Turjan Hyska nuk jep detaje, por as nuk e mohon ndarjen me Orindën

Mar 25, 2012 | 14:43
SHPËRNDAJE

Çifti Turjan Hyska dhe Orinda Huta duket se nuk po kalojnë thjesht një krizë në lidhjen e tyre, por tashmë duket se i kanë dhënë fund lidhjes përfundimisht. Pasi ka rënë në sy mungesa e çiftit bashkë në ambiente të ndryshme, ata nuk janë parë bashkë as në ambientet e “Vizion Plus”, ku me fillimin e punës si prezantuese e një emisioni me Fabin e “Produkt 28”, ata ishin parë të shoqëroheshin shumë bashkë. Orinda tashmë është larguar nga banesa, ku ka një vit që bashkëjeton me të dashurin, Turi. I pyetur në lidhje me këtë histori, producenti i “Apartamentit 2 XL” nuk ka pranuar të japë asnjë detaj, duke vazhduar të qëndrojë hermetik për të zbuluar detaje nga jeta e tij private. Por po ashtu në lidhje me shkrimet në media për ndarjen, ai nuk ka pranuar të japë sqarime, por as nuk ka mohuar. Lidhja e Orindës nga Turi mori fund pas një viti bashkëjetesë, që ata kishin nisur në shtëpinë e tyre, që vendosën ta blinin më Tiranë dhe të jetonin bashkë pas tri vitesh njohjeje. Për një kohë të gjatë ata e ruajtën lidhjen e tyre nga pasqyrimi mediatik, pasi janë supersticiozë. Edhe pse u treguan të rezervuar, ata s ‘mund t’u shtëtonin paparacëve që i fotografuan në ambiente publike, foto që u botuan në media me shkrime të njëpasnjëshme. Dhe nuk kanë qenë aspak fatsjellëse për lidhjen e tyre, që ka përfunduar tashmë dhe që e ka detyruar Orindën të lërë shtëpinë dhe të kërkojë një shtëpi me qira. Ndërkohë që ajo që e ka shprehur dobësinë e saj në lidhje me këtë histori ka qenë Orinda, e cila në facebook ka vendosur statuse të tipit “Mjaft luajte me ndjenjat e mia”, duke iu referuar Turit. Këngëtarja e hitit në “Kënga Magjike”, “Një oqean”, dhe pjesëtari i grupit “Produkt 28”, Turjan Hyska, i njohur gjithashtu edhe si moderator në disa programe televizive, aktualisht edhe drejtor Artistik në një kompani mediatike, vendosën ta konsolidonin lidhjen e tyre një vit më parë, duke ndarë të njëjtin apartament. Për herë të parë ata u fotografuan në festivalin “Rock in Tirana”, ku nga fotot dukej se ishin në kulmin e lumturisë në krahët e njëri-tjetrit, ndërkohë që Orinda e kishte pohuar se ndihej më se e kënaqur me Turin dhe se ai ishte më i mirë sesa e kishte ëndërruar. Nuk dihet tashmë se cila është arsyeja e ndarjes së tyre, dhe cili prej tyre do vendosë të nxjerrë dufin në media.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura