Turizmi i qoftes dhe i biçikletës

Aug 25, 2015 | 14:13
SHPËRNDAJE

ermal-hasimjaERMAL HASIMJA

Turizmi shqiptar ka dështuar. Le të kënaqemi me përralla sa të duam: plani ynë gjenial për të jetuar me turizëm është një dështim i plotë. Ndër speciet e ndryshme të turistëve ne tërheqim përgjithësisht turistë që vijnë në Shqipëri të shtyrë prej kureshtjes së eksploratorit dhe jo turistë që do të vinin këtu vit pas viti për të shpenzuar kursimet vjetore.

Kjo është arsyeja përse në vendet tona turistike gjen me shumicë “eksploratorë” me çanta shpine, me biçikleta, motorë dhe më rrallë ndonjë kamping-car. Por hotelet tona nuk janë të mbushura me turistë të pasur, siç janë hotelet kroate apo greke, për të mos folur pastaj për Francë apo Itali. Ai që kemi ne, jo vetëm nuk është turizëm elitar, siç talleshin me ne përpara disa vitesh, por nuk është as turizëm normal e as më pak i qëndrueshëm. Ky yni është turizëm i qoftes dhe i biçikletës.

Shkrimet e postuara plot bujë në internet, në fakt vërtetojnë pikërisht këtë. Joshjen e madhe që paraqet Shqipëria për turistin eksplorator: atë që vjen për të parë dhe jo për të qëndruar e aq më pak për t’u kthyer sërish kur t’i konsumohet kureshtja. Kur përmenden çmimet e ulëta, duket qartë se gazetari nuk ka kaluar nga Dhërmiu, Himara apo Ksamili.
Gjatë këtij çerekshekulli shteti shqiptar ka shitur leje ndërtimesh dhe toleruar beton nëpër të gjithë jugun. Pushteti vendor ka shfrytëzuar burimet natyrore për të mbushur xhepat, por jo për të investuar në turizëm.

Në zonën e “fshatrave turistike” të Qerretit, për një apartament normal duhet të paguash pothuajse 40.000 lekë të rinj si taksë banimi në vit. Çfarë merr në këmbim të këtyre taksave rrjepëse: ASGJË. Thjesht që të kesh nderin për të qenë katundar Qerreti. Komuna (rahmet pastë) nuk bën asgjë për plazhin, rrugën nuk e mirëmban njeri, uji është i papërdorshëm dhe njerëzit përdorin puse dhe depozita, plehrat janë objekti më i dukshëm turistik.

Të gjitha paguhen nga kontributi vullnetar i banorëve. Ndërkohë taksa në fjalë pothuajse është katërfishuar gjatë 4 viteve të fundit. Kjo taksë është fyerje për çdo pushues, pikërisht, sepse është një taksë që u merret atyre me idenë se “kanë lekë përderisa kanë shtëpi në plazh”, por pa e parë të nevojshme të bëhet as edhe një çfarëdo gjëje për ta, qoftë edhe sa për të larë gojën. Pushteti vendor, në raste si ai i Golemit, as nuk e ka kuptuar ndonjëherë idenë e thjeshtë se taksat paguhen për të marrë shërbime publike.

Taksat nuk janë detyrim abstrakt ndaj feudalit vendor, por pagesë e një shërbimi.
Jugu i Shqipërisë është masakruar deri në pikën ku një pjesë e mirë e atyre që i bënë këto vende popullore përpara 10 vitesh, tashmë nuk shkojnë më fare. Nga jugu i Shqipërisë do të largohen gjithmonë e më shumë ata që do të kenë mundësinë për të shkuar në bregdetin më të ruajtur e më të mirë të Malit të Zi e më pas të Greqisë e Kroacisë. Në kulmin e sezonit, një dhomë në Budva, me të gjitha kushtet, kushton më pak se një dhomë në Dhërmi e Himarë me pothuajse asgjë. Çfarë do t’i mbetet Shqipërisë? Dy kategori: shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë dhe turistët eksploratorë që shpenzimin më të madh kanë ndoshta karburantin.

Potenciali më i madh i vendit, bregdeti i jugut, është shkatërruar plotësisht dhe sistematikisht. Shteti ka në dorë sot që të shpëtojë elementin tjetër të rëndësishëm: malet. Ndërsa Thethi dhe Valbona janë kapluar nga ethet e ndërtimit, Alpet janë ende të paprekura në masën më të madhe. Por gjërat ecin shpejt. Dyndja e eksploratorëve drejt Alpeve këto 3 vitet e fundit mund të shërbejë si joshje fatale për betonizimin e luginave nga nisen shtigjet e ecjes në mal.

Nga pikëpamja e përgjegjësisë së vetë operatorëve, Valbona është shembulli i qartë i një dështimi të ardhshëm. Që tani, lugina më e bukur e Shqipërisë, e njohur si e tillë që nga romakët që ia qepën emrin sipas pamjes, ia ka dalë të skandalizojë turistët me cilësinë e shërbimeve, aq sa ç’ia del t’i mrekullojë me malet rrotull. Operatorët privatë do të detyrohen të mësojnë (në kurriz të tyre) se si të ofrojnë shërbime më të mira për të fituar më tepër. Paaftësia, injoranca dhe arroganca e operatorëve do të kurohen nga konkurrenca.

Mirëpo betoni është vështirë të shkulet vendit nëse tolerohet prej shtetit. Nëse bregdeti do të duhej bërë siç pretendojnë reklamat tona, e vetmja zgjidhje do të ishte rrafshimi bërthamor i qendrave urbane, duke nisur nga plazhi i Durrësit e deri në Ksamil.
Shqipëria është e bukur, por tashmë është përdhunuar. Le të shpëtojmë atë që mundemi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura