Tremujori i parë/ Rritja e normave të interesit tkurr me 32% fitimet e sektorit bankar

May 11, 2022 | 7:40
SHPËRNDAJE

Sektori bankar e ka mbyllur tremujorin e parë të këtij viti me fitim, por në rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

krizaekonomia

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i sektorit bankar zbriti në vlerën e 3.28 miliardë Lekëve, me një rënie prej afërsisht 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ulja e fitimit në vlerë absolute është reflektuar negativisht edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi nga kapitali aksioner, mesatarizuar me bazë vjetore, zbriti në 7.36%, nga 11.68% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, kthimi nga aktivet ra në 0.84%, nga 1.85% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Statistikat tregojnë se zëri që ka dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e rezultatit financiar të sektorit për këtë vit ka qenë ai të ardhurave nga instrumentet financiare. Sektori bankar ka raportuar një humbje prej 2.1 miliardë Lekësh nga këto instrumente, ndërsa në tremujorin e vitit të kaluar ky zë kishte sjellë të ardhura në vlerën e 150 milionë Lekëve. Humbjet nga instrumentet financiare me shumë të ngjarë reflektojnë rritjen e ndjeshme të normave të interesit në tregje gjatë tremujorit të parë të vitit.

Kjo rritje ka ndikuar negativisht portofolin e instrumenteve financiare ekzistuese të sektorit bankar, duke sjellë zhvlerësimin e tyre. Në këtë mënyrë, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit duket se po japin efektet e para negative në performancën e sektorit bankar në Shqipëri. Vitin e kaluar sistemi raportoi fitimet më të larta historike, të mbështetura nga rritja me ritme të larta e kreditimit dhe nga ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme.

Përtej ndikimit negativ nga rritja e normave të interesit, ecuria e zërave të tjerë të performancës ka qenë e mirë edhe në tremujorin e parë të këtij viti, në vijim të një cikli pozitiv të lidhur me rritjen e huadhënies dhe përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë. Të ardhurat neto nga interesat për tremujorin arritën në afërsisht 12.2 miliardë Lekë, me një rritje prej pothuajse 11% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga komisionet arritën në 3.2 miliardë Lekë, edhe këto në rritje me afërsisht 10% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Për sa u takon shpenzimeve, u shënua një rritje e lehtë në shpenzimet e interesit dhe në shpenzimet e tjera operative.

Megjithatë, zëri më i rëndësishëm për t’u monitoruar në krahun e shpenzimeve, ai i provigjioneve, shënoi një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Në tre muaj, bankat llogaritën 914 milionë Lekë provigjione, në rënie me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një rritje e vogël në provigjionet për kreditë u balancua nga ulja e provigjioneve për instrumentet e tjera financiare. Ecuria e provigjioneve është një tregues i rëndësishëm, sepse reflekton cilësinë e aktiveve të sektorit dhe pritshmëritë e bankave për humbje të mundshme prej tyre në të ardhmen. Deri tani, inflacioni i lartë nuk ka sjellë ndikime të dukshme në aftësinë paguese të huamarrësve dhe në cilësinë e portofolit të kredisë së bankave. Në fund të muajit mars, raporti i kredive me probleme zbriti përsëri në 5.24% dhe po shënon nivelet më të ulëta qysh prej vitit 2008./ Marrë nga Monitor.al

bankaeshqiperise

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura