Tryeza që përmbysi kartat

Jan 19, 2020 | 11:37
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

Shumëkush ka të drejtën e tij ta perceptojë dhe ta interpretojë tryezën e reformës zgjedhore, në të cilën opozita imponoi autoritetin e saj për të qenë vendimmarrësja kyçe, sipas emocioneve dhe këndvështrimeve të veta.

Shumica e tyre, sidomos ato kundërshtuese, qartazi shprehin një lloj padurimi për largimin sa më parë të Ramës dhe në këtë këndvështrim janë të sinqerta dhe përkrahëse të opozitës dhe duhen konsideruar me pozitivitet. Përjashtuar këtu ngazëllimin plot jargë të atyre që kanë zënë pusi prej kohësh e presin të nxjerrin helmin e radhës.

Përtej tyre, opozita realizoi lëvizjen e duhur në momentin e duhur, në një kohë kur dhe vetë Rama i vënë nën presion të fortë ndërkombëtar, nuk e priste dhe nuk e dëshironte.
E vetmja derë shpëtuese për Ramēn para kushteve të forta të Bundestagut, të cilën ai e proklamonte me sa mundte, ishte mosulja e opozitës në reformën zgjedhore, të diktuar hapur nga gjermanët dhe pjesa tjetër e faktorit ndërkombëtar.

Mos harrojmë që një ndër investimet më të mëdha kërkuese të vetë opozitës përgjatë betejave të saj, ishte dhe është çlirimi i zgjedhjeve dhe dekriminalizimi i tyre tërësor, përmes një procesi reformator thelbësor.

Në këtë pikë pavarësisht zhurmës së stisur mediatike për dorëzim, ulja e opozitës duhet parë si një akt i pastër beteje i rradhës, ballë për ballë, për kauzat e saj, që tashmë duken të futura në hullinë e zgjidhjes. Tryeza është vazhdim i luftës së saj me mjete të tjera efikase politike dhe ajo nuk nxjerr jashtë skemës as djegien e mandateve dhe nuk përjashton as protestat e fuqishme të saj.

Tryeza thjesht i jep formë zgjidhjes dhe bindjes që Rama është një humbës i paralajmëruar dhe rrugëdalja e tij e rradhës për të mbetur ende në politikë, është dorëzimi i pushtetit.

Kartat e lojës politike u përmbysën kështu sa hap e mbyll sytë dhe i humburi në këtë situatë është pikërisht ai që vrapoi i pari të japë lajmin e nxituar sipas të cilit kundërshtari Basha dhe PD u tërhoqën. Rama iu nënshtrua padashje instiktit të tij mafioz, sipas të cilit ai që jep lajmin hipokrit ai është dhe i eleminuari i domosdoshëm.

AS-at që Rama dikur i tundte me zhurmë para botës, ranë një e nga një dhe tani i duhet të ketë në tryezë vetëm një Q-upë dhe një Gjiknur-xhol bardh e zi.

Tryeza tani mban aromën e humbjes për Ramën dhe i ngjason tashmë një vagoni treni ku firmosen kapitullimet. Reforma kërkon domosdo zgjedhje të parakohshme si mekanizëm për të zgjidhur krizën e ulur këmbëkryq. Aq më tepër Rama e di mirë domethënien e një ulje të tillë të mbikqyrur. Ngjarjet e dikurshme nuk janë larg.

Krokodili, restoranti i famshëm nga ku nisi dhe ecja e tij me përkrahje, drejt pushtetit, ende nuk është shuar në kujtesën e tij dhe Sheratoni ngjan si dy pika uji me të.
Atëhere në opozitë, me sebepin e qarkut të Fierit, Rama mbante jashtë parlamentit opozitën e tij dhe refuzonte miratimin ligjeve që i hapnin rrugë statusit të vendit kandidat.

Ulja e Ramës me shtytje ndërkombëtare në atë tavolinë, krijoi, megjithëse në një pikë të ulët të kredencialeve të tij, premisën e ecjes drejt pushtetit. Por në të gjithë këtë ngjashmëri që dhe e tillë është tronditëse për të, ka një fatalitet që ai nuk e shmangi dot.

Tek Krokodili Rama shoqërohej nga Gjiknuri me duar në xhepa dhe ai sipas shprehjes së famshme, vetëm njëherë mund t’i kalojë kundërshtarit nën mustaqe. Ajo ndodhi asokohe, për shkak të shumë rrethanave politike të pathëna. Sot nuk mund të ndodhë më. Njeriu i njohur dhe i provuar si shit-blerës i votës, i ka të zbuluara kartat mbi tavolinë dhe ka humbur çdo centimeter dinjiteti për të qenë palë e besueshme.

Aq më pak mund të jetë e besueshme karta e “opozitës së re”, e përfaqësuar nga deputetë pa elektorat, por me ambicie të sëmura personale. Sejmenët e rinj krenohen në të gjithë këtë situatë vetëm me një çjerrje të vogël. Atë të listave të hapura, pasi vetë nuk janë as parti politike.

Kërkesa duket krejt absurde, sepse përfaqësuesë politikë që nuk përfaqësojnë asnjë pjesë elektorati janë ata vetë. Pra, njerëzit më zero elektorat, pardoksalisht kërkojnë lista për t’u votuar nominalisht.

Asgjë për t’u cuditur, sepse ky rol i është caktuar sipas vlerës së kartës që tanimë, me detyrimin e mazhorancës për të pranuar me të drejta të plota në tryezë opozitën e vërtetë, duket tërësisht e djegur.

Xholi i vendosur në tavolinë, pa kartat e tjera dhe me kartat e mbetura të hapura, duket qartë se e ka të humbur davanë. Ai bashkë me Rudinën nuk mund të lajnë as njëri-tjetrin më e as fytyrën e vrerosur të Ramës, pavarësisht se janë, secili sipas mënyrës së vet, duart e gjata të tij.

Tryeza i përmbysi kartat….

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura