Tri Unazat e hekurta që rrethojnë PD

Sep 20, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

neritan alibaliNERITAN ALIBALI

Partia Demokratike ndodhet sot para një prej sfidave më të mëdha në historinë e saj 27-vjeçare. Si rrallë herë, (ndoshta vetëm në vitet 1997- 98) ajo ballafaqohet me një numër të madh aktorësh dhe faktorësh, me të cilët duhet të përballet njëkohësisht, në një luftë për mbijetesë në vorbullën e frikshme të politikës shqiptare.

Humbja e thellë e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit, bashkoi në mënyrë të rrufeshme si në një reaksion kimik, armiqtë e hershëm politikë të PD dhe të së djathtës, me miqtë e kthyer në armiq të saj dhe të Berishës; rrogëtarët profesionistë apo sharësit profesionistë, që mirëqenien e tyre shumëvjeçare e kanë ndërtuar nëpërmjet fluksit të begatë të sulmeve kundër PD, me armiqtë personalë të Lulzim Bashës, duke filluar nga ata që e kishin luftuar “që kur zbriti nga avioni”, e deri te miqtë dhe servilët e para 25 qershorit, të cilët vetëm një ditë më pas, më 26 qershor, nuk lanë gjë pa i sharë Bashës.

Të gjithë së bashku, apo veç e veç, duket sikur kanë krijuar një numër rrathësh apo unazash të hekurta rreth trupit të PD, duke rrezikuar t’i marrin frymën e ta kthejnë në një institucion anemik, për ta nxjerrë një herë e përgjithmonë jashtë politikës shqiptare. Pa dyshim, kundërshtari i parë, më i madhi, më i fuqishmi dhe më seriozi është Edi Rama, si individ, si kryetar i PS dhe si personifikim i së majtës shqiptare. Pavarësisht degës së ullirit që po tund së fundmi ndaj opozitës, interesi i tij dhe i PS është shpërbërja e Partisë Demokratike.

Ai i ka të gjitha mjetet apo instrumentet e nevojshme për ta realizuar këtë. Ai ka në dispozicion jo vetëm strukturat e fuqishme të shtetit dhe të partisë së tij, por edhe radhën e madhe të mediave apo analistëve “të pavarur”, mbi të cilët përdor me shumë efikasitet politikat e tij të “kulaçit dhe kërbaçit”. Rama nuk e do Partinë Demokratike. Atij nuk i intereson begatimi elektoral i opozitës.

Ai e di shumë mirë se vazhdimësia e pushtetit të tij, varet në një masë të konsiderueshme nga shëndeti politik i Lulzim Bashës dhe opozitës. Lufta e tij do të jetë frontale, e pamëshirshme dhe cinike. Partia demokratike, përballë tij, duhet të hartojë një strategji të re kundërsulmi. Opozita ndaj tij duhet të jetë frontale, intelektuale dhe e argumentuar.

Kjo nuk përjashton bashkëpunimin për interesat e Shqipërisë. Parimi, “bjeri t‘i biem” apo “i trashjes së zërit” në Parlament, nuk funksionon. Sharjet e paargumentuara nuk mund t’i japin përparësi opozitës ndaj një pushteti të korracuar dhe një Kryeministri që fyerjen, talljen dhe cinizmin i ka mjeshtëri superiore. Kundërshtari i dytë i PD, apo unaza e dytë, është LSI. Tashmë, PD, për herë të parë në historinë e saj 27-vjeçare e ka humbur monopolin e opozitës së vetme në parlament. Me një grup prej 20 deputetësh, LSI është grupi i dytë më i madh i opozitës në Kuvend.

Ashtu sikurse ishte për 8 vjet një parti që konsumonte pushte, por nuk mbante përgjegjësi, LSI do të jetë për 4 vjet, një forcë politike që bën opozitë pa asnjë përgjegjësi për fatet e vendit. Ajo do të shfrytëzojë çdo rast për të sulmuar Partinë Demokratike, një- soj sikurse PS, sidomos kur ajo, do të bashkëpunojë me qeverinë për çështje madhore me interes kombëtar.

Partia Demokratike duhet të mbajë një distancë të konsiderueshme ndaj LSI, duke e trajtuar me kujdes dhe pa kompromis, duke pasur parasysh zullumet që ajo parti pati bërë gjatë periudhës kur ishte në pushtet. LSI, e udhëhequr nga dinamizmi sipëror i Monika Kryemadhit, pa diskutim që do të jetë një opozitë agresive, që do të vëri interesat e saj mbi çdo interes tjetër. Si e tillë, ajo do të jetë një konkurrente e hekurt e PD për t’u bërë opozita dominuese.

Megjithatë, duhet parë se si do të sillet kjo parti pa benefitet që i jepte në mënyrë konstante qenia e saj në pushtet për 8 vjet. Gjithsesi, LSI ka dy elementë shumë të rëndësishëm kundër: Çmontimi i strukturave të saj nga administrata shtetërore (i vetmi angazhim i marrë nga Edi Rama në fushatën elektorale) si dhe kyçja e ish-kryetarit Meta në “kullën” e presidencës. Pavarësisht, se mund të quhet pa frikë si “Ilir Meta me fustan”, zëri i hollë i Monika Kryemadhit, nuk mund të zëvendësojë peshën e rëndë të Ilir Metës. Unaza e tretë e hekurt që ka lakuar PD, vjen nga brenda saj.

Konflikti i ngrirë, midis Bashës dhe grupit kundër tij, nisur qysh me zgjedhjen e tij kryetar në vitin 2013, shpërtheu si vullkan pikërisht në vigjilje të fushatës elektorale të këtij viti. Pavarësisht motiveve, që krerët e grupit anti-Basha thanë se justifikonin shpërthimin e konfliktit, sulmi i ishkrerëve të PD ndaj tij, ndodhi në momentin më të gabuar politik.

Pa diskutim, askush nuk mund të thotë që grupi anti-Basha u vu në shërbim të Edi Ramës dhe PS. Ata e kanë treguar me gjithë veprimtarinë e tyre politike ndër vite antagonizmin e fortë me Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj. Por një gjë është e sigurt! Fushata e tyre agresive veproi si goditje tokmaku, duke dëmtuar jo thjesht dhe vetëm kryetarin e PD, por vet Partinë Demokratike dhe Opozitën në betejën më të rëndësishme të saj, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Për këtë arsye, në humbjen e turpshme që pësoi PD dhe opozita në zgjedhjet e fundit, një pjesë të përgjegjësisë, pa diskutim e ka edhe ky grup. Por konflikti vazhdon! Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, grupit të vjetër anti-Basha që kërkonte largimin e menjëhershëm të kryetarit nga drejtimi i partisë, ju bashkuan antibashistët e rinj. Paradoksalisht, ata përbënin pjesën më të madhe të grupit të të rinjve dhe ish-zyrtarëve të nivelit të tretë e të katërt në administratën e PD kur ishte në pushtet, që Basha afroi në parti pas zgjedhjes së tij në krye të PD, në vitin 2013.

Madje ata, me mbështetjen e Bashës, ishin vënë në krye të departamenteve të PD, çka i bënte automatikisht anëtarë të kryesisë së partisë. Them paradoksalisht, sepse në rrethe të gjera politike e mediatike, është theksuar rëndom që ky grup të rinjsh u soll në krye të partisë për të kompensuar, balancuar dhe përballuar grupin e ish-drejtuesve të vjetër antibashistë të PD, që thuhej se bënin ligjin në Grupin Parlamentar.

Çuditërisht, ky grup të rinjsh për 4 vjet rresht, zhgënjeu të gjithë pritshmëritë për të cilat ishte afruar. Të rinj e të shkolluar (disa prej tyre jashtë shtetit), ata u paraqitën si shpresa e së ardhmes së PD. Fatkeqësisht, performanca e tyre katërvjeçare, me ndonjë përjashtim, la shumë për të dëshiruar.

Si në marrëdhëniet publike, ashtu edhe në Departamentet e PD, “shpresat” e PD, jo vetëm nuk shkëlqyen, por as nuk kanë qenë të zotë të lënë shenjë apo të japin ide për të ndihmuar Bashën dhe PD në luftën për të fituar pushtetin. Dhe të mendosh që departamentet luanin rolin e një farë qeverie-hije të partisë më të madhe të opozitës. Paaftësia e antibashistëve të rinj u vu re edhe gjatë fushatës anti-Basha që i parapriu rizgjedhjes së tij kryetar të PD më 22 korrik. Niveli shumë i ulët i performancës së “liderve të rinj” në publik dhe media, tregoi dështimin e Lulzim Bashës në përzgjedhjen e tyre.

Por, paradoksi vazhdon!!! Pas rizgjedhjes së Bashës kryetar, antibashistët e rinj, (përjashtuar njërin), ndryshe nga morali që paraqitën gjatë fushatës anti-Basha, nuk morën mundimin të jepnin dorëheqjen. Mandati i tyre mbaron në vitin 2018, çka do të thotë që partia më e madhe e opozitës, do të vazhdojë të mbetet në situatë konflikti për të paktën edhe një vit tjetër. Kjo situatë që rezulton të jetë një gjendje kritike dhe paralize politike dhe organizative, do të pengojë fuqishëm përgatitjet e opozitës për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Situatë kjo, që do ta çonte opozitën në dështimin e radhës.

Në këtë aspekt, Lulzim Basha, sfidën më të madhe e ka brenda oborrit të vet politik. Detyra parësore e Bashës dhe PD është thyerja e unazës së tretë. Pa u çliruar prej saj, opozita nuk mund të përballet me sfidat e tjera të mëdha e të vërteta. Sulmet e ndërsjella brenda oborrit të PD duket se po e mbajnë atë të mbërthyer në një konflikt brenda vetes, duke rikthyer epokën e hershme “të bërit opozitë opozitës”.

Bërja opozitë-opozitës ka qenë historikisht një zakon i keq i së djathtës shqiptare në periudhat kur në pushtet ka qenë PS. Disa nga ish-drejtuesit e lartë e PD, që sot janë bashkuar në bllokun anti-Basha, e kanë quajtur dikur”opozitën e opozitës” si instrument në shërbim të socialistëve. Vallë, a vazhdojnë t’i qëndrojnë edhe sot qëndrimeve të tyre të dikurshme? Si gjithmonë, historia përsëritet! Gjatë periudhës së saj 27-vjeçare, të paktën 5 parti të reja janë krijuar nga gjiri i PD nga grupe të ndryshme ish-drejtuesish të lartë, “antagonistë” me Berishën.

Por ato parti, të shpallura me aq bujë, nuk mundën të krijojnë ndonjë alternativë konkurrente me partinë mëmë. Ato mbetën parti të vockla e pa vlerë, pavarësisht kapaciteteve të mëdha intelektuale të drejtuesve të tyre, të cilët, me ftesën e parë të Berishës, u rikthyen te partia e tyre e origjinës. Ndoshta ka ardhur koha që, sipas traditës së krijuar në vite, të krijohet edhe një parti e gjashtë. Ndoshta grupi i sotëm anti-Basha mund të krijojë një alternativë të re politike, e cila, ndryshe nga paraardhëset, mund të jetë e suksesshme.

Gjithsesi, një zgjidhje duhet gjetur për t’i dhënë fund kësaj situate. Gjendja e tanishme e brendshme e PD është e papranueshme. Në këto kushte, Edi Rama s’po ka nevojë të sulmojë PD, pasi gjëmimi i “mauzerëve” që vijnë nga pas gardhit të PD, i kursen mundimin e përballjes. Lulzim Basha ka përgjegjësinë që t’i japë fund kësaj situate. Dhe përgjegjësia e tij është sa politike, aq edhe morale. Sytë e mbështetësve të së djathtës janë drejtuar te PD. A do të bëhet ajo një forcë e aftë, që jo vetëm të përballet me maxhorancën, por edhe të fitojë mbi të? Koha do ta tregojë. E ardhmja e PD dhe e opozitës shqiptare është në duart e Lulzim Bashës dhe e anëtarëve, militantëve dhe intelektualëve të saj. Janë ata, që duhet të gjejnë zgjidhjen! Janë ata, që duhet të mbajnë përgjegjësitë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura