Turjan Hyska: Suprizat e rikthimit më 12 shkurt të “Apartamentit 2 XL”

Feb 4, 2012 | 14:22
SHPËRNDAJE

Kanë mbyllur “Sketch Show-n”, për t’u rikthyer me “Apartamentin 2XL” më 12 shkurt. Një alternim ky i dy spektakleve, për të sjellë variacion tek publiku. Djemtë e “The ShBLSH” dhe aktorët e tjerë protagonistë, pasi kanë fituar bastin me humorin ndryshe që servirën nëpërmjet “Sketch show”, do t’i rikthehen humorit në apartamentin e madh. Turi Hyska zbulon detajet e sezonit të ri të “Apartamentit 2 XL” në “Vizion Plus”
Keni mbyllur sezonin e parë të “Sketch show”, çfarë eksperience ishte kjo për ju?
Ishte një sipërmarrje mjaft sfiduese dhe, mbi të gjitha, e vështirë për t’u realizuar, por që besoj ia dolëm me sukses.
Rikthehet kështu “Apartamenti 2 XL” në “Vizion Plus”. Kur do të nisë transmetimi dhe çfarë keni përgatitur ndryshe për këtë sezon?
“Apartamenti 2 XL” fillon më datë 12 shkurt me shumë risi, që jam i bindur që do e bëjnë edhe më të dashur për publikun.
Përse u mendua një alternim i dy spektakleve të tilla, dhe cili format është për ju më i vështirë për t’u realizuar?
Alternimi u mendua me qëllimin që publiku të ndiejë mungesën e një formati, ndërkohë që transmetohet tjetri. Sa për vështirësi, pa dyshim që më i vështirë për t’u realizuar është “Sketch show”.
Aktorët e humorit do të jenë të njëjtë apo do të ketë personazhe të tjera që do i shtohen këtij edicioni?
Do jenë aktorët që kanë qenë dhe sigurisht do ketë prurje të reja, që publiku shpresoj t’i mirëpresë.
“Apartamenti 2 XL” ka një personazh special të ftuar, që në shumë raste është politikan. E keni bërë listën e politikanëve të këtij sezoni të ri?
Janë shumë personazhe në listë, por sigurisht do ftojmë një personazh që meriton plotësisht t’i këndohet gjatë një sezoni të tërë.
Pas eksperiencave të tilla me humorin, e dini se çfarë e bën më shumë publikun për të qeshur? Me çfarë lloj humori keni pasur më shumë sukses?
Gjithçka që është bazuar tek realiteti shqiptar ka sukses, nëse transmetohet në ekran nëpërmjet humorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura