Trump zbut tensionet: Shumë shpejt një takim i dytë me Kim Jong Un

Sep 24, 2018 | 23:47
SHPËRNDAJE

Pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump tha se do të mbajë “shumë shpejt” një takim të dytë me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, sekretari i tij i shtetit u tha gazetarëve se një takim i tillë do të kishte “vlerë të madhe” dhe se është i bindur që do të realizohet.

Pavarësisht përmirësimit të lidhjeve midis Uashingtonit dhe Phenianit, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike, Koreja e Veriut nuk besohet të ketë ndërmarrë ndonjë prej hapave të premtuar drejt heqjes dorë nga arsenali bërthamor.

633D673B-5ECA-42BC-B5B6-6E6A46700F76_w1023_r1_s

Diplomacia vazhdon “ta ndihmojë Kryetarin Kim për të mbajtur premtimin që i bëri Presidentit Trump në Singapor” gjatë samitit të parë, tha sekretari i shtetit Mike Pompeo.

“Jam i bindur se kjo do të ndodhë”, u përgjigj zoti Pompeo pas skepticizmit të shprehur nga gazetarët gjatë një konferencë shtypi të hënën së bashku me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara Nikki Haley.

Por, tha ai, do të ishte marrëzi të caktosh një datë të sigurt për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Ai shtoi se pret të shkojë përsëri në Phenian para fundit të vitit për të organizuar një samit të dytë.

Sekretari i shtetit nuk pranoi të diskutonte për çështje konkrete të fërkimit mes dy palëve apo në çfarë mase po bisedojnë dy vendet për çmontimin e programeve bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë veprimi të Koresë së Veriut.

“Janë shumë gjëra që po ndodhin,” tha zoti Pompeo. “Ne nuk do të flasim për gjendjen e negociatave.” Por ai tha se qëllimi mbetet denuklearizimi i plotë, i verifikueshëm, i pakthyeshëm i Koresë së Veriut.

Po të hënën në Kombet e Bashkuara, zoti Trump përmendi “përparimin e jashtëzakonshëm” të administratës së tij me Korenë e Veriut.

Presidenti përmendi një “letër të mirë”, siç u shpreh ai, që i ka dërguar atij Kim Jong Un kohët e fundit, në të cilën udhëheqësi i Koresë së Veriut kërkon një takim të dytë.

Një vit më parë, Presidenti Trump përdori një fjalim në OKB për të kërcënuar me “shkatërrim të plotë” Korenë e Veriut.

Që atëherë zoti Trump e ka ndryshuar tonin. Pas takimit të tij historik me Kim Jong Un në qershor, presidenti këmbënguli se ishte arritur një marrëveshje sipas së cilës Koreja e Veriut do të braktiste armët e saj bërthamore.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit prej kohe kanë dyshuar në sinqeritetin e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe përfaqësuesve të tij kur është fjala për heqjen dorë nga programet e tyre bërthamore, por drejtorja e CIA-s Gina Haspel tha të hënën se tani mund të ketë arsye për shpresë.

“Duket se ka shenja se Kim Jong Un, kryetari Kim, kupton dhe dëshiron të ndërmarrë hapa për të përmirësuar gjendjen ekonomike të popullit të Koresë së Veriut”, tha zonja Haspel në Universitetin Louisville të Kentakit, dalja e saj e parë publike që nga konfirmimi si drejtore e agjencisë së zbulimit në muajin maj./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura