Tri shtyllat kryesore pse prokuroria kërkon “arrest me burg” për Tahirin

May 17, 2018 | 16:35
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka apeluar ditën e djeshme vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit “arrest shtëpie” për ish-ministrin Tahiri.

tahiri maks haxhia

Lëvizja e Prokurorisë vjen vetëm një ditë pas seancës dëgjimore, ku ish-ministri u përball me Prokurorinë në sallën e gjyqit. Vendimin e gjyqtares Liljana Baku pritet që ta apelojë edhe vetë ish-ministri, ndërsa tani pritet që të caktohet data për dhënien e vendimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka disa prova të reja ndaj Tahirit dhe dyshon se ai ka manipuluar të dhënat në regjistrat kufitarë.

Besim-Hajdarmataj-768x550

Tahiri është nën hetim për trafikim lëndësh narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv. Ka dyshime se Tahiri, gjatë kohës që ka qenë ministër i Brendshëm, ka favorizuar trafikun e drogës për grupin e Habilajve, me të cilët ka edhe lidhje familjare. Në seancën e fundit gjyqësore, prokurori Besim Hajdarmataj paraqiti edhe dy prova të reja për çështjen “Tahiri”.

Hajdarmataj kërkoi që të administrohej si provë, hyrja e një peshkarexhe italiane në Shqipëri me emrin “Fatima”. Peshkarexha, e cila kishte lidhje me Moisi Habilajn, ka hyrë në Shqipëri me 6 maj 2015 dhe, sipas Prokurorisë, radarët ishin të fikur atë natë për disa orë. I vetmi radar i ndezur ka qenë ai i Porto Palermos që ka pikasur peshkarexhën. Me të njoftuar Policinë në Dhërmi dhe Himarë, këto të fundit kanë shkuar ta verifikojnë dhe kanë raportuar se ishte peshkarexhë vendase me emrin “Rozeta”.

Por në fakt nuk ishte kështu. Peshkarexha “Fatima” është ankoruar në Triport të Vlorës ku ka marrë karburant dhe drogë dhe është nisur drejt Italisë. Në krye të Postës së Policisë në atë kohë ka qenë Sokol Bode, i emëruar nga Tahiri. Bode është një nga tre ish-drejtuesit e Policisë që është shpallur në kërkim dhe nuk gjendet për trafik droge. Prokuroria ka dorëzuar edhe një dosje të emërimit të dyshimtë të Bodes në krye të Postës së Policisë në Dhërmi.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, Saimir Tahiri ka manipuluar edhe regjistrat e hyrje-daljeve jashtë vendit. Bëhet fjalë për rastin e Artan Habilajt, i cili në 2014, ka ardhur nga Greqia në Shqipëri me skaf përmes Portit të Sarandës dhe skafi nuk është regjistruar në kufi. Si këto, ka edhe raste të tjera. Prokuroria argumenton se Policia Kufitare ka qenë në varësinë e ish-ministrit të Brendshëm. I njëjti skaf është marrë disa ditë më vonë nga Moisi Habilaj nga porti i Durrësit pa u regjistruar.

Prokuroria mbështetet në tri shtylla kryesore kur kërkon “arrestin me burg” për Tahirin. Sipas saj, ekziston rreziku që Tahiri, pas lënies së mandatit, të largohet jashtë vendit duke iu fshehur drejtësisë. Gjithashtu, Prokuroria arsyeton se Tahiri, ka mundësi të ripërsërisë veprat penale, nëse lihet i lirë, si edhe mund të ndërhyjë në prova duke prishur hetimin. Për këtë të fundit, Prokuroria ka përmendur si precedent, takimin e Tahirit me shtetasin Orgest Liperi, i cili bleu skafin për llogari të tij. Takimi është zhvilluar disa ditë pasi Liperi është marrë në pyetje në Prokurori.

Por Tahiri mbrohet duke thënë se takimi ishte detyrim qytetar dhe se Liperit i ka kërkuar vetëm falje për shqetësimet. Ai pretendon se nuk mund të prishë asnjë provë, pasi nuk mban asnjë post dhe është qytetar i thjeshtë. Mbrojtja është e bindur se në Apel mund të fitojë lirinë, njësoj si me zhbllokimin e pasaportës. Lidhur me pretendimet se mund të ripërsërisë veprat penale, Tahiri mbrohet duke thënë se veprat për të cilat po hetohet, supozohet se janë kryer për shkak të detyrës, mirëpo, ai këtë detyrë nuk e mban më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura