“Tri motrat” e Çehovit hapin sezonin e ri në Teatrin Kombëtar

Jan 5, 2016 | 11:28
SHPËRNDAJE

Lajmi për premierën e re ishte edhe kartolina e Vitit të Ri nga Teatri Kombëtar.  Pasi ka lënë pas një vit të ftohtë, jo edhe aq të lehtë, si për çdo institucion tjetër kulturor, TK shpreson ta nisë këtë sezon të ri artistik jo vetëm duke i siguruar ambiente më të ngrohta publikut dhe aktorëve, por edhe shfaqje më të mira. “Tri motrat” e Çehovit janë ato që do të ngrenë siparin e këtij viti të ri.

Tri-Motrat-Cehov-320x258

Një nga kryeveprat e dramaturgut rus do të ketë premierën në datat 16 dhe 17 janar nën regjinë e Hervin Çulit, drejtor i TK, i cili i kthehet pas disa vitesh mungese rolit të regjisorit. Atmosfera ruse vjen nën skenografinë e Kristo Çalës dhe kostumografi të Berina Kokonës, e cila ka krijuar tashmë një profil të vetin, tërësisht të veçantë në skenën teatrore shqiptare.

Për të ngjitur në skenë këtë vepër, e cila vjen për herë të parë në TK, regjisori Çuli, i cili ka punuar edhe më herët me vepra të Çehovit, ka përzgjedhur një kast të gjerë aktorësh. Pas dy roleve të rëndësishme në “Liri në Bremen” dhe “Vrasja e Maratit”, rikthehet aktorja Gladiola Harizaj. Në role kryesore gjejmë Elia Zaharinë, Flaura Kuretën, Olta Gixharin, Helidon Finon, Neritan Liçajn etj.

“TRI MOTRAT”

E shkruar në vitin 1900, vepra na zhvendos në një provincë të Rusisë, në familjen Prozorov. Ajo përbëhet nga tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë, e martuar me Kulliginin, një mësues të mërzitshëm, të cilin ajo nuk e do; Irina, motra e vogël dhe e bukur që punon telegrafiste dhe Andreji, vëllai i tyre me një kulturë poliedrike, punonjës në administratën lokale të qytetit, e shpreson në një të ardhme të ndritur.

Motrat Prozorov janë vajza me botë shumë shpirtërore të pasur, ato ëndërrojnë dashurinë e vërtetë, por ëndrra e tyre më e madhe është Moska. E gjithë imagjinata e tyre vërtitet rreth një prej kryeqyteteve më të bukura të botës, qendër e artit, kulturës e shkencës.

Të dëshiruara për më shumë liri dhe emancipim ato duan t’i ikin sa më parë ambientit mbytës dhe mediokër të provincës. Të ardhurit nga Moska kanë një tjetër rëndësi në sytë e tyre. Ato idealizojnë gjithçka që vjen prej andej dhe është pikërisht kjo ëndërr që do të trandë harmoninë e kësaj familjeje, në të cilën hyjnë e dalin njerëz të rëndësishëm të provincës. Harmonia që ndeshim në aktin e parë fillon të lëkundet që me hyrjen në shtëpi të Natashës, pas së cilës do të dashurohet e më pas do të martohet Andreji. Ajo nuk gëzon simpatinë e tri motrave, e kjo do të prishë ekuilibrat e mëparshëm.

Në aktin e tretë, të gjithë personazhet i gjejmë të transformuar. Ëndrra për Moskën është shumë e fortë, sidomos tek Irina, e cila përpiqet ta arrijë me çdo kusht. Andreji ka lënë pas gjithë ëndrrat e tij intelektuale dhe detyrohet të vërë në shitje shtëpinë për shkak të borxheve në kumar. Tashmë është Natasha që i ka marrë frerët e jetës së tij në dorë dhe do të ndikojë në marrëdhënien e tij me të motrat. Tashmë shtëpia e Prozorovëve është shkërmoqur. Miqtë e dikurshëm janë larguar, madje ndonjë mbeti i vdekur në duel, ndërsa Moska mbeti po aq e largët si dikur.

AUTORI

Fizikant, dramaturg dhe shkrimtar rus, Anton Çehovi lindi më 29 janar të vitit 1860 dhe vdiq më 15 korrik 1904 nga tuberkulozi. Anton Çehovi konsiderohet si mjeshtër i tregimit dhe si një ndër dramaturgët kryesorë dhe më të rëndësishëm në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër vepra, të cilat nuk janë të panjohura për publikun shqiptar.

Tri prej tyre janë vënë më parë në skenën e Teatrit Kombëtar apo edhe në skena të tjera alternative. Katër dramat dhe tregimet e tij janë bërë objekte studimi nga shumë studiues dhe kritikë letrarë. Në vitin 1879, autori vazhdoi studimet për mjekësi në Moskë.

Për Çehovin mjekësia ishte një pjesë shumë e rëndë- sishme e jetës së tij, duke u shprehur se “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ndërsa “letërsia është e dashura ime”. Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Anton Çehovi ishte ndër figurat kryesore që themeloi teatrin modern. Pas shfaqjes “Pulëbardha”, në vitin 1896, Çehovi vendosi të heqë dorë nga teatri, pasi shfaqja nuk u prit mirë nga audienca, por kjo shfaqje u ringjall sërish në vitin 1898 nga Konstantin Stanislavski i Teatrit Artistik të Moskës, i cili vendosi në skenë gjithashtu “Xhaxha Vanjën” dhe dy veprat e tij të fundit, “Tri motrat” dhe “Kopshti i qershive”.

Këto katër vepra konsiderohen si një sfidë për aktrimin në tërësi, po ashtu dhe për publikun, sepse në vend të një doktrine të zakonshme të teatrit, Çehovi na prezanton me “Teatrin e gjendjes” dhe me “Zhytjen e jetës në tekst”. Në fillim të karrierës së tij si shkrimtar, Çehovi shkroi tregime për të siguruar të ardhura financiare, me kalimin e kohës ambicia e tij artistike filloi të rritej, kështu ai nisi të shkruajë tregime me inovacione të spikatura, të cilat kanë influencuar në zhvillimin e tregimit modern.

Ai asnjëherë nuk i kërkoi falje lexuesit për vështirësitë e hasura gjatë leximit, duke theksuar se roli i një artisti është të bëjë pyetje dhe jo t’u përgjigjet atyre.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura