Tronditet bota e futbollit, Ronaldo e Ozil “viktimat” e para

Dec 3, 2016 | 13:49
SHPËRNDAJE

Revista e përjavshme gjermane “Spiegel” ka lëshuar një “bombë” në botën e futbollit. Një njoftim në faqen e internetit ka bërë me dije se në javët në vazhdim do të publikohen fakte tronditëse mbi evazionin fiskal galopant në botën e futbollit, duke filluar me dy emra të mëdhenj, Kristiano Ronaldo dhe Mesut Ozil.

ozil-ronaldo-665x484

Sajti i njohur “Football Leaks”, që publikon informacione financiare nga bota e futbollit, i ka vënë në dispozicion revistës së njohur gjermane një sasi të dhënash prej 1.9 terabajtësh, që përmban 18.6 milionë dokumente ku përfshihen kontrata origjinale futbollistësh, marrëveshje sekrete, postë elektronike, tabela “Excel” dhe dokumente “Word”.

Gjatë 7 muajve të kaluar, një skuadër e punonjësve të “Spiegel”, së bashku me rreth 60 gazetarë të Rrjetit Europian të Bashkëpunimit Investigativ, kanë analizuar rrjedhjen më të madhe të informacionit në historinë e sportit. Në listë nuk mungojnë edhe personazhe të tjerë të botës së futbollit si Zhoze Murinjo, apo klubet italiane si Juventusi, Interi, Milani, Roma, Napoli dhe Torino.

<> at Vicente Calderon Stadium on February 7, 2015 in Madrid, Spain.

Ronaldo

Portugezi dyshohet se ka transferuar rreth 70 milionë euro në një llogari të dyshimtë në Ishujt Virxhin, një parajsë fiskale në Karaibe. Ndërkohë, 74 milionë euro të tjera i ka transferuar në një llogari sekrete në Zvicër, në fund të vitit 2014. Bëhet fjalë për një kontratë që ka firmosur me biznesmenin nga Singapori, Peter Lim, për të drejtat e imazhit nga viti 2015 deri në 2020. Por, pikërisht për këtë marrëveshje, ai ka deklaruar se ka përfituar shumë herë më pak dhe si rrjedhojë ka paguar shifra tejet minimale si taksa mbi fitimin. Qindarka, nëse e krahason me sasinë që duhet të derdhte në arkën e shtetit.

Mou

Murinjo

Një tjetër personalitet që është përfshirë dhe që pritet të jetë ndër të parët që do denoncohet për fshehjen e të ardhurave është pikërisht trajneri portugez. Ai i ka ricikluar paratë në të njëjtën mënyrë si edhe bashkatdhetari i tij, Ronaldo. Shoqëria e tij personale, siç raporton “Football Leaks” quhet “Koper Services” dhe është regjistruar në të njëjtën adresë me atë të Kristianos.

Të dyja e kanë selinë në një ndërtesë dykatëshe në “Plaza Vanterpool”, në qytezën e Roud Taun, në Ishujt Virxhin. Në vitin 2014, Prokuroria spanjolle nisi një hetim për “Specialin”, pasi dyshohej se kishte fshehur të ardhurat. Për të mbyllur atë çështje, ai duhet të paguajë 5.5 milionë euro, mes taksave dhe gjobave.

Road Town

Klubet

Duke nisur nga 4 dhjetori, do të nisin publikimet e dosjeve sekrete. Por, nuk do jenë vetëm futbollistë apo trajnerë ata që pritet ta pësojnë. Lajmërohet se klube të fuqishme të kontinentit do kenë gjithashtu probleme me dokumentacionet që do publikohen, pasi vërtetohet që edhe prej tyre ka pasur evazion fiskal. Përveç klubeve italiane të sipërpërmendura, ka edhe nga kampionate të tjera elitare. Por, gjithçka do zbulohet në vazhdimësi…

Nejmar, Maskerano e Mesi, e gjithë Barcelona e akuzuar

Një nga klubet më të tronditura nga skandalet e fundit financiare ka qenë pa dyshim Barcelona. Në faktet e zbuluara nga “Panama Papers”, por pa harruar edhe miliona euro të mos paguara ndaj fiskut spanjoll, në shënjestër përfunduan shumë, por realisht shumë figura. Lionel Mesi ishte një ndër të akuzuarit që bëri më shumë zhurmë. Ndonëse vetë lojtari nuk ishte në dijeni, ishte babai i tij që kishte fshehur të ardhurat nga imazhi i djalit, apo edhe zhvillimi i miqësoreve të ndryshme për bamirësi, për një shumë prej afro 5 milionë eurosh.

Ndërkohë, nën akuzë ka përfunduar së fundmi edhe Samuel Eto, për mospagesë taksash ndaj shtetit spanjoll, e cila mund t’i kushtojë deri në 10 vjet burg, ose kamerunasi duhet të paguajë një gjobë 14 milionë euroshe. Nejmar gjithashtu është një nga të akuzuarit e tjerë. Ai ka nisur të paguhej pa u deklaruar nga Barcelona që kur luante te Santosi vetëm për të firmosur me Barçën, por pasi kjo prapaskenë u mësua, braziliani ka një çështje gjyqësore të hapur, e cila mund t’i kushtojë burgun nëse nuk paguan dëmet. Sa shumë miliarderë që shkelin ligjin…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura