Tregu i sigurisë publike dhe Policia e Shtetit

Jan 28, 2020 | 10:55
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO pellumb nako

Janë pothuaj të përdit shme tryezat e bisedave që organizojnë gazetarët lidhur me problemet e krimit dhe të sigurisë, që shqetësojnë qytetarët e vendit tonë. Shpesh ata thërrasin ish-punonjës policie, publicistë, veprimtarë publikë dhe politikanë. Ata qeveritarë shkojnë në studio rregullisht, sa herë që bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje ndërkombëtare apo për të komentuar ndonjë situatë të rëndë. Shpesh në debate për ilustrim me kah negativ apo pozitiv, sipas rastit merren dhe statistikat kriminale. Mjaft rrallë edhe ndonjë sondazh, aspak profesional. Jemi ende shumë larg për të kuptuar atë që ndodh.

Ndërkohë, nëse do të shihnim zhvillimet e aktorëve të sigurisë publike këto dekada të fundit, do të vërenim se analizat e bëra nëpër studio janë të tejkaluara nga zhvillimet konkrete në terren. Sepse, dashur pa dashur, edhe në vendin tonë tashmë është krijuar një treg i sigurisë, në të cilin kërkesës për siguri i përgjigjet gjithmonë e më fuqishëm oferta private. Kjo e fundit sa vjen e shtohet si në sasi dhe në larmi, duke zëvendësuar gradualisht edhe sektorë që dikur i mbulonte oferta shtetërore. Madje, ndryshe nga kjo e fundit, oferta private zhvillohet në kuadrin e një tregu me konkurrencë të lirë. Në fund të fundit, siguria kushton e për rrjedhim, shteti natyrshëm tenton të ndajë me privatin koston e saj.

Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 10 mijë agjentë të sigurisë private. Numri i tyre është i përafërt me Policinë. Vetë shërbimi privat në siguri gjeneron të ardhura, të cilat llogariten në 50 milionë euro në vit. Ai nuk përfshin vetëm veprimtarinë private të shoqërisë, por po orientohet gjithmonë e shumë edhe në sferën publike. Pra, kemi të bëjmë me një aktor të fuqishëm në numër dhe të shëndetshëm në pajisje me investime financiare

Shteti duket qartë se e ka humbur tashmë rolin e tij si ofertues i vetëm i sigurisë në vend. Aktualisht, ai ruan vetëm monopolin e forcës legjitime, e cila përbën edhe arsyen e ekzistencës së tij dhe që shtrihet në të gjitha sferat e veprimtarisë publike dhe private. Oferta private mbetet vetëm në kufijtë e parandalimit.

Por, a është e gjitha kjo ofertë private e sigurisë në harmoni të plotë me atë shtetërore? Praktikisht kemi 10 mijë agjentë të sigurisë private të angazhuar në parandalimin kryesisht të mikrokriminalitetit, siç janë vjedhjet, falsifikimet dhe prishje të rendit publik. Pa llogaritur këtu parandalimin e sjelljeve jocivile, të cilat nuk renditen si shkelje në kundravajtje penale, por efektin në raport me ndjenjën e pasigurisë e kanë njëlloj si veprat penale.

Çfarë mungon këtu në raportin ndërmjet sigurisë që ofron shteti dhe asaj që ofron privati në vendin tonë?

Armata prej dhjetë mijë agjentësh të sigurisë private përfshin ndër të tjera shërbimin roje në institucione publike e private. Shërbim ky, që nuk ka sesi të mos hasë në raste të prishjes së rendit publik si në spitale e ambiente të tjera të ngjashme. Po ashtu, në këtë numër janë edhe ata agjentë privatë, të cilët jo në pak raste kanë kapur vjedhës apo falsifikatorë të ndryshëm në sipërfaqet e mëdha tregtare, apo edhe në minimarkete. Sa mund të jetë numri i tyre? Ndërkohë, funksioni i rojës private nuk konsiston as në gjobitjen, arrestimin apo verbalizimin e shkelësve. As në evidentimin e rasteve si statistikë. Pra, gjithçka që ata konstatojnë dhe shohin nuk regjistrohet nga ana e Policisë. Me përjashtim të rasteve të rënda. Për rrjedhim, statistikat policore lidhur me intensitetin kriminal nuk kanë si të jenë të plota. Kur nuk janë të tilla, nuk japin gjendjen e duhur e për rrjedhim nuk mund të merren as masat e duhura.

Pyetja mbetet e natyrshme. Cili ent i sigurisë publike ka për objektin e tij të punës të matë e të regjistrojë pikërisht atë që konstaton policia private? Në rastin konkret, duket se as Policia e Shtetit e as Ministria e Brendshme, sot nuk janë në gjendje të na japin një tablo të plotë të statistikave kriminale në vendin tonë, nëse askush nuk kujdeset të shohë dhe të matë se çfarë bën shërbimi privat i sigurisë.

Handikapi i ka shkaqet e tij. Ato janë thellësisht të lidhura me faktin se aktualisht në vendin tonë, trajtimi studimor i kriminalitetit në përgjithësi apo analiza e statistikave të tij ngelet i bunkerizuar vetëm brenda mureve të Policisë. Edhe problemet e funksionimit të rendit publik vazhdojnë të mbeten monopol i Policisë. Policia nuk e ka të mundur të kryejë këtë rol. Nuk është as në profilin e saj, megjithë ngritjen brenda Policisë të disa pseudodrejtorive që merren me studime e strategji në këtë fushë. Ashtu si vetë siguria që është kthyer në një lloj malli kërkesë-ofertë në tregun e sigurisë, edhe studimet në raport me kriminalitetin në përgjithësi, apo ligjësitë e ndryshimit të sigurisë publike nga dekada në dekadë në përputhje me natyrën e shtetit, duhet të jenë objekt jo vetëm i Policisë, por edhe i botës akademike, universitare. Statusi universitar i Akademisë së Sigurisë është vetëm një sajesë, që nuk lidhet në asnjë pikë me botën e vërtetë akademike. Universiteti publik duhet ta thyejë njëherë e mirë tabunë e Policisë. Nuk bëhet fjalë këtu për të formuar punonjës Policie të nivelit të ulët apo të lartë. Disa universitete private e kanë marrë këtë nismë, por duken ende në hapat e para. Mendimi serioz akademik duhet të marrë përsipër shkollimin e brezave të rinj administratorësh të lartë, pedagogësh apo studiuesish të fushës së sigurisë publike nëpërmjet adoptimit të lëndëve shumëdisiplinore, ku të gërshetohen njohuritë në fushën e ndërtimit të shtetit, të ligjeve, të sociologjisë, sidomos sociologjia e deviancave sociale, të psikologjisë. Studimi i krimit duhet marrë në tërësinë e tij, duke analizuar nga njëra anë natyrën e shkeljes së ligjit dhe nga ana tjetër, reagimin social që provokon ky fakt. Ndryshe, kurrë nuk do të kuptojmë se ç’po ndodh në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura