Tri shkallët e rënies së fushatës së Marshallit (Ramës)

Apr 17, 2021 | 9:49
SHPËRNDAJE

ARTUR ZHEJI

Artur-Zheji

“Hebrenjtë” e Marshallit me siguri janë në hall të madh me këtë fushatë zgjedhore të kësajhershme, sepse sivëllezërit e tyre, që thuhet se punojnë për Bashën, janë të të njëjtit brumë.

Hebrenj, pra, sundues të shkretëtirës së shndërruar në parajsë, për të mos thënë dhe për të mos hamendësuar më shumë. Shumë të mençur dhe mendjehollë edhe ata! E pra, të dyja palët, pushteti dhe opozita, janë në një ekuilibër të plotë këshillimesh… Mirëpo, jo të dyja “shtabet hebraike”, me sa do të rrëfejmë më poshtë, duket se nuk janë njësoj të kënaqura dhe nuk janë njësoj në humor të mirë.

Sepse, kuptohet, se ata, strategjistët, janë ca timonierë “anijesh”, që lundrojnë duke ndjekur rrymat përshpejtuese të ujit dhe erën e mbarë që fryn apo nuk fryn në velat e klientit të tyre kryeministror. Sepse, për shembull, kur nuk ka erë që të shtyjë velën përpara apo rryma të nënujshme që të fusin në kurth kundërshtarin, atëherë edhe strategjisti më i mirë, edhe nga Telavivi qoftë, detyrohet të ngrejë duart lart derëziu këshilltar.

Sepse erë të mbarë nuk qëllon të ketë që të fryjë për Marshallin, sepse frymë dhe entuziazëm nuk ka për ambicien shumë- mandatëshe të Kryeministrit tonë, të pangopur me pushtet dhe me pushtete të pasosura, të të gjitha llojeve. E, pra, duke harxhuar një para të pafundme në sondazhe mbas sondazhesh, të përmuajshme apo dhe të përjavshme, llogaritjet dalin gjithmonë e më të ngushta: sepse opozita, e grupuar kështu si është, nga qendra e majtë drejt së djathtës, fiton dhe përthith ditë pas dite, gjithmonë e më shumë vota, duke i shtuar turbullirë, turbullirës së

Marshallit. Atëherë, “hebrenjtë e mençur” kanë vënë në punë një strategji më të ashpër, shumë dinamike (për hir të së vërtetës), por edhe shumë të dëshpëruar duke ndjekur parimin: Sulmi është mbrojtja më e mirë! (kur shkohet drejt humbjes, kuptohet, në pritje të një mrekullie…) Kështu u përpilua Faza e Parë: “Negativiste!” Sharje, fyerje, marrje nëpër gojë, gëlbazim, përbaltje dhe denoncim të bërash dhe të pabërash për opozitën! 360 gradë sharje, pa Din dhe Iman! Mbi dhe nën brez! Sa të hajë goja dhe zorrëpërzierja e shpirtrave të helmuar nga frika e humbjes!

Në të djeshmen, në të sotmen dhe në të ardhmen e saj, sipas këshillave dhe ndihmës së disa gëlbazistëve të njohur të qytetit tonë! (Kjo u vendos, kuptohet, duke njohur aftësitë e Marshallit [Ramës], për gojështhurje të papërmbajtshme dhe shpërthyese, të dhëna baritonale të admirueshme në shfryrjen e ujëvarës së vrerit, si edhe gazërimin dhe gëzimin që Ay, Marshalli-Klienti, shijon tek ngjiz fyerje të rënda dhe, sa më të rënda, aq më gëzim Ay, ndjen e shijon… (kështu duket se vendosën, me dhimbje mjekroshët e mençur hebrenj) Dhe përfundimi ishte i pritshëm dhe pa asnjë çudi! Negativizmi prodhoi rënie të mëtejshme dhe largim të votuesit gri.

Atëherë, mjeshtrit përpiluan sa hap e mbyll sytë në zjarr të fushatës, Inboxin 2 (kutia e mesazheve boshtore që duhet të parashtrojë Shefi i Fushatës, domethënë Ay, Marshalli [Rama]). Faza e Dytë: “Shënjestër Sali Berisha dhe Ilir Meta, Basha nuk preket…” Qëllimi 1: Tërheqja në kurthe emocionale e Metës dhe e Berishës, krijimi i përshtypjes në popullin votues që Marshalli po përleshet i vetëm me dy bajlozët, Meta dhe Berisha. Qëllimi 2: Krijimi i përshtypjes se Basha ha bukë veç dhe një ditë mund të hajë bukë urtësisht edhe në një çanak me Marshallin. Mirëpo, mjerisht, edhe kjo Fazë e Dytë (e dinin mjekroshët, por nuk kishin rrugëdalje) solli zero sukses, përkundrazi, u kthye në bumerang. Se mileti zuri të mërmëriste: “Ore, edhe pas 8 vitesh, përsëri fajin e ka Saliu?!” E kështu, mes gjithë gëlbazërimeve të bollshme dhe të neveritshme, përsëri edhe kjo strategji polli një dështim (pavarësisht gëlbazërimeve të përforcuara nga mjaft rrogëtarë të mirëpaguar dhe të talentuar gëlbazërues).

Tani që shkruajmë, 9 ditë para votimit, nga gjellëtorja e strategjistëve hallemëdhenj, sapo doli: Faza e Tretë: “Diversion masiv! Shprehje e hapur ofertuese bashkëqeverisëse për Lulzim Bashën! Me plot ‘dashuri’ dhe shkelje syri!”. Qëllimi: “Çoroditje e zgjedhësve të qendrës së djathtë, përçarje e opozitës, mbjellje e përgjithshme ‘Mosbesimi’, sipas parimit: Në Shqipëri, sot blihet dhe shitet gjithç- ka!”. Por, në këtë Fazë, ndryshe nga çfarë pritej (gjykuar nga talenti virtuoz i vitit 2017), Marshalli nuk po shkëlqen, ndonëse po imiton edhe Lulin, duke luajtur në disa emisione TV, “djalin e mirë” të qytetit tonë të ndotur. Megjithatë, kanë mbetur pak ditë, nuk kemi përse të parashikojmë! Spektakli vijon… 360grade.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura