Tritol të liruarit nga burgu/ Policia dyshon hakmarrje, por pronari thotë se…

May 10, 2017 | 11:31
SHPËRNDAJE

Zbardhen detaje nga shpërthimi i djeshem në banesën e 35-vjeçarit, i liruar vetëm disa muaj më parë nga burgu. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 00:15 në katin e parë të një ndërtese trekatëshe.

vila1

Ky ambientet shërbente si lokal, ndërsa dy katet e tjera të sipërme si banesë për familjen e të dëmtuarit, shtetasit Fetah Mataj. I riu është një emër i njohur për policinë, pasi ai është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, shkruan “Panorama”.

Ngjarja shkaktoi panik në familjen Mataj, përfshirë këtu veç 35-vjeçarit që mendohet të ketë qenë shënjestra e një kërcënimi të mundshëm, edhe të gruas e fëmijëve të tij. Sipas Policisë, shpërthimi i sasisë së lëndës plasëse artizanale (rreth 150 gr) ndodhi në lagjen nr.15, e njohur ndryshe si zona e Porto Romanos.

vila

Fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit, nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Kryesisht është dëmtuar vetrata e përparme e lokalit që ishte në rikonstruksion e sipër.

Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, familja Mataj (Fetah Mataj, bashkëshortja dhe fëmijët) ndodheshin në katin e dytë dhe të tretë të objektit. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, saqë shkaktoi panik edhe ndër banorët e tjerë të lagjes, të cilët kanë sinjalizuar në sallën operative.

Menjëherë pas sinjalizimit në vendin e ngjarjes mbërriti Policia e Durrësit, e cila nisi hetimet për të mësuar motivin e vendosjes së lëndës plasëse.

tritol

Nga hetimet paraprake, bazuar edhe nga e kaluara e Fetah Matajt, ekspertët e hetimit dyshojnë se kemi të bëjmë me hakmarrje, pasi 35-vjeçari ka pasur disa incidente dhe konflikte me persona të tjerë në të kaluarën e tij.

Ai kishte dalë rreth 5 muaj më parë nga burgu. Mësohet se Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, më datë 28 shtator 2012, e ka dënuar me 5 vjet burg dhe 1.5 milionë lekë gjobë në mungesë, për shtrëngim me anë të kanosjes për të përfituar.

tritol1

Fetah Mataj u ndalua më 26 qershor të vitit 2011-të për tri gjoba të vendosura ndaj punonjësit (menaxher) të një kompanie private në Shkozet, ndërsa i bënte presion për gjobën e katërt në sasinë e 750 mijë lekëve të vjetër.

Ish-kryekontrollori i Parkut të Autobusëve në Durrës akuzohej se kishte detyruar 24vjeçarin t’i jepte këtë shumë parash. Mataj, i lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen nr.15 të qytetit të Durrësit, ishte denoncuar nga shtetasi A.D., i cili kishte deklaruar para forcave të rendit se ishte kërcënuar me jetë nga Mataj nëse nuk i jepte shumën e kërkuar. Fetah Mataj njihet si person me precedentë penalë të më parshëm.

Në vitin 2009 është arrestuar si sekser në një çështje korrupsioni me funksionarë të Bashkisë së Durrësit. Më pas, në protestat e 21 janarit Mataj rezultoi si një ndër personat që kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Ai u arrestua më 30 janar, por u la për t’u hetuar pozicioni i tij në gjendje të lirë.

durres1

DESHMIA

Fetah Mataj mohoi dje se kishte dijeni për autorët që vendosën lëndën plasëse në objektin e tij trekatësh në Porto Romano. Ai deklaroi se nuk ka konflikte të hapura me persona të tjerë, ndërsa kërkoi nga organet kompetente të hetohet ngjarja dhe të vihen para drejtësisë autorët e këtij shpërthimi.

“Nuk di çfarë të them, pasi nuk kam dyshime tek asnjë person. Kohët e fundit nuk kam pasur konflikte. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate. U tronditëm nga shpërthimi, pasi ishte i fuqishëm. Unë isha në katin e sipërm të objektit së bashku me familjen time në ato momente. Kërkoj nga autoritetet të hetojnë e ta zbardhin këtë ngjarje dhe të vihen para drejtësisë autorët që vendosën këtë eksploziv. Nuk kam pasur kërcënime apo telefonata anonime. Jam person që dal në qytet pa asnjë lloj problemi, sepse nuk kam konflikte me njeri”, u shpreh Fetah Mataj. Ai reagoi dje për mediat duke theksuar se nuk kishte dijeni rreth autorëve dhe motiveve.

durres1 durres2

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura