Tsipras tërhiqet nga premtimet elektorale

Apr 28, 2015 | 11:56
SHPËRNDAJE

QEMAL LAME

   Ministrat e Financës së Eurogrupit, ditën e premte, më 24 prill 2015, në Riga, diskutuan me shqetësim për ndihmën për Greqinë dhe nuk arritën të marrin një vendim, pasi nuk është paraqitur akoma një listë me reformat dhe nuk ka përparime në bisedimet me dhënësit e kredive. Koha për afatin e dhënies së kredisë prej 7,2 miliardë eurosh po mbaron dhe nuk dëshmohet vullnet nga ana e Athinës për bashkëpunim.
Ministrat e Financës së Eurogrupit shtojnë më tej dyshimet e tyre për qëndrimin e qeverisë së Greqisë në bisedimet për nevojat për kredi të reja. Kritika të rrepta ka pasur ndaj ministrit grek të Financave, Giannis Varoufakis, për gjendjen pa rezultate prej disa javësh të bisedimeve me qeverinë e Greqisë.
Agjencitë e lajmeve citojnë se ai është cilësuar si person që luan me partnerët, amator dhe humbës të kohës. Shefi i Eurogrupit, ministri i Financave i Holandës, Jeroen Dijsselbloem, nuk kishte dëshirë të komentonte në detaje zhvillimin e bisedimeve, duke u mjaftuar me fjalët “diskutim shumë kritik”. Pjesëmarrësit në takim theksojnë se kuptohet që „18 ministra ishin kundër njërit”. Gazeta konservatore greke „Kathimerini”, të shtunën, më 25 prill 2015, vë në dukje se Varoufakis është kritikuar rëndë dhe me tone të ashpra nga kolegët e tjerë të Eurogrupit. Në gazetën tjetër të majtë „Efimerida ton Syntakton”, në artikullin me titullin „Detyruar të futet në kënd”, thuhet se Varoufakis është cilësuar nga kolegët si „lojtar”, „amator”, „humbës kohe” dhe kanë qenë të zemëruar me të.
Varoufakis përsëriti qëndrimin e njohur të Greqisë se do të bëhen reforma, por nuk jepte detajet e nevojshme. Ai theksoi pas takimit se: „javën e kaluar u tregua për një afrim substancial.” Mosmarrëveshje janë kryesisht për reformën e pensioneve, garantimin e kredive me fondin e plotë imobilar dhe ndryshimeve në buxhetin e shtetit për ta përshtatur me të ardhurat. Edhe  Dijsselbloem foli për përmirësime në bisedime, por theksoi se të dyja palët janë shumë larg dhe nuk mund të arrijnë pikëpamje të njëjta për një marrëveshje. Shefi i Thesarit të Austrisë, Hans Jörg Schelling, vuri në dukje se ishte nervozuar nga Varoufakis. Ne duhet të arrijmë mendime të pranueshme bashkërisht, ndërsa Greqia këmbëngul vetëm në idetë e saj dhe kërkon të imponohet që të marrë ndihmë në miliarda. “Unë pyes veten: Çfarë kemi bërë ne në këtë gjysmë viti?”
Greqia kërkon ndihmë
Pakënaqësitë e Eurogrupit ndaj Athinës janë në disa drejtime. Në radhë të parë, kritikohet se Greqia vazhdon të dëshmojë se në asnjë rast nuk dëshiron të bëjë reforma konkrete për zgjidhjen e borxhit dhe stabilizimin e buxhetit shtetëror të saj. Së dyti, tërheq vëmendjen qëndrimi jo transparent dhe jo konstruktiv, i zyrtarëve të lartë grekë me përfaqësuesit e institucioneve kreditore. Sipas dëshirës së Greqisë, bisedimet “ndërinstitucionale” të Trojkës së mëparshme me përfaqësues nga Komisioni i Bashkimit Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është kërkuar që nga muaji shkurt 2015, të mos bëhen më në Athinë, por në Bruksel, Paris apo shtete të tjera, përveç vendit të tyre. Aktualisht vepron Grupi i Brukselit në Bruksel.
Greqia përforcon dyshimet dhe pakënaqësitë
Në kryeqytetin grek ndodhen vetëm specialistë të ngarkuar me probleme teknike për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. Në Eurogrup janë bërë ankesa se këta specialistë nuk lejohen që të shkojnë e të punojnë në ministritë përkatëse, por të qëndrojnë në hotel. Kjo gjendje shoqërohet edhe me qëndrimet politike jo të qarta. Prandaj, nuk ka përparime në shtetet e Eurozonës, reagojnë të nervozuar, pasi dyshohet se qeveria e Athinës pengon me qëllim bisedimet dhe kërkon që në mënyra jo transparente të arrijë marrëveshje për marrjen e ndihmës. Shprehen pakënaqës, edhe për mossqarimin e bisedës konfidenciale midis Kryeministrit Alexis Tsipras dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, gjatë takimit të Bashkimit Europian, ditën e enjte, më 23 prill 2015. Merkel deklaroi se do të bëhen të gjitha përpjekjet që të mënjanohet pamundësia për pagesa e Greqisë. Edhe Presidenti francez, Francois Hollande, deklaron pothuajse të njëjtin mendim, i cili është takuar po me Tsipras. Vetë Tsipras deklaron se “është kaluar pjesa më e madhe e pengesave.” Pas takimit të ministrave të Financave, qëndron e hapur pyetja se për sa kohë shteti grek do të jetë në gjendje për pagesa financiare. Një zyrtar i lartë i BE-së theksonte se: “është kohë shumë e shkurtër, por megjithatë ka akoma kohë të mjaftueshme deri në muajin qershor”.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (EZB), Mario Draghi, qartëson se për likuidimet për ndihmat afatshkurtra (Ela), janë përcaktuar kriteret e bankës greke të thesarit, me të cilat do të veprojë Banka Hellas. Ky institut financiar menaxhon pjesën më të madhe të bonove të thesarit grek. Megjithatë, theksohet se Fondi Ela nuk është shumë i bindur dhe është dobësuar më tej besimi në bonot e thesarit grek.
Për Greqinë ka vetëm një plan „A”
Greqia është pjesë e Eurogrupit dhe do të mbetet në Bashkimin Europian. Është diskutuar vetëm për një plan A dhe nuk ka ndonjë plan B, C, D, apo E, siç deklaron ministri francez i Financave, Michel Sapin, duke u dhënë përgjigje spekulimeve të bëra. Këtë qëndrim ka deklaruar edhe austriaku Hans Jörg Schelling. Vetëm ministri i Financave të Sllovenisë, Mramor Dusan, ka kërkuar që të diskutohet edhe mundësia e një plani të dytë për mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona, në rast se nuk arrihet marrëveshje për reformat e kërkuara apo një paketë e re e ndihmës financiare. Një plan „B”, mund të jetë i mundshëm për të gjitha variantet. Këtë plan e ka bërë të njohur më parë „Financial Times”.

Greqia ka mobilizuar rezervat e saj të fundit
Parlamenti grek ka miratuar planet e Qeverisë, duke normuar kontrollin e të ardhurave të tyre buxhetore nga Banka Qendrore. Parlamenti ka miratuar dekretin 156 pro dhe 104 kundër. Me këtë masë është synuar që të mobilizohen burimet e fundit financiare për të përballuar një fazë të mundshme të moslikuidimit. Mbledhja e Parlamentit është vënë nën kritikën e opinionit publik dhe është protestuar nga punonjësit komunalë dhe shoqatat përkatëse. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje se, në rast se Greqia del nga Eurozona, kërcënon deflacioni, hiperinflacioni. Njëkohësisht këshillon grekët, në rast të një monedhe të re, të vendoset vlera e saj në krahasim me euron. Vetëm kështu do të mund që FMN të vlerësojë atë monedhë dhe aftësinë e Greqisë për të konkurruar në tregun botëror. Qeveria greke do të duhet në një rast të tillë të përcaktojë një tregues të inflacionit dhe rritjen e përqindjes së kreditimit.
Tsipras tërhiqet nga premtimet elektorale
Shefi i qeverisë së Greqisë, Alexis Tsipras, ka deklaruar në median gjermane, në gazetën “Bild”, se tërhiqet nga premtimet kryesore të bëra në programin elektoral të partisë së majtë, tregohet më objektiv në vlerësimin e situatës së rëndë të borxheve dhe publikon një listë të re sekrete me reforma. Ai tregohet më i përgjegjshëm ndaj kërkesave të kreditorëve ndërkombëtare, kërkon të fitojë besimin e tyre për ndihmën financiare që kërkon nga kreditorët ndërkombëtarë, si dhe për detyrat që qeveria do të realizojë në të ardhmen.
Në programin e ri parashikohen shkurtimi i pensioneve, tatime për luksin dhe privatizimi. Me këtë qëndrim të ri, Tsipras synon të realizojë marrjen e këstit të fundit të ndihmës prej 7,2 miliardë eurosh të programit të dytë të ndihmës për Greqinë. Sipas të dhënave nga burime qeveritare greke, Tsipras tërhiqet nga plani i tij, që bazohej në premtimet kryesore të bëra në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, për rritjen e pagës minimale dhe forcimin e të drejtave të punonjësve. Edhe dalja para kohe në pension ndërpritet, si edhe shtesat në pensione do të shkurtohen. Tsipras dëshiron, megjithatë, të vendoset një taksë për udhëtimet luksoze të personave që do të vizitojnë ishujt grekë. Me këtë masë synohet që të reagohet ndaj rritjes së taksave të kërkuara nga Eurogrupi, për të cilat pati kundërshtim të gjerë popullor. Sipas të dhënave të gazetës “Bild”, do të vazhdojë edhe privatizimi i objekteve të rëndësishme shtetërore të ndërtesave dhe të ndërmarrjeve ekonomike për të bërë pagesat e borxheve.
Këto plane do të bëhen më të qarta në mbledhjen e Eurogrupit, më 30 prill 2015. Për t’u theksuar është fakti se qeveria e Greqisë kësaj radhe po tregohet e përgjegjshme për gjendjen e rëndë dhe ndryshon politikën e konfrontimeve me kreditorët ndërkombëtarë, Eurogrupin dhe Komisionin e Bashkimit Europian. Kuptohet se nuk kanë dhënë rezultat iluzionet për ndihmë në kredi nga Moska, si dhe nuk është arritur marrëveshje
me Kinën për marrjen e 15 miliardë dollarëve kredi. Shpresojnë që qeveria e majtë greke të realizojë këtë ndryshim në bashkëpunim edhe me Bashkimin Europian, Eurogrupin, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të hapë perspektivën e fuqizimit të ekonomisë, balancimin e buxhetit shtetëror dhe përmirësimin gradual të kërkesave të popullit për punësim dhe të ardhura financiare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura