Tronditet bota e sportit/ Pësoi vdekje klinike disa ditë më parë, koronavirusi i merr jetën ish-trajnerit të Kombëtares së boksit

Apr 5, 2020 | 19:22
SHPËRNDAJE

Ish-trajneri i Kombëtares së boksit, Skënder Kurti, ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Spitalin Infektiv, duke e çuar numrin e viktimave nga virusi në vend në 21.

Disa ditë më parë, Kurti pësoi vdekje klinike, por u arrit të mbahej gjallë me aparatura.

kurti

“Pacienti 61-vjeçar i raportuar nga Spitali Infektiv ka pësuar vdekje klinike, mjekët bënë përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë, Por gjendja mbetet tepër e rëndë!”, njoftonte Ministria e Shëndetësisë, disa ditë më parë.

Përveçse një trajner tepër i përkushtuar dhe i suksesshëm, Kurti ka qenë gjithashtu edhe boksier kampion me ekipin e Tiranës.
Skënder Kurti ka luajtur me dhjetëra ndeshje boksi brenda dhe jashtë vendit. Ai cilësohej si një ndër boksierët më të mirë në vend kur ishte i ri.
Për disa vite ka qenë zv.trajner dhe më pas mori drejtimin e ekipit të boksit në Tiranë. Janë me dhjetëra titujt që ka fituar brenda vendit si boksier, por edhe si trajner.

“Ka ndërruar jetë sot në Spitalin Infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët, 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë.

Skender-Kurti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura