“Tundimi i fundit”, ‘ungjilli’ blasfemik i Kazanxaqis, në shqip

Dec 17, 2015 | 16:30
SHPËRNDAJE

“Jam gënjeshtar, shtinjak, frikacak; kurrë nuk them të vërtetën, nuk ma mban; shoh një grua të kalojë dhe bëhem flakë i kuq, ul kokën, por sytë më mbushen me epsh.

Nuk ngre dorë për të vjedhur, për të rrahur, për të vrarë; jo se nuk dua, por ngaqë kam frikë; dua të ngre krye kundër sime mëje, kundër centurionit, kundër Perëndisë, por kam frikë. Kam frikë, kam frikë; po të më hapësh barkun, do gjesh brenda Frikën, si një lepur që dridhet. Frikën, asgjë tjetër; ajo është për mua mëmë, babë dhe Perëndi”. Ai ishte zdrukthëtar, bir i zdrukthëtarit… bënte kryqe… Ishte i vetmi që pranonte t’i punonte… Ai ishte kryqbërësi dhe kryqin e ngrinte vetë mbi Golgotë, duke përshkuar kalvarin prapë edhe prapë… I lahej fytyra në gjak e djersë, gjunjët nuk e mbanin më…

Shkrimtari grek Nikos Kazanxaqis
Shkrimtari grek Nikos Kazanxaqis
Mbante mbi supe kryqet e të tjerëve… kryqin që më pas do t’i ngjitej vetë. Nikos Kazanxaqis duket se nuk i rezistoi dot tundimit të shkruante “ungjillin” e tij. Atë ungjill që ai ndiente, jo atë që shkrimtari grek kishte më- suar nga kisha. E titulloi “Tundimi i fundit”, duke përshkruar në të gjithë tundimet e Krishtit-njeri dhe Zot. Nën një shqipërim të shkëlqyer të Romeo Çollakut, shtëpia botuese “Pegi” sjell për lexuesin romanin e shumëpërfolur të Nikos Kazanxaqis.

TUNDIMET E KAZANXAQIS

Romani “Tundimi i fundit”, i konsideruar si kryevepër nga kritikët në mbarë botën, është një interpretim laik i Ungjillit. Një vepër e renditur në librat e ndaluar nga Vatikani, ashtu si edhe filmi i mbështetur mbi të (1988), por edhe nga kisha ortodokse. Romani ofron edhe një variant tjetër, se ç’mund të ndodhte nëse Krishti nuk do t’i ishte bindur zërit të Perëndisë dhe t’i ikte kryqit. Kisha nuk mund të pranojë një Krisht “frikacak” dhe as një Mari, që do të kishte zgjedhur me qejf një fat tjetër. Nëse në Bibël, Krishti shquhet qysh fëmijë si gojëtar e u jep mend farisenjve në tempull, Jezui i Kazanxaqis është fjalëpak, madje i pashkollë. Ai është një njeri i përbuzur nga të gjithë nazaretasit, sepse ai bën kryqe. Gjithë mallkimet e nënave të të dënuarve bien mbi të. Maria që në ungjij i bindet menjëherë fatit të saj dhe të të birit, nuk di të lexojë kumtin që i ka dhënë Perëndia, derisa shkëlqimi i fytyrës së Krishtit nuk i linte më asnjë dyshim…

Ai “e lejon” Krishtin të dëshirojë trupin e prostitutës Maria Magdalenë, të lindë fëmijë me Martën dhe Marinë, të kryqëzojë Ponc Pilatin, që si Ledi Makbeth nuk lan dot gjakun nga duart e veta… Por të gjitha në ëndërr apo tundime. Të gjitha këto mjaftojnë për ta konsideruar një libër blasfemik apo “heretik”, edhe pse Kazanxaqis e përshkruan me shumë dashuri figurën e Krishtit.

“Ky libër nuk është jetëshkrim, është rrëfim i njeriut në përpjekje. Duke e botuar, bëra detyrën; detyrën e një njeriu që u përpoq së tepërmi, u hidhërua së tepërmi në jetë dhe shpresoi së tepërmi. Jam i sigurt se çdo njeri i lirë që do ta lexojë këtë libër të mbushur me dashuri, do ta dojë Krishtin më shumë se kurrë, më mirë se kurrë”. Mjeshtëria e shkrimtarit vjen e plotë përmes përkthimit të Romeo Çollakut, një shqipeje të pasur, të rrjedhshme, që bashkë me përshkrimin e Kazanxaqis, e kthen librin në një “tundim”, që i duhet shkuar deri në fund.

TUNDIMET E KRISHTIT
I botuar për herë të parë në vitin 1955, ai është një rrëfim njerëzor i jetës 33-vjeçare të Krishtit. “Tundimi i fundit” është rrugëtimi që dishepujt nuk mund ta rrëfenin. Është përjetimi i vetë Krishtit. Të gjitha dëshirat e një të riu, që do të rritet, t’i dhurojë një trëndafil të kuq vajzës që do, të pushtojë trupin e Maria Magdalenës, që kishte dashur qysh fëmijë, të martohet, të bëjë fëmijë, të jetojë e të plaket si gjithë të tjerët, por që në të njëjtën kohë ka dëgjuar thirrjen e Zotit. Një luftë e ethshme, mes dëshirave të trupit dhe detyrës hyjnore. Një dëshirë për t’i ikur fytyrës së Zotit dhe një dëshirë po aq e madhe për të qëndruar e për t’iu bindur fatit të parathënë.

Ai e di. Gozhdët që i ngulen të dënuarve në kodrën e të mallkuarve, do t’i ngulen edhe atij. E ndien tashmë dhimbjen dhe nuk mund t’i ikë. Por nëse të gjithë zërave mundet, a mundet t’i shpëtojë frikës? “Dhe përpiqej më kot, atyre viteve të fundit të mposhtte Frikën, vetëm kjo i mbetej tashmë, gjithë demonët e tjerë i kishte mposhtur-skamjen, dashurinë e gruas, harenë e shtëpisë, rininë, të gjitha i kishte mposhtur dhe vetëm Frika i mbetej; duhet ta mposhtë edhe atë, t’ia dalë mbanë, është burrë tashmë, erdhi ora…”.

Dyshimet e Krishtit vijnë bashkë edhe me përjetimet e Marisë, të së ëmës, një gruaje që kishte dashur të ishte si gjithë të tjerat. Jo, ajo nuk donte të ishte nëna e të zgjedhurit, ajo donte një djalë si gjithë të tjerët, t’i mbushte shtëpinë… “Por nëna e ngratë klithi: Mëshiromë, mjeshtër! Është profet? Jo, jo, Perëndia, edhe në ia pastë taksur, le t’ia shtaksë! E dua njeri, si gjithë të tjerët, as më lart e as më poshtë, si gjithë të tjerët. Të gdhendë edhe ai, ashtu si njëherë e një kohë i ati, magje, djepe, parmenda, orendi shtë- piake, jo si tani, kryqe, për t’u kryqëzuar njerëz. Të martohet me një vajzë për shtëpi, nga derë e mirë, me prikë, t’i punojë mendja, të bëjë fëmijë dhe të dalim çdo të shtunë shëtitje të gjithë bashkë, gjyshja, fëmijët, nipërit, të na gë- zohet bota”. Kështu përgjërohet Maria, që as vetë nuk e di se kush është i biri, “i vetmi i derës”.

Momente thelbësore në ungjij, si ngjizja e Marisë apo adhurimi që i bëjnë foshnjës së porsalindur mbretërit dijetarë, që shtrojnë stoli e erë- za erëmira nën këmbët e tij, vijnë në formën e ëndrrës te Maria. Edhe tundimet në shkretëtirë janë të një tjetër lloji. I ati, Jozefi, s’është veçse një plak i ngratë që pëson një paralizë pas një rrufeje, ndërsa Juda qimekuq, tradhtari i përjetshëm, është një kryengritës që pret nga Mesia, jo t’i hapë mbretërinë e qiejve, por ashtu si shumica e izraelitëve, t’i udhëheqë drejt çlirimit nga romakët. Ai nuk ka nevojë për një shpëtim shpirtëror, shpëtimi i tij është në tokë… Edhe kryqëzimi është i një tjetër lloji.

Deri në momentin e fundit, ai mund të tërhiqej. E sheh veten burrë plak, me fëmijë. E vërtetë, do ta thërrisnin, tradhtar, dezertor, por ishte gjallë. Por Krishti i shkoi deri në fund. Kur kuptoi se gjithë sa kishte parë ishte një zhgjëndërr mbi kryq, u çlirua. Ai ishte tundimi i fundit. Nuk ishte as dezertor, as tradhtar, ai i ishte bindur thirrjes. “Lëshoi një britmë ngadhënjimtare: U krye! Dhe ishte njëlloj sikur thoshte: tani fillon gjithçka”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura