Triumfi i Mid’hat Frashërit

Nov 13, 2018 | 12:03
SHPËRNDAJE

ERALD KAPRI/ erald-kapriImagjino pak! Je djali i Abdyl Frashërit i dënuar nga perandoria e “qoftëlargut” për organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe babain e sheh për herë të parë kur mbush 5 vjeç. Më pas, ai të arsimon çdo ditë në shtëpi, të mëson historinë, politikën, gjeografinë. Letërsinë dhe stilistikën ta mëson Naim Frashëri dhe gjuhët e huaja, gramatikën, Sami Frashëri.

Tashmë je 13 vjeç dhe di 6 gjuhë të huaja: frëngjisht, gjermanisht, greqisht, turqisht, arabisht dhe persisht.

Sapo mbush 17 vjeç, themelon një bibliotekë personale, e cila në fund arrin një volum prej 40 mijë librash, duke mbledhur mjeshtërisht antikuarë që sot kanë vlerë të padiskutueshme për studimet albanologjike, miliona dollarë.

Shkruan në gazetën “Albania” të Faik Konicës dhe 18 vjeç themelon gazetën kulturore “Kalendari Kombiar”. Shkruan për rëndësinë e bashkimit të kombit shqiptar përmes dijes e kulturës dhe hedh pak nga pak themelet e një konservatorizmi modern, që për bazë ka Adam Smithin dhe Benjamin Franklin.

Po në këtë moshë, Faik Konica të propozon të jesh nënpresident i një Komiteti jashtë Shqipërisë për zbatimin e një programi për përlindjen e kombit.

21 vjeç bëhesh hartuesi i parë i teksteve shkollore në gjuhën shqipe të vitit 1901, shoqëruar me gazetën “Lirija”.

28 vjeç mbledh të gjithë dijetarët e kohës dhe përcakton alfabetin e gjuhës shqipe me germa latine, duke i kthyer shqiptarët drejt perëndimit, në momentin më kritik të vendit. Këta dijetarë të zgjedhin kryetar të këtij Kongresi, i njohur si Kongresi i Manastirit. Pas kësaj themelon revistën “Diturija” që shërben për të formuar mësuesit e gjuhës shqipe.

32 vjeç je firmëtar i Pavarësisë dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, ku për arsye thellësisht kombëtare heq dorë nga kabineti dhe themelon institucionin e dorëheqjes në shtetin e ri shqiptar me sjellje shtetari.

“Zotit kryetar të Qeverisë së Përtanishme Disa shkaqe të veçanta, meqenëse më ndalojnë të punoj, ju lutem fort shumë që të pranoni lënien nga kabineti i Qeverisë së Përtanishme. Kjo heqje nga puna, ju siguroj, nuk do më ndalojë të jem, si gjithnjë, një shërbëtor i përulur dhe besnik i kombit tim.

Duke të kërkuar ndjesë, të lutem, zoti kryetar, të pritni të falurat e mija me nder të madh.
Mid’hat Frashëri
Ministër i Punëve të Përgjithshme
Vlorë, 30 Mars 1913″

Njëkohësisht je shkrues i disa veprave letrave e dramave dhe themelon këtë gjini në gjuhën shqipe. Gjithashtu, themelon gjininë e reportazheve.

Më pas përfaqëson Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe je njëkohësisht hartuesi i disa prej raporteve të rralla të problemit shqiptar në Ballkan në disa gjuhë të botës, botuar kryesisht në Lozanë të Zvicrës.

Të propozojnë të bëhesh ambasadori i parë i Shqipërisë në SHBA, por nuk e pranon me përulje dhe kërkon të shërbesh në misionin më të vështirë diplomatik, në Athinë. Prej vitit 1923-1926 shërben si ambasadori fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi dhe je njëkohësisht themelues i diplomacisë aktive shqiptare. Arrin të bindësh autoritetet greke të hapin shkollat shqipe në trevën e Çamërisë dhe i hap rrugën njohjes së minoritetit shqiptar në Greqi në vitin 1926, me pranimin nga Kryeministri grek Pangallos. Puna e nisur finalizohet në vitet ‘30 me Mbretin Zog, i cili zgjidhi të gjitha çështjet e hapura me shtetin grek, që nga autoqefalja e Kishës Orthodokse shqiptare.

Ky ishte Mid’hat Frashëri. Gjeniu i Kombit Shqiptar.

Vitet e Mbretërisë tërhiqet nga jeta aktive dhe u përkushtohet tërësisht studimeve albanologjike, duke u bërë referenca e parë për çdo studiues për çështjet shqiptare. Ishte Mid’hat Frashëri, ai i cili mblidhte çdo punë të albanologut më të madh, Milan Shuflait, të cilit autoritetet serbe i zhdukën arkivën.

Pushtimi fashist e gjeti në Tiranë dhe menjëherë nisi përpjekjet për themelimin e Ballit Kombëtar, një organizatë kombëtare, e cila kishte për detyrë të mbante gjallë frymën kombëtare. U bë themelues i nacionalizmës shqiptare dhe pranë Ballit Kombëtar mblodhi intelektualët më të njohur të vendit, pavarësisht bindjeve politike.

Qëndrimi i tij gjatë luftës është unikal. Gjithnjë paqësor dhe asnjëherë luftënxitës ndaj çdo grupi mes shqiptarësh. Ideatori i Marrëveshjes së Mukjes, e cila në thelb kërkonte bashkimin e shqiptarëve nën trojet etnike. Në asnjë dokument dhe asnjë rrethanë nuk përmendet bashkëpunim me pushtuesin e huaj. Aleatët britanikë ruanin një respekt të madh për dijetarin shqiptar e madje legjitimuan tërësisht qëndrimin e tij paqësor.

Në përfundim të luftës, Frashëri u trajtua si një aset për amerikanët dhe britanikët, të cilët njohën Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe nënvizuan në veçanti faktin që Mid’hati ishte figura e vetme shqiptare që mund të krijonte një qeveri në mërgim të gjithëpranuar.

Është për të ardhur keq që në shtypin e ditës sheh reagime nga më qesharaket; nga Hila me hile apo ndonjë tjetër me copa letre të CIA-s me gafa amatoreske, që merren nga dosjet operative të arkivit online

Fuqia e Frashërit buron te fakti se koha i dha të drejtë në çdo gjë, madje shpeshherë në terma profetike. Për mendimtarin shqiptar, Kosova do të fitonte pavarësinë falë një ndërhyrjeje ndërkombëtare. Shqipëria do të çlirohej nga komunizma e drobitur dhe rreziku më i madh do të ishte se “Shqipëria mund të kthehet në një kafene të madhe”.

Ndaj, forca e tij e mendimit i tejkaloi të gjithë, duke i lënë vendit të vet pasurinë më të madhe shpirtërore e duke iu lënë atyre që e mohojnë, trashëgiminë e krimit që si me pahir iu rri sërish pas si damkë krenarie.

Mid’hat Frashëri jetoi në katër kohët më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar e kudo gjendet kontributi i tij. Nga disa cilësohet si Ati i nacionalizmit shqiptar, nga disa si Ati i Gjuhës Shqipe, e nga disa të tjerë themelues i konservatorizmit shqiptar

Tek ndiqje në kohë reale pamjet televizive të “Zërit të Amerikës”, e shihje sesi Trupa e Nderit e Policisë së New York-ut shoqëronte arkëmortin e tij, ku qindra shqiptarë ishin mbledhur për ta përcjellë. Natyrshëm, të bënte përshtypje se edhe pas 69 viteve nga vdekja, është i vetmi që mund të mbledhë kaq shqiptarë.

Shteti amerikan e nderoi siç ia kishte për “borxh” shqiptarit të madh dhe ia ktheu Shqipërisë vetëm pasi një gjykatës amerikan u njoh me testamentin e tij. Pas 74 viteve që la tokën shqiptare, sot Mid’hati rikthehet në vendin e tij për të mos u ndarë më nga dheu ku la kokën.

Mirë se vjen Mid’hat! Pranë babait dhe xhaxhallarëve të tu dhe mes shumë qiparisave në kodrën më të bukur të Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura