Tritol makinës/ Fieraku flet për konfliktet: Nuk e dija që donin të më vrisnin…

Apr 24, 2018 | 19:54
SHPËRNDAJE

 MAJLINDA RAMA/ “Nuk kam asnjë konflikt, përveç mosmarrëveshjeve për pronat”. Kështu ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje i riu nga Fieri, të cilit iu bë atentat të shtunën e kaluar me eksploziv. Ervin Memo, nga ana tjetër, ka theksuar se nuk e di kush mund të fshihet pas kësaj ngjarjeje dhe se nuk priste që konflikti i familjes së tij për pronat me disa të afërm të arrinte deri në pikën e eliminimit fizik. tritol ne fier

“Nuk kam një person konkret tek i cili të dyshoj lidhur me këtë atentat. Jam i papërfshirë në konflikte. Edhe ato konflikte pronësie që kemi, nuk janë aq të rënda sa të donte dikush të më vriste”, ka thënë Ervin Memo, ndërsa kur hetuesit kanë hedhur dyshime se mund të ketë qenë ndonjë i njohur i afërt, i plagosuri i atentatit ka mbledhur supet.

Nga ana tjetër, i riu nga Fieri duke folur për momentin e shpërthimit, nuk ka kuptuar asgjë deri në momentin që ka tentuar të ndezë makinën.

“Makinën e kisha parkuar para shtëpisë. Nuk e përdorja, por vetëm e ndizja herë pas here pasi e kisha nxjerrë në shitje. Sapo vendosa çelësin për ta ndezur, ndodhi shpërthimi, më pas nuk mbaj mend asgjë nga tronditja. Vetëm kur më nxorën nga makina, dëgjova njerëzit që brohorisnin dhe duartrokisnin”, ka deklaruar Memo para hetuesve.

Familja Memo ka trashëguar një sipërfaqe të madhe toke në Fier nga gjyshërit e të riut dhe ajo ka qenë palë në disa procese gjyqësore për prona të trashëguara në zonën e Unazës së Re në qytetin e Fierit. Vetë Ervini ishte i pamartuar dhe nuk ishte i punësuar. Ai ka qenë i vetëpunë- suar, pasi shumë toka e ara i kishte kthyer në vreshta.

Por, për të njëjtën pronë duket se kanë pasur përherë pretendime nga ana e disa të afërmve të tij. Kjo ka bërë që prej më shumë se 15 vite, familja Memo të ishte pjesë e shumë gjyqeve për pronësinë e tokës. Sipas hetuesve, konfliktet për pronën mbeten pista kryesore, por paralelisht po shihen edhe konfliktet e tjera të mundshme të Memos me persona të tjerë apo edhe familjarëve të tij me persona të tjerë.

Ndërkohë, një burim tregon se me gjithë arsyet e forta për të dyshuar në konflikte pronash, po kërkohen edhe tabulatet telefonike të të dëmtuarit, me qëllim që të shihet nëse ka pasur kërcënime të mëparshme dhe për të verifikuar po ashtu personat me të cilët kishte më shumë komunikime i riu 38- vjeçar, për të parë nëse ka pasur ndonjë konflikt apo kërcënim. Ervin Memo u plagos në gjymtyrë dhe pjesën e djathtë të trupit nga shpërthimi i makinës me lëndë plasëse, që ishte vendosur në pjesën e pasagjerit. Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë”.

Memo ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Fierit bëjnë të ditur se 38- vjeçari ka shumë prerje në trup. Shpërthimi ishte mjaft i fortë, pasi makina thuajse u shkatërrua plotësisht, ndërsa Ervin Memo mbeti i bllokuar brenda saj. U desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe forcave të Policisë që 38-vjeçari të nxirrej nga automjeti. Të alarmuar, ngjarjen e panë nga afër dhe vetë familjarët e tij, pasi shpërthimi ndodhi vetëm pak metra larg banesës së familjes Memo.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura