Trump kërkon dorëheqjen e Kryetarit të Komisionit të Zbulimit

Oct 7, 2019 | 19:29
SHPËRNDAJE

Fillimi i hetimeve nga ligjvënësit demokratë ndaj Presidentit Donald Trump, e ka shndërruar Ligjvënësin Adam Schiff në një objektiv të shpeshtë të mesazheve në Twitter të Presidentit. Si Kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësi Schiff udhëheq hetimin historik të pretendimeve se Presidenti Trump ftoi ndërhyrjen e një fuqie të huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, na sjell më shumë hollësi rreth njeriut që mund të përcaktojë drejtimin e presidencës Trump.

Një mesazh i Kongresit drejtuar Presidentit…

“Ne nuk po tallemi këtu…”.

Kjo frazë e kreu të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, shkaktoi përgjigje të menjëhershme…

“Nuk e quajmë kot Schiff-i dredharak. Ai është një mashtrues dredharak”, deklaroi Presidenti Trump.trump

Presidenti Trump bëri thirrje për hetimin e personit që tashmë drejton procesin hetimor për shkarkimin e Presidentit, pasi një informator raportoi se Presidenti kërkoi ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e 2020-tës.

“Raportimi na jep një pamje shumë të mirë të akuzave që duhet të hetojmë”, tha Ligjvënësi Schiff.

Megjithëse Presidenti mund t’u vërë nofka ofenduese ligjvënësit Schiff dhe shumë prej kundërshtarëve të tij, demokrati Schiff ka përgjithësisht një reputacion të mirë në Kapitol.

“Mendoj se ai transmeton ndjesinë e dinjitetit dhe qytetarisë në punën që bën në komision”, thotë Steven Billet, i Universitetit George Washington.

Zoti Schiff pati shërbyer si prokuror në Kaliforni, përpara se të fillonte një karrierë në politikë. Kjo përvojë e tij në të shkuarën është e dukshme ndërsa po heton Presidentin Trump.

“Presidenti kërkon që ta përqëndrojë të gjithë vëmendjen tek informatori dhe se njerëzit që paraqesin evidencë për shkeljet e tij janë tradhëtorë, dhe se duhen trajtuar si tradhtarë dhe spiunë. Kjo është haptazi një përpjekje për të frikësuar dëshmitarët. Është një thirrje për dhunë”, tha Ligjvënësi Schiff.

Por, paraqitja që zoti Schiff bëri për telefonatën e Ukrainës shtangu shumë njerëz dhe shtyu Presidentin Trump të kërkojë dorëheqjen e tij.

“E sajoi. Mori mikrofonin dhe përpara popullit amerikan dhe Kongresit bëri një paraqitje të fjalëve që Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk i tha kurrë. Kjo duhet të jetë patjetër një shkelje penale. Ai duhet të dorëhiqet”, tha Presidenti Trump.

Zoti Billet thotë se kjo ishte një lëvizje e gabuar e Ligjvënëst Schiff.

“Mendoj se ishte një gabim i tmerrshëm. Ky nuk është një rast ku njerëzit vlerësojnë zgjuarsinë. Mendoj se dëshirojnë një lexim të drejtë të çështjes dhe një prezantim të drejtë të aspekteve të saj”, thotë zoti Billet.

Demokratët synojnë ta përfundojnë hetimin deri në fund të vitit, ndoshta me një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për hetimin. Kjo i jep Ligjvënësit Schiff vetëm disa muaj kohë deri në momentin që shihet si pika kulmore e karrierës së tij./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura