Tri klithmat e ujit!!!

Dec 6, 2017 | 9:55
SHPËRNDAJE

Bislim-AhmetajBISLIM AHMETAJ

EPILOG!

Kam pasur e kam dyshimet e mia, në më të shumtën e rasteve të justifikuara për “mbrojtjen” që i bëjnë natyrës dhe monumenteve të saj në Shqipëri shoqatat mjedisore, edhe për faktin e thjeshtë se si në Europë, ashtu edhe në Amerikë, pas këtyre shoqatave janë maskuar dhe vazhdojnë të maskohen marksistët, anarkistët, antiglobalistët dhe në rastin e Shqipërisë, s’kishte pse të ishte ndryshe.

Përveç këtij fakti të një ideologjie që përveç njeriut, te ne, ia doli ta zhvishte Shqipërinë nga çdo lloj bukurie natyrore, ata s’kanë munduar asnjëherë të ndalin ndonjë masakër ndaj natyrës në këto vite tranzicioni, shto këtu edhe dyshimin se këto shoqata janë financuar pikërisht prej atyre që e kanë masakruar natyrën tonë. Bukuritë e natyrës, që vendi ynë i ka me shumicë, janë dhuratë e Zotit. Keqmenaxhimi i tyre në dobi të njerëzve është vepër e njerëzve. Për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e burimeve natyrore në Shqipëri mund të prodhohet një bibliotekë me libra të dobishëm për brezat, por ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Kohëve të fundit u jam bashkangjitur herë pas here protestave, që kanë lidhje me mbrojtjen e mjedisit, për dy arsye të forta.

E para, për shkak të kimisë dhe dashurisë sime me bukuritë, që Zoti i dha vendit tim, dhe e dyta, shpirti im prej poeti lëndohet sa herë që shoh që këto bukuri-hyjni, pasuri botërore, që vriten duke u shndërruar në konto bankare për një grusht njerëzish të vdekshëm si të gjitha qeniet e gjalla mbi sterë.

VERBIMI I SYRIT TË KALTËR

“Syri i Kaltër”, që administrativisht i takon Bashkisë së Delvinës, por prej shumicës së shqiptareve dhe të huajt që e vizitojnë për shkak të turizmit të rërës, e dinë që i përket Sarandës, është një “smerald” i çmuar në gjerdanin e bukurive natyrore, që varen në qafën e Atdheut tonë të mbushur me bukuri të ngjashme, dhuratë bujare e Zotit. Legjenda për të thotë që një gjarpër gjigant doli nga deti dhe u përplas në malin e Sopotit, Gjarpri i sillte fatkeqësi njerëzve dhe një ditë, një plak ngarkoi gomarin e tij me eshkë që digjej (ndoshta me hashash) dhe iu afrua gjarprit.

Ai e hëngri gomarin dhe tymi i eshkës e tërboi gjarprin aq sa ai iu lëshua edhe njëherë rrugës prej nga kishte ardhur dhe u kthye në det. Kështu lindi “Syri i Kaltër”. Legjenda nuk është se na thotë ndonjë gjë të mirë me sjelljen tonë me natyrën. Por dihet se gjarpri, në etimologjinë tonë, shpesh dhe më shpesh gjendet si shpëtimtar, herë si ora e shtëpisë, herë për efektet që ka helmi i tij në shërimin e sëmundjeve që na zanë. Në kohën e komunizmit ia vunë “syrin” Syrit të Kaltër, por pa e përçudnuar deri në zhdukje. Me ujin e tij u ndërtuan dy hidrocentrale mbi lumin Bistricë, që ujin e shumtë e merr prej këtij burimi.

Në pranverën e vitit 2002 do i vihej “syri” Syrit të Kaltër, tani për ta verbuar. Njerëzit që drejtonin qeverinë shqiptare të asaj kohe vendosen ta “qorrojnë” këtë dhuratë të zotit dhe ta palosin në tuba të zinj për t’ia dhanë rrugët e emigrimit si qindra mijëra bashkëvendësve të tij në vendin fqinj, përtej detit. “Syri i kaltër” qau për disa javë rresht dhe në vjeshtë të atij viti u turbullue, u zbardh, u tërbua. Nuk donte t’i arratisej vendit të tij. Përfaqësuesit e Rajonit të Leçes, të cilëve u ishte premtuar “loti” i Syrit të Kaltër, “u prekën”, ndoshta edhe pse ishin besimtarë të Zotit dhe u tërhoqën nga projekti për ta verbuar Syrin e Kaltër.

Ateistët, marksistët dhe njerëzit e babëzitur mbas parasë, ndoshta nuk i besojnë shumë kësaj apologjie, por Zoti e mbrojti “syrin” e tij në vjeshtën e vitit 2002. Kohëve të fundit kam dëgjuar zëra që vrasësit e natyrës, bijë të vrasësve të vjetër, janë riaktivizuar për ta riverbuar Syrin e Kaltër në Sarandë… në i lashtë Zoti.

VALBONA, LOT I SHTRIRË NË VAJ

Valbona është një lot i shtrirë në gati 50 kilometra. Ai, siç e ka emrin e lashtë latin “Lugina e mirë”, kurrë s’ka ba keq. Kurrë s’i ka shkaktuar kujt fatkeqësi, veç e ka freskuar dhe zbukuruar atë që vendasit e kanë quajtur Malësia e Mirë edhe për faktin që tokat e saj kanë qenë të begatuara prej ujit të lumit me emrin Valbonë. Luginën e mirë e ka krijuar lumi i mirë, që e mban emrin e luginës Valbonë. Si atraksion turistik ka mahnitur me bukuritë e veta dhe ka shënuar rekorde për turizmin malor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Kush e ka pasion natyrën dhe malet, e ka vizituar pa diskutim Valbonën dhe pas vizitës së parë, iu ka rikthyer sërish asaj me po aq pasion dhe kërshëri. Gjithmonë duke gjetur gjëra të reja si në aspektin e natyrës, ashtu edhe të zhvillimit të turizmit në hoteleri, kulinari, infrastrukturë rrugore dhe siguri. Valbona u shndërrua në zërin e shpresës së mirë, që në Malësinë e Mirë jo vetëm që mund të jetohet si qëllim në vetvete, por aty mund të jetohet mirë dhe pse jo pas një apo dy dekadash shumë shumë mirë. Por…,jo, nuk është e thënë.

Lumi i mirë duhet të hyjë në tuba të zinj. Qeveria, që banorët e kësaj zone e kanë votuar për diell e për breshër, për borë dhe për shi, ditën për diell, vendos ta burgosë ujin e kaltër të Valbonës nëpër tuba të zinj dhe jo në një, por në 13 të tillë… Valbona, lumi i “luginës së mirë” i thërret ZOTIT dhe në vjeshtën e vitit 2016, shpërthen si asnjëherë tjetër sa mbajnë mend pleqtë, merr përpara lisa, trungje, gurë, ura, por jo njerëz dhe shtëpi sepse ai e din që ata njerëz që jetojnë në brigjet e tij, janë të pafajshëm, veçse i lajmëron që “mos guxoni të luani me mua”.

Ndërsa këtë vit ka shteruar pothuaj në nivelin e një përroi si për t;u treguar traktorëve dhe makinerive që, i janë turrur për t’ia futur ujin nëpër tuba, “se kur t’i mbaroni punët, veç në bafshi shurrën në to, se prej meje s’keni me mujtë me marrë asnjë pikë ujë…”. Valbona, me ndihmën e Zotit, njëlloj si Syri i Kaltër, reagoi…

VJOSA PO ÇIRRET, PO SHPËRTHEN…

Vjosa është lumi më i gjatë i gjallë (272km) pas Drinit të Zi (335km), i cili ka vite që ka vdekur. Ndërsa Vjosa vazhdon të jetë e gjallë dhe i vetmi lumë “i egër”, siç e konsiderojnë sot gjithë bota ekologjike, njëjtë si në vendburimin e saj në Greqi ku gjarpëron për rreth 80 kilometra, zonë, në të cilën shtrihet parku i dytë më i madh natyror i Greqisë (Parku natyror Vikos-Aoos, Aoos, emri i vjetër i Vjosës), ashtu edhe në të 192 kilometrat e saj në territorin e Shqipërisë. Vjosa ka mbetur gjerdani i vetëm, që zbukuron me perla parzmoren e Jugut të Shqipërisë.

Zagoria, Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Memaliaj, Selenica etj., jo që nuk do të ishin të bukura dhe atraksione turistike të rëndësishme, por s’do të ishin as në hartën e vendbanimeve, në qoftë se nuk do të gjarpëronte aq ëmbël, bukur, butë dhe kaltër lumi me emrin e të cilit janë pagëzuar me qindra vajza në të katër anët e Atdheut. Vjosën e kanë kafshuar jo një herë njerëzit e pushtetit, por akoma s’kanë mundur ta gllabërojnë.

Një fakt domethënës është dështimi i ndërtimit të HEC-it të Kalivaçit, i cili, edhe pse i dhënë pabesisht nga qeveritë që ruajnë vota me thasë në rrjedhën e këtij lumi të mirë, si për t’iu kthyer besimin te Zoti, kanë dështuar me “sukses” të plotë. Përpjekjet vazhdojnë, licencat për varrosjen e Vjosës janë akoma të njoma. Vjosa ka tash dy herë që hingëllin, që klith, që çirret, që shpërthen.

Para dy vitesh ua lagu zyrat në Vlorë dhe në Fier. Tani prapë klithi dhe u çorr, ua lagu karriget deri në Tiranë. PROLOG Ne, njerëzit që e duam natyrën dhe vendin tonë, ndoshta jemi të paaftë, të lodhur dhe të dërrmuar dhe s’do të mund ta ndalin kurrë zullumin e pushtetarëve dhe të zgjedhurve të tyre, për t’i tharë e zhdukur nga harta lumenjtë dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë. Edhe pse për këtë konstatim s’jam fort i sigurt, pasi vetëm vajzat shqiptare që mbajnë emrin Valbona dhe Vjosa, në qoftë se do të na bashkoheshin edhe për një ditë të vetme në këto protesta, jam i sigurt që do ta ndalnim marrëzinë e pusht(e)tarëve tanë.

Por, megjithatë, për një gjë jam i sigurt: Zoti i madh nuk nxjerr dekrete dhe vendime të shkruara, Ai vepron dhe të paktën në këto tri raste, të cilat tek unë dhe te shumë njerëz që kanë pas ndjeshmëri të lartë ndaj fenomenit, i ka dhënë shenjat në mënyrën më të dukshme. Zoti, me veprimet e tij, jo vetëm që do t’i mbrojë pasuritë e veta(tonat), por edhe do t’i ndëshkojë pushtetarët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura