“Tremben” bizneset, dyqanet e lagjes fillojnë të japin masivisht fatura

Aug 20, 2015 | 10:43
SHPËRNDAJE

Ora 8.30 e mbrëmjes. Pas një blerjeje prej vetëm 150 lekë, në një nga dyqanet e lagjes në Komunën e Parisit, shitësja nxiton te kasa për të shtypur faturën tatimore, të cilën ta jep me një frymë. Një veprim ky, që nuk e kishte bërë ndonjëherë, ashtu si pjesa më e madhe e dyqaneve të lagjeve, madje dhe e supermarketeve “të fshehura” në shumë zona të Tiranës, që ndonjëherë të japin edhe fatura të shkruara me shkrim dore, sa për të qenë “transparent” me çmimet me klientin.

kasa fiskale
E pyetur se pse po jep faturë, shitësja nuk e mohoi që është e “trembur” nga deklaratat e fundit dhe nuk ia mbante të mos e jepte, teksa nxitoi të justifikohej se dhe më parë, gjithsesi ata i deklaronin të gjitha, edhe pse nuk jepnin fatura.

Intensiteti i dhënies së faturave është shtuar së fundmi, pasi qeveria i ka shpallur luftë informalitetit. 500 tatimorë, të rekruruar për një periudhë kohore të shkurtër kanë qenë në terren gjatë gushtit, duke verifikuar në çdo lagje bizneset e regjistruara apo jo, duke fotografuar bizneset e palicencuara dhe duke matur përdorimin e faturave tatimore.

Nisur dhe nga këto gjetje, qeveria pritet të nisë një aksion masiv kundër informalitetit në shtator, me masat konkrete që pritet të bëhen publike nga kryeministri Rama.

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi dje se se “Rreth 1/3 e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e vendit tonë ose nuk janë fare të regjistruar, ose nuk kanë fare kasa fiskale, ose kasat fiskale ekzistojnë si orendi pa vlerë që nuk përdoren; në shkelje të rëndë të drejtpërdrejtë të ligjit po se po, po edhe në vjedhje të hapur të qytetarit dhe konsumatorit. Ndërsa në total, mbi 50% e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon, duke qenë haptazi në kundravajtje të plotë ligjore dhe padiskutim, në shkelje të plotë të çdo norme etike në raport me konsumatorët.”

Distributorët e kasave pohojnë se ka pasur një kërkesë të shtuar ndjeshëm për kasa fiskale muajin e fundit, ndërsa në QKR është shtuar radha e bizneseve, sidomos atyre ambulante që duan të regjistrohen, me përfaqësuesit e firmave që po rrinë edhe dy javë në radhë për të marrë një NIPT, të cilët mbarojnë shpejt për shkak të kërkesës së lartë.

Ekspertët kanë dyshime nëse përqendrimi i madh i vëmendjes te bizneset e vogla do të gjenerojë një bum të ardhurash në buxhet. Edhe në të kaluarën FMN ka vlerësuar që kosto tatimore e kontrolleve mbi bizneset e vogla është më e lartë se të ardhurat që gjenerohen prej tyre, çka bëri që sipërmarrjet e vogla të mos ishin shumë në vëmendjen e tatimorëve. Të ardhurat nga tatim fitimi i thjeshtuar zënë me pak se 2% të totalit të të ardhurave në buxhet.

Megjithatë, këputja e zinxhirit të faturimit te kompanitë e vogla ka qenë gjithnjë një problem për sipërmarrjet e mëdha. Këto të fundit ankoheshin se dyqanet apo biznese të tjera nuk u merrnin faturë pasi nuk donin të klasifikoheshin si biznes i madh.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura