Tur Hyska: Gati për t’u martuar me Orindën

May 27, 2016 | 16:58
SHPËRNDAJE

Images

“Oktapod” është programi ku ka gjetur më së miri veten. Një format i ndërtuar mbi rrëfimet e personazheve të njohur, që vendosin të flasin pa doreza përballë Turjan Hyskës. Nuk i është dashur emër tjetër për ciklin e tetë këngëve të reja që po përgatitet të publikojë, i vetëm, pa grupin “Produkt 28”, ndaj e ka emërtuar “Oktapod”.

Duke mos e konsideruar rikthim në muzikë, pasi në pasionet e tij tashmë ka fituar televizioni, Turi flet në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama”. Për karrierën si showman, punën në të njëjtin televizion me Orinda Hutën dhe planin e tyre për martesë, ai i zbulon ndërsa ulet kësaj here në karrigen e rrëfimtarit…

Ke njoftuar rikthimin në muzikë me një këngë të re, ku ke bërë pjesë të projektit muzikor shumë personazhe të njohur. Si lindi kjo ide?

Unë hyra në tregun artistik falë muzikës dhe grupit “Produkt 28”, që ka qenë, është dhe do të mbetet një dashuri e madhe. Dhe të them të drejtën nuk e kisha menduar kurrë, që do realizoja diçka jashtë grupit, nuk e kam parë kurrë të arsyeshme pasi ne jemi ansambël perfekt.

Dhe çfarë ndodhi?

S’e di pse gjatë këtyre viteve pauzë në kokën time lindën tekste dhe ide që morën formën e këtij “Projekti Oktapod”, që do të jetë dalja e parë dhe e fundit solo e imja. Këngët janë të realizuara dhe shpresoj të pëlqehen nga publiku.

Ç’mund të na zbulosh për projektin muzikor “Oktapod”, cila do të jetë tematika e secilës këngë dhe çfarë do t’i lidhë me njëratjetrën?

Janë realizuar tetë këngë, tetë histori, tetë mesazhe, aq sa janë dhe tentakulat e oktapodit. Këngët janë realizuar vitin e kaluar në bashkëpunim me Alban Kondin, Briz Musarajn, Shpëtim Saraçin dhe i falënderoj për produksionet që më kanë dhuruar. Qëllimi është të shpreh disa ndjesi me tekstet e mia, muzikën dhe mbi të gjitha, këngët të shijohen nga publiku im. Përveç kësaj, dua të shpreh që çdo fitim prej klikimeve të këtyre këngëve do të shkojë për bamirësi, sepse muzika për mua ka qenë dhe është gjithmonë një formë për të ndihmuar veten ose të tjerët, shpirtërisht apo fizikisht.

Është ky një rikthim për ty në tregun muzikor, që do të pasohet nga të tjera këngë?

Unë nuk mendoj që jam rikthyer në treg, sepse mendoj që tregu ka formën e vet, ka artistët që punojnë “non stop” në muzikë dhe kanë baza të konsoliduara. Kjo shfaqje e imja është thjesht një ndjesi që do të ngelet me kaq. Personalisht s’kam as një joshje për të vazhduar në të ardhmen në muzikë. Edhe pse një album të fundit me grupin do ta bëja me qejf.

Ekziston ndonjë këngë dashurie mes tyre, dhe kujt i dedikohet?

Sigurisht që ka dhe u dedikohet atyre që dinë të duan. S’ka asgjë personale. Karriera jote ka ecur në vite mes muzikës dhe televizionit, por duket se paska fituar i dyti. Çfarë nuk të pëlqeu te muzika? “Vizion Plus” dhe “Tring” janë puna, sfida, pasioni dhe fokusi im. Muzika është një ndjesi e bukur që fle brenda meje, kaq.

Të ka pasuruar televizioni dhe çfarë synimesh i ke vënë vetes para të 40–tave?

Sigurisht që jam i mirëpaguar dhe shumë i kënaqur që jam pjesë e një kompanie të fuqishme. Sa për synimet, janë shumë. Të shohim!

Në emisionin “Oktapod” vijnë shumë personazhe të njohur që rrëfejnë të vërteta dhe intimitete përballë teje. Kush ka qenë i ftuari që të ka impresionuar vërtet, dhe ai që të ka befasuar për mendjen e hapur?

Më ka pëlqyer shumë Noizy, kur rrëfeu një pjesë të tijën mjaft personale rreth vajzës, mallit dhe dashurisë për të, dhe vizitave të tij në shtëpinë e fëmijës në Durrës. Nuk e prisja! Gjithashtu Sabri Fejzullahu, Aurela Gaçe dhe Viktor Zhusti më kanë impresionuar si të ftuar.

E ke më të vështirë të rrëfehesh apo të bësh pyetje të sikletshme. Ti vetë cilin moderator do të zgjidhje për t’u rrëfyer?

Atë që do me bindte të rrëfehesha. Megjithatë ka kohë, sepse jam i ri për t’u rrëfyer.

Çfarë je ende kurioz të provosh, pavarësisht se e di që mëkaton?

S’e di…

Si mundesh ta menaxhosh famën dhe është e vështirë për ty të ruash balancat e vetes?

Fama në Shqipëri vlen vetëm për të të falur ndonjë polic rrugor, kur je pa rrip sigurimi, kështu që e kam shumë të thjeshtë për ta menaxhuar: vendos rripin e sigurimit.

Në të njëjtin televizion shohim si moderatore partneren, Orinda Huta. Pse u pozicionua ajo në një format familjar?

Ishte ideja e Orindës dhe e drejtorit të Përgjthshëm, Genc Dulaku, përfshirja e saj si autore dhe moderatore e emisionit të pasdites. Unë nuk u përfshiva, se kam konflikt interesi.

E ke zbuluar pikën e saj më të fortë si prezantuese duke qenë se dhe ajo fillimet i nisi si këngëtare?

Si prezantuese nuk është se kisha shumë merak a do t’ia dilte, por ajo që më ka çuditur (dhe pse ndoshta nuk besohet) është energjia, pasioni dhe koha shumë e madhe që Orinda i kushton atij programi. E do vërtet shumë dhe besoj ia ka dalë me sukses ta justifikojë pozicionin dhe peshën e tij.

Ekziston konkurrenca mes jush brenda familjes, për çfarë ndodh të debatoni?

Jo, jo! Për asgjë nuk debatojmë, se nuk ka asgjë për t’u debatuar.

Do të martoheni këtë vit, ashtu siç jeni shprehur?

Pyesni Orindën, unë gati jam.

Përgatiti: Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura