Tri variantet e Policisë për akreditimin e mjeteve, paqartësi mes shërbimeve në postblloqe

Mar 13, 2020 | 19:58
SHPËRNDAJE

Etleva Delia/ Një ditë më parë Policia e Shtetit, duke sqaruar paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do të bllokohej qarkullimi i të gjitha mjeteve, vetëm me disa përjashtime, dha disa variante se si duhej marrë autorizimi për lëvizjen për disa kategori.

piolicia

Por dje, ka pasur shumë paqartësi në lidhje me mjetet e akredituara. Në të gjithë vendin u ngritën postblloqe Policie, në përbërje të të cilëve ishin punonjës të Policisë së Rendit, të Policisë Rrugore dhe forca të Ushtrisë. Gjatë paradites së djeshme, Policia tha se kishte 509 drejtues mjetesh të ndëshkuar për mosrespektim të urdhrit të dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve.

Megjithatë duket se kishte një lloj mosrakordimi mes tri “llojeve” të shërbimeve që ishin në postbllok, të paktën për punonjësit e mediave. Efektivi i Forcave të Armatosura kërkonte autorizimin nga Policia e Shtetit për lëvizjen, ai i Rendit kërkonte që pavarësisht bexhit të gazetarit, makina duhej të ishte e loguar, ose në pronësi të medias ku punon dhe jo personale, ndërsa ai i Rrugores ishte dakord që mjafton të mos kishte person tjetër në makinë (të afërm, familjar apo mik) dhe mund të udhëtoje vetëm me bexhin e gazetarit, sigurisht për qëllime pune.

Por kjo mosdakordësi mes shërbimeve në postbllok zgjidhej vetëm pas komunikimin me eprorin, pasi verifikohej leja e drejtimit dhe ajo e qarkullimit. Vetëm në momentin që shefi urdhëronte lejimin e qarkullimit, mund të vazhdoje rrugën. Por duket se e gjithë kjo situate e paqartë mes shërbimeve, erdhi pas informacioneve kontradiktore që dha vetë Policia ditën e djeshme.

“Në lidhje me pyetjen për akreditimin e automjeteve që do të lëviznin, drejtori i Përgjithshëm i Policisë e shpjegoi saktë në intervistë, targat e mjeteve të loguara dhe me personelin që do të lëvizin duhet t’i dorëzoni dorazi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisē së Shtetit, tek zyra e informacionit, ku aty ndodhet një punojës i Policisë, i cili do të regjistrojë automjetet”.

Ky ishte njoftimi i parë i Policisë ditën e djeshme, në orën 13:39. Më pas, në redaksitë e mediave erdhi një njoftim i dytë në orën 15:33 ku thuhej se për akreditimin e mjeteve duhej: “Kërkesë zyrtare e motivuar, lista e mjeteve për t’u akredituar, fotokopje e lejes së qarkullimit të mjeteve, fotokopje e lejes së drejtimit të mjeteve, mjetet të loguara, jo mjete private.

Adresat ku mund të adresohen kërkesat: [email protected], [email protected], [email protected], [email protected]”.

Pra me këtë njoftim të dytë, anulohej variant i parë që kërkesat duheshin dorëzuar dorazi. Më vonë, në një njoftim të tretë, në orën 19:06 të ditës së djeshme, për 7 kategoritë që do u lejohej qarkullimi, në pikën e pestë thuhej:

“Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit”.

Pra tri variante të ndryshme për të njëjtin qëllim. Duke mos besuar variantin e tretë, që dukej më i thjeshti, vendosëm që të zbatojmë të dytin, që të dërgonim me postë elektronike kërkesat zyrtare me të gjitha ato që kërkoheshin. Na thanë që do na kthehej një përgjigje që nuk erdhi kurrë e në mungesë të saj, sot jo pak gazetarë patën vështirësi në qarkullimin për motive pune, me mjetet e tyre personale, përveç rasteve kur makinat ishin të loguara.

Nëse kjo situate nuk sqarohet një herë e mire, duket se gazetarët do të përballen me vështirësi në misionin e tyre. Pavarësisht qëllimit të mirë të përbashkët që është mospërhapja e koronavirusit, media pavarësisht vështirësive që has në këto ditë aspak të zakonta për realizimin e misionit, që është informimi i publikut, duhet të ketë edhe disa lehtësira minimale për të realizuar pa pengesa punën e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura