Tritol makinës së zyrtares së Arsimit, dëshmia: Jam e habitur, s’kam konflikte me askënd

Oct 12, 2017 | 13:58
SHPËRNDAJE

Një shpërthim i dyshuar me tritol ka tronditur qendrën e qytetit të Shkodrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:50 në zonën e këmbimit valutor, teksa një sasi lënde plasëse prej 200 gramësh është vënë nën një mjet tip “Volkswagen”, ngjyrë e bardhë, me targë AA 700 IY. Makina në të cilën është vendosur lënda plasëse e dyshuar si tritol është në pronësi të Frida Koplikut, me detyrë inspektore pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Shkodër. Mjeti i inspektores është dëmtuar në pjesën e poshtme dhe në pjesën mbrapa nga shpërthimi i lëndës plasëse. Si pasojë nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale të makinës së Koplikut. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të policisë bashkë me njësinë antieksploziv.

makina

Nga hetimet paraprake, policia ka konstatuar se shkak i shpërthimit është lënda plasëse e vendosur poshtë makinës. Sipas burimeve policore, tritoli është i ndërtuar me dorë në mënyrë artizanale dhe amatore. Kjo ka bërë që nga shpërthimi mjeti të marrë vetëm dëme të lehta. Sipas policisë në rast se sasia e dyshuar si tritol do të ishte vendosur në një mënyrë më profesionale, atëherë makina do të ishte hedhur në erë. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Për zbulimin e tyre pritet t’i vijnë në ndihmë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, që në këtë zonë të qytetit të Shkodrës janë të shumta për shkak të shumë bizneseve që gjenden aty. Sa i takon shkakut të ngjarjes, grupi hetimor nuk ka ende një pistë. Vetë inspektorja e DAR, Frida Kopliku, e ka mësuar lajmin e shpërthimit të automjetit të saj përmes mediave dhe pas kësaj ka shkuar në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë kishte ndodhur. Më pas inspektorja është marrë në pyetje, ku ka deklaruar se nuk e ka idenë se cilët janë autorët dhe se nuk ka ndonjë konflikt.

frida-1-696x392

“Nuk e kam idenë se kush e ka vendosur tritolin. Nuk kam probleme apo konflikt me askënd. Shpërthimin me tritol e mora vesh nga mediat dhe kam ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes. Jam e habitur për çfarë ka ndodhur sepse nuk ka asnjë arsye që të ndodhë një gjë e tillë. Ajo që kërkoj është që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë”, ka deklaruar ajo. Pavarësisht këtij deklarimi, grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes e lidh shpërthimin me detyrën e saj. Ndërsa, nga ana tjetër, bëhet e ditur se bashkëshorti i saj punon si inxhinier ndërtimi dhe nuk mban post në administratë. Institucioni i DAR nuk ka pranuar që të japë ndonjë sqarim mbi ngjarjen, duke thënë se ky shpërthim nuk lidhet me punën e drejtorisë dhe se nuk ka ndodhur në mjediset e DAR. Gjatë kohëve të fundit, në Shkodër ka pasur dhe shpërthime të tjera me lëndë plasëse. I pari është më 23 gusht, kur në një banesë në lagjen “Skënderbeg” u vendos një sasi tritoli, duke shkaktuar dëme vetëm te dera e hyrjes së një apartamenti. Në momentin e shpërthimit askush nuk ishte në banesë. Shpërthimi i dytë me tritol është para pak ditësh në një dyqan në qendër të qytetit, pranë ish-5 heronjve. Aty dyshohet se një konflikt pronësie mes kushërinjve solli edhe shpërthimin. Policia po heton ende për këtë ngjarje.

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura