaj janë ngjitur në katin e fundit dhe kanë thyer dritaret.

Çuditërisht, njëri prej tyre ka ekspozuar një flamur turk të pazakontë, me simbolin e Gjysmëhënës, por edhe një shpatë poshtë tij, që mund të ketë një konotacion fetar mjaft të qartë. Ai gjithashtu u përpoq të improvizonte një fjalim, por u ndërpre nga forcat speciale turke që hynë në ndërtesë dhe e arrestuan.

Deri tani nuk ka detaje mbi identitetin e dy personave që kryen një akt të tillë, por nga të dhënat e para flitet për lidhje me rrëmbimin tragjik të prokurorit Mehmet Selim Kiraz, kapur dje nga dy terroristë të DHKP-C, grupi i armatosur komunist. Kiraz humbi jetën pas bastisjes nga forcat speciale që u përpoqën për ta liruar atë. 

Si një masë paraprake, zona përreth selisë së AKP, e cila ndodhet në të njëjtën lagje ku jeton Erdogan në Stamboll, u izolua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura