Tri këshilla për frenimin e Covid-19/ Kryeepidemiologu i Kinës i shqetësuar: Problemi i SHBA do të jetë edhe i botës

Apr 3, 2020 | 18:48
SHPËRNDAJE

Këshilltari kryesor mjekësor i Pekinit për koronavirusin e ri ka shfaqur shqetësim mbi mënyrën që SHBA po lufton pandeminë.

26766252-8184051-image-a-1_1585909141834Epidemiologu Zhong Nanshan tha se shqetësohej për atë që do të ndodhte në Amerikë:

“Problemi i SHBA do të jetë problemi i botës”, mësohet të ketë thënë ai.

Zhong Nanshan paralajmëroi një fatkeqësi globale nëse virusi vrasës vazhdon të përhapet me ritmin aktual. Ai u kërkoi autoriteteve amerikane të zbatonin masa më të rrepta bllokimi.

Më shumë se një milion njerëz në të gjithë botën kanë kontraktuar COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi dhe mbi 53,000 kanë vdekur prej saj. Pandemia u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan, një qytet me 11 milionë njerëz në Kinën Qendrore.

Mediat kineze raportuan se Dr. Zhong, drejtuesi i një ekipi ekspertësh kinezë që merren me krizën, i bëri komentet ndërsa diskutoi në një takim për frenimin e COVID-19 me disa ekspertë të tjerë.

Pasi u pyet mbi përpjekjet e kontrollit në Korenë e Jugut dhe SHBA, ai tha se Amerika kishte metoda të përparuara depistimi për të identifikuar infeksionet, por ajo duhet të ndërmarrë masa më të ashpra izolimi. Në veçanti, ai iu bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të forcojnë kontrollin mbi bartësit që nuk shfaqin simptoma dhe bëri thirrje për përpjekje të menjëhershme parandaluese në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësoi Korenë e Jugut për reagimin e shpejtë në zbulimin dhe gjurmimin e pacientëve.

Kur u pyet për frikën e tij më të madhe, ai tha: “Ajo që më shqetëson është se në disa vende të huaja tani, virusi po përhapet shumë shpejt…Ky është një problem i madh”.

26766926-8184051-image-a-2_1585909487955Ai pohoi se një numër i madh i pacientëve do të krijonte një barrë në burimet mjekësore, duke çuar në një rreth vicioz në përpjekjet e kombeve për të kontrolluar krizën: “Asnjë nga vendet nuk do të jetë i sigurt dhe i përjashtuar. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë”.

Zhong theksoi se masat e forta të karantinës, rregullat e distancës sociale dhe një urdhër që publiku të mbajë maska për fytyrën ishin mënyrat më të mira për të luftuar virusin.

Kina deklaroi gjatë fundjavës se i kishte bllokuar kryesisht transmetimet e patogjenit. Pekini tani e shikon virusin si një problem “të huaj” dhe ka rritur përpjekjet e tij për të ekzaminuar “rastet e importuara”.

Nënpresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, fajësoi pjesërisht Kinën për reagimin e ngadaltë të Shteteve të Bashkuara. “Realiteti është se ne mund të ishim më mirë nëse Kina do të kishte treguar më parë. Unë dua të them se realiteti është që Kina ka qenë më transparente në lidhje me koronavirusin sesa ka qenë për sëmundje të tjera infektive gjatë 15 viteve të fundit. Por ajo që duket qartë tani është se shumë kohë para se të informohej bota në dhjetor se Kina po merrej me këtë dhe ndoshta më shumë se një muaj më parë, shpërthimi ishte i vërtetë në Kinë”.

Pekini dënoi deklaratën e Pence, duke i etiketuar udhëheqësit e Uashingtonit si “të paturpshëm” dhe “imoralë”.

Shtetet e Bashkuara tani kanë rastet më të shumta me koronavirus në botë, të ndjekura nga Spanja, Italia, Gjermania dhe Kina./Daily Mail

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura