Tritoli i Ramës dhe protesta e Bashës!

Jan 18, 2018 | 17:48
SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Zhurma e tymi i një pallati që u shemb vite më parë në bregdetin e tallazitur të qytetit të Vlorës, nën  kujdesin e veçantë të Kryeministrit të sapokurorëzuar, Edi Rama, kumbon ende dhe infekton me duhmën e vet ambientin mediatik e politik të Tiranës. Duke përdorur shtetin për t’i dhënë identitet e spikamë terbieti pushtetit të sapomarrë, Rama ia mbushi asaj binaje ndanë detit barkun plot e për plot me tritol, pasi më parë e kishte rrethuar si zonë krimi, paçka se aty jetojnë në shtëpitë e reja nja 19 familje të paqta e në punë të vet duke iu gëzuar valëve trazovaçe.

Me të bëri lajm e spektakël. Me të dha disa mesazhe. Të njëjtin tritol, disa vite më vonë, e ka futur në xhepat e pantallonave të Lulzim Bashës së dobësuar nga dertet e stinës për t’i hedhur në erë imazhin publik. Mjeshtërisht abuziv atëherë e sot ka qenë Kryeministri, të cilit aktet skenike e regjisoriale i pëlqejnë më shumë se vetë qeverisja. Mbi to e me to argëtohet e gëzohet! I shndrisin sytë si gaca prej kurthit që u ngre të tjerëve.

Kur i sheh me dy këmbët brenda, një rënkim kënaqësie i ngjitet lart dhe mimika i shtriqet prej kënaqësisë sepse triumfi i hiles zotnon thashethemnajën kombëtare, e cila spostohet artificialisht nga bëmat e ekzekutivit. Prej do kohësh, Lulzim Basha bie symbyllurazi në to. Ajo ndërtesë nuk u përzgjodh rastësisht. Ajo paskësh qenë pronë e vjehrrit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe e disa të tjerëve.

E ndërtuar me leje urbanistike të Bashkisë të qeverisur nga socialistët, mbi disa troje të mëparshme, e pajisur me hipotekë, pjesërisht e shitur, u zgjodh si simbol i një epoke të re hakmarrjeje dhe frikësimi. E kemi quajtur aso kohe një xhest jakobin e me gjasë edhe pas kaq vitesh mbetet i tillë. Për të po flitet ende, sidomos pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut për një kompensim prej 13 milionë eurosh për pronarët, banorët, ndërtuesit etj. Ky institucion i drejtësisë europiane e gjeti këtë rast në shkelje të plotë të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.

Një dhunim të paekuivok të pronës dhe të së drejtës e konsideroi ajo, ndaj ato para, meritueshëm, duhet të shkojnë tek ata që iu takojnë. Problemi është se fajin e vet në mënyrë manipulative, qeveria do ta hedhë mbi Lulzim Bashën në mënyrë që ato 13 milionë euro, të cilat duhet të merren nga buxheti, nga taksat tona, t’i shndërrohen atij si faturë etike e politike.

Duke pikasur ndjeshmëritë dhe diferencat sociale, ku shuma prej 13 milionë eurosh duket si një oqean ndarës mes njerëzve, propaganda e Ramës do ta shesë pikërisht dhunën e vet si vjedhje të Bashës ndaj shoqërisë. Jemi në fushën e një spekulimi të pastër para protestës, që po organizon opozita. Nëse do të ishte bindëse qeveria, do duhej të kishte nxitur Prokurorinë dhe institucione të tjera të hetonin mbi mënyrën se si u dha leja dhe a ka ndikuar Basha personalisht asokohe, me pushtetin si ministër që ajo te merrej?

Së dyti, mund të hetonte mbi pasurinë e vjehrrit të tij, si e ka vënë atë dhe a ka ndikim Lulzim Basha në shtimin e saj, nëse e kishte të ligjshme dhe si i ka kryer transaksionet financiare ai dhe ortakët e tij? Por, asgjë këso dore nuk ka bërë. Thjesht ka rrënuar një pronë të ligjshme për qëllime politike dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, qeveria po ua mvesh si kosto etike të dhunuarve të kësaj historie, sipas një mentaliteti të luftës së klasave.

Ky pallat po hidhet si ushqim për militantët dhe të trazuarit nga varfëria dhe padrejtësitë e përditshme. Nën rrënojat e tij, Rama projektoi me inteligjencë vendin ideal për të fshehur dështimet e veta si dhe tani llogoren nga ku mund të mbrohet nga vikamat e protestës opozitare. Lulzim Basha nuk është i larë në këtë histori. Ai duhet të marrë një mësim dhe një kosto. Erinda Ballanca, një avokate ndoshta e zonja, që ka mbrojtur këtë çështje duke e fituar kudo në Shqipëri dhe Strasburg, u zgjodh Avokate e Popullit pas marrëveshjes Rama-Basha të majit.

Ajo mund ta meritojë atë post, por ky akt tregon mendësinë tribale e banale, e cila sfidon çdo mundësi për karrierë të ndershme në këtë vend. Që të zgjidhesh, duhet t’i shërbesh familjes dhe familjeve. Një gjest, që flet sa njëqind fjalime. Një gjest, që e padit Kryetarin e Opozitës para mbështetësve të vet, të cilëve u kërkon rezistencë e sakrifica, por nuk u thotë sekretin, atë se si behet karrierë në PD-në e sotme!! Natyrisht, protesta, e cila pritet më 27 janar, e shqetëson qeverinë. Pas skandaleve të shumta që e kanë përfshirë atë, pjesëmarrja në tubim është një test i rëndësishëm edhe për të.

Arsye për të protestuar ka pafund, por mbi të gjitha, varfëria, papunësia, trafiku, korrupsioni, krimi, pasiguria si dhe kapja e institucioneve e bëjnë të domosdoshëm një reagim qytetar të përmasave të mëdha. Problem mbetet, gjithashtu, alternativa që është opozita. Ajo prej pesë vitesh, si e tillë, vetëm është përkeqësuar në koherencën e vet politike e në prurjet njerëzore. Kështu siç paraqitet ajo, nuk bind dhe nuk është e gatshme për pushtet.

Njerëzit përreth Lulzim Bashës, me disa përjashtime të vogla, janë nënmediokritete me doza të larta banaliteti të përzgjedhur prej tij vetëdijshëm, pikërisht për këto cilësi. Problemet e shumta të brendshme të çojnë te droja se protesta po përdoret si fasadë për të mbuluar këtë gjendje dhe për t’i dhënë një mundësi Lulzim Bashës për të shpëtuar karrigen e vet.

Gjithsesi, për të zbehur efektin dhe tulatur pjesëmarrjen në protestë, Edi Rama po merr çdo tullë nga pallati i shembur padrejtësisht prej tij e vjehrrit të Lulzim Bashës dhe me të po gjuan çdokënd që mendon se një proteste e madhe, e bezdis atë, por i bën mirë vendit. Konsumimi i historisë së pallatit të shembur, Lulzim Bashës duhet t’i shërbejë edhe për të kuptuar se jetëgjatësia e tij politike varet edhe nga mospërzierja në PD e asaj që është “res publica” me atë që është private. Një protestë e madhe e demokratike duhet.

Ajo e rrit hapësirën e lirisë dhe të mundësive. Kur të mbarojnë punë para Kryeministrisë, nuk do të ishte keq që qytetaret të ndalen para selisë së PD-së dhe të vikasin “surgite mortui”!!!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura