“Trukoi ndeshjen”/ Trajneri i Kombëtares së Femrave pjesë e grupit “Bajri”, u zbulua rastësisht nga…

Sep 23, 2018 | 14:32
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Futbolli dhe sporti në përgjithësi morën një goditje të rëndë ditën e djeshme, kur Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan se mes 11 të arrestuarve si pjesë e grupit famëkeq të Safet Bajrit, ishte edhe trajneri i Kombëtares Shqiptare të Femrave, Armir Grimaj.

Ky i fundit është prangosur nga Policia, pasi dyshohet për trukim ndeshjesh. Grimaj gjendet në paraburgim tashmë dhe pritet që ditën e hënë të dalë për vlerësim të masës së sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Arrestimi i Grimajt godet fort reputacionin e Kombëtares së Femrave, por edhe të FSHF-së, aq më tepër kur risjell në vëmendje skandalin e trukimeve të ndeshjeve.

Burime pranë grupit hetimor, thonë për “Panorama”, se Armir Grimaj është zbuluar rastësisht nga përgjimet telefonike. Kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas sinjalizimeve të ardhura nga autoritetet belge dhe holandeze, kishte vënë nën përgjim Safet Bajrin që prej gjashtë muajsh. Bajri dyshohej si koka e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte në Shkodër dhe jashtë Shqipërisë, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimit të parave, gjobëvënieve etj.

Gjatë përgjimeve telefonike të Safet Bajrit, në vëmendje të hetuesve ka ardhur një telefonatë e pazakontë e tij në drejtim të trajnerit Armir Grimaj. Bëhej fjalë për një ndeshje të kategorive inferiore, ku kërkohej ndërhyrja e Grimajt për një rezultat të paracaktuar.

grimaj

 

TRUKIMI

“Panorama” mëson se ndeshja, për të cilën akuzohet trajneri i Kombëtares së Femrave, Armir Grimaj, është ajo e luajtur më datën 5 maj të vitit 2018 mes Vllaznisë B dhe Tërbunit. Ndeshja ishte përcaktuese për Vllazninë B, e cila kërkonte që të mbijetonte në Kategorinë e Parë, në grupin B të saj.

Ajo konsiderohej si finale për shkodranët. Përgjimet telefonike të Safet Bajrit tregojnë se ky i fundit i ka telefonuar Armir Grimajt përpara ndeshjes dhe i ka kërkuar që të ndërhyjë te Tërbuni në mënyrë që të toleronin në atë ndeshje. Tërbuni kishte disa lojtarë shkodranë dhe Grimaj, dyshohet se ka përdorur influencën e tij që gjërat të shkonin mirë për Vllazninë. Menjëherë sa fillon ndeshje, Hllunaj kalon Vllazninë në avantazh në minutën e nëntë, ndërsa 9 minuta më pas, Hajdari dyfishon. Në pjesën e dytë, Gjini shkurton diferencën dhe Vllaznia B fiton duelin e mbijetesës me Tërbunin duke kaluar në Play-Out me Orikumin, ku e mposht edhe këtë të fundit.

Gjithçka komplikohet me rënien e Vllaznisë nga Kategoria Superiore. Rregullat nuk lejojnë dy ekipe zinxhirë të luajnë në të njëjtën kategori dhe Vllaznia B ra një kategori më poshtë, për t’i hapur vendin ekipit të parë. “Panorama” mëson gjithashtu, se në përgjime, Grimaj flet edhe për shpërblime për rezultatin e asaj ndeshjeje me Tërbunin. Nëse Grimaj shpallet fajtor për trukim ndeshjesh, ai rrezikon një dënim nga gjobë deri në 7 vjet burgim. Por në rast se akuza provohet në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, atëherë ai rrezikon deri në pesë vjet burgim sipas Kodit Penal.

Në pranga portieri, ishte pjesë e “të fortëve” të Shkodrës

Sporti mori një goditje tjetër të rëndë ditën e djeshme, përveç arrestimit të trajnerit të Kombëtares së Femrave, Armir Grimaj, është arrestuar edhe futbollisti profesionist Fabiol Rexhepi. Ish-portieri i Vllaznisë, dhe aktualisht i Besëlidhjes së Lezhës, dyshohet se është pjesëtar i grupit të Safet Bajrit. Portieri 27-vjeçar u arrestua gjatë aksionit madhor të koduar “Oaz” në qytetin e Shkodrës.

Fabiol Rexhepi

Ndryshe nga Grimaj, Rexhepi nuk dyshohet se ka trukuar ndeshje. Megjithatë, ai ka qenë pjesë e skuadrës së Tërbunit në ndeshjen e trukuar me Vllazninë dhe që nga ajo ndeshje, ai nuk ka luajtur më me atë skuadër dhe është transferuar të Besëlidhja. Burime brenda grupit hetimor thonë për “Panorama”, se Rexhepi dyshohet se ishte pjesë e grupit që vendoste gjoba nëpër tregjet e Shkodrës. Pra, ai ishte pjesë e grupit të të fortëve që mblidhnin “taksa” me dhunë te tregtarët në Dobraç.

Megjithatë, detaje më të shumta për rolin e tij në grupin e Safet Bajrit do të bëhen të ditura kur të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për masë sigurie. Rexhepi është një prej 11 personave të arrestuar në operacionin “Oaz”, i shtrirë në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam të Holandës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura