Tri ditë me “Tirana – Art” (foto)

Oct 8, 2012 | 15:53
SHPËRNDAJE
Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë me bashkëshortet, gjatë ekspozitës së Fadil Berishës

Dita e djeshme ka qenë e treta dhe e fundit e “Tirana – Art- Days”, eventi kulturor organizuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, që solli në Tiranë emra me famë botërore të fushave të ndryshme të artit si aktorë, modele, fotografë, stilistë etj. Aktivitetet e ditës së djeshme kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, për të argëtuar fëmijët, për të vijuar deri në orët e vona të pasdites me një ekspozitë fotografie nga fotografi Fadil Berisha, që ka qenë prezent në të gjithë aktivitetet e këtij treditëshi. Në ekspozitë u prezantuan foto të artistëve të rinj shqiptarë, si Elsa Lila, Blerim Destani, Aurela Gaçe dhe shumë e shumë të tjerë. Ndërsa i ftuar nderi, ashtu si në aktivitetet e dy ditëve më parë, ishte edhe Kryeministri i vendit.
I pyetur nëse pëlqen fotot e Fadil Berishës, kreu i qeverisë përgëzoi artistin për punën e bërë. I fokusuar te fotoja e Angjela Martinit me flamur shqiptar, Berisha tha “Më pëlqen veçanërisht kjo”. “Raca shqiptare është pa diskutim e bukur, por Fadil Berisha u ka vënë dorë duke ua shtuar dhe më tepër bukurinë”.
Kryeministri i cilësoi vajzat e bukura në fotot e Fadil Berishës si shtojzovallet shqiptare që kanë pushtuar Hollivudin, ndërsa
shtoi se “Pa diskutim, ndihem krenar me to”.  Pas këtij aktiviteti, Pallati i Kongreseve ka pritur stilistet dhe modelet e huaja bashkë me ato shqiptare në një sfilatat nga Fevziye Camer, Mirela Nurwe, Krenare Rugova dhe Ema Savahl. Ka sfiluar me veshjet e tyre, ndër të tjera, modelja Angjela Martini, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Pjesë e vizitave të djeshme ka qenë edhe salla e Muzeut Historik shqiptar. Ndërsa “Tirana Rocks”, siç mund ta keni parë përgjatë gjithë këtyre ditëve nëpër bill-bordet e Tiranës, ka qenë koncerti që ka zgjatur për pesë orë me këngë nga grupe të huaja dhe shqiptare. Të gjitha këto aktivitete janë ndjekur nga personazhet më në zë të kulturës e politikës. Në ditën e dytë të “Tirana Art Days” është shfaqur dokumentari i shqiptaro-amerikanes Eliza Dushku, “E dashur Shqipëri”. Ndër të tjerë, ishin të pranishëm në të edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. “Gjithmonë është shumë emocionuese të jem në Shqipëri. Isha pak nervoze për premierën këtu, edhe pse kam shfaqur premiera në New York dhe Los Angeles”, tha Dushku. “E dashur Shqipëri” ka për qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve në vend. Pas premierës në Shqipëri, filmi pritet të shfaqet edhe në Amerikë.
“E dashur Shqipëri. Kam qenë gjithnjë kurioze dhe e hipnotizuar nga misteret e tua. Unë jam një shqiptare e Amerikës nga Bostoni. Gjyshërit e mi migruan në Amerikë në vitet 1940 dhe u larguan nga kjo jetë përpara se unë të lindja. Babai im më ka mësuar të jem krenare për gjakun tim shqiptar dhe tani është koha për mua që të zbulojë përse-ne”, kështu e nis Dushku dokumentarin e saj.
[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura